Afati për dorëzimin e punimeve deri më 29 prill 2025

Ulqin – Komuna e Ulqinit ka shpallur konkursin për zgjidhjen ideore të monumentit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Në konkurs thuhet se qëllimi i tij është përzgjedhja ideore e monumentit të heroit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili do të vendoset pranë objektit të Komunës së Ulqinit, në parcelën kadastrale nr. 1449 të kësaj komune.
Dokumentacioni i konkursit përbëhet nga pjesa tekstuale dhe grafike, ku pjesa tekstuale përmban shpalljen e konkursit dhe detyrën projektuese, ndërsa pjesa grafike përmban bazën digjitale gjeodezike dhe fotografitë e parcelës ku do të vendoset monumenti.
Afati i konkurrimit është 60 ditë nga data e shpalljes së konkursit, gjegjësisht deri më 29 prill 2025.
Pjesëmarrësit në konkurs janë të obliguar që punimet e tyre t’i dorëzojnë brenda afatit të caktuar në Sekretariatin për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore, përmes Zyrës për qytetarë të Komunës së Ulqinit.
Në shpallje po ashtu bëhet e ditur se dokumentet e konkursit janë të publikuara në faqen zyrtare të Komunës së Ulqinit www.ul-gov.me , ku mund të shkarkohen nga të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në konkurs.
Ideja për vendosjen e monumentit të heroit tonë kombëtar në Ulqin është e kahmotshme, por ajo është konkretizuar para disa vitesh me iniciativën e Shoqatës “Don Gjon Buzuku”. Megjithatë, përkundër faktit se Kuvendi i Komunës së Ulqinit e ka miratuar vendimin për vendosjen e monumentit të Skënderbeut, për shkaqe burokratike dhe shkaqe të tjera kjo çështje është zvarritur.
Në Ulqin ekziston edhe bulevardi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, prandaj ndërtimi i monumentit të Skënderbeut do të plotësonte mozaikun e infrastrukturës dhe objekteve publike në nderim të kryeheroit tonë kombëtar.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat