Të enjten e një shtatorit, në ditën e fillimit të vitit të ri shkollor për nxënësit në Kosovë, përfaqësuesit e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës e kanë përuruar në Gjakovë Abetaren e përbashkët për të dyja vendet.
Në ceremoninë e përurimit kanë karrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci, dhe homologia e saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur falënderime për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“Qeveria jonë po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë dhe këtë po e bëjmë në bashkërendim me qeverinë shqiptare”, ka thënë ai.
Po ashtu ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi, ka ndarë një mesazh mjaft emocionues nga Gjakova, duke thënë se abetarja e unifikuar do të fshijë kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Hera e fundit që kam qenë në Gjakovë ishte kur organizuam një koncert të përbashkët mes shkollave të Tiranës dhe Gjakovës. Më pas isha në Prizren, më pas në Prishtinë për mbledhjen e përbashkët të qeverive. Por, unë mendoj se një ndër punët më të mira është abetarja e përbashkët unike. Jam shumë e lumtur që gjendem mes jush për këtë ditë, të mbahet mend si dita që të vegjlit mësojnë më të njëjtin libër. Kjo abetare do të fshijë kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Libri që do na bashkojë dhe do të forcojë më shumë bashkimin me njëri-tjetrin. Jemi një komb!”, ka thënë ajo.
“Abetarja e re vjen si paketë e kompletuar, e përbërë nga: Libri i nxënësit, Fletorja e punës, Libri i mësuesit dhe versioni digjital i Librit të nxënësit. Për këtë moshë nxënësish, është e rëndësishme që të mësojnë nga kombinimi tekst-ilustrim, që e karakterizon Abetaren e re”, thuhet në njoftimin e përbashkët të dy ministrive.
Po ashtu thuhet se çdo tekst në abetare ka vlerë edukative, saktësi shkencore dhe është në përputhje me moshën, mundësitë njohëse dhe interesat e nxënësve.
Abetarja vjen edhe në versionin digjital, ku nxënësit përmes interaktivitetit mund t’i shikojnë videot e njësive mësimore, t’i shkruajnë shkronjat, t’i zgjidhin detyrat e dhëna dhe të marrin përgjigje automatike për saktësinë e tyre.
Kjo abetare vjen si rezultat i bashkëpunimit të dy ministrive të Arsimit, si dhe dy shtëpive botuese fituese “Dukagjini” dhe “Pegi”.
Në ceremoninë e përurimit të Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim nga të dyja vendet.
(Kohapress)
