Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është shprehur edhe një herë pro nismës “Ballkani i Hapur”, në samitin që është mbajtur të premten në Beograd.
Ai ka shprehur pritjen që edhe vendi i tij të jetë pjesë e marrëveshjes së shteteve të Ballkanit të Hapur për të ndihmuar njëri-tjetrin në situata krize – për furnizimin me ushqim dhe energji.
Abazoviq ka theksuar se vendet e rajonit duhet të ndjekin rrugën e bashkëpunimit dhe të qëndrojnë së bashku.
“Gjithçka tjetër mund të jetë llogaritje e imët dhe politizim. Falënderoj mikpritësit dhe miqtë e ardhur nga BE-ja dhe të gjithë ambasadorët që janë këtu. Shpresoj se së shpejti do të takohemi në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Sipas kryeministrit të Malit të Zi, Ballkani i Hapur për një kohë të shkurtër ka treguar se mund të ofrojë siguri.
“Kemi provuar gjithçka në historinë tonë, grindjet dhe konfliktet, por vetëm nuk kemi provuar të bashkëpunojmë. Është koha për të zgjedhur paqen dhe përparimin, dhe se fleksibilitet më i madh i kufijve nuk do të thotë ndryshim i tyre, por një shans më i madh për pajtim”, ka thënë Abazoviq në hapje të Samitit.
Ai konfirmoi se Mali i Zi nuk është anëtar i nismës, por gjithashtu konsideroi se shumica e qytetarëve do të zgjidhnin të mos prisnin në kufij.
Tre shtetet nismëtare të Ballkanit të Hapur – Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshje dy dhe tripalëshe në fushën e bujqësisë, energjisë, kulturës dhe mbrojtjes civile.
Samiti në kuadër të Ballkanit të Hapur mblodhi së bashku zyrtarë nga vendet e kësaj nisme (Shqipëri, Maqedoni, Serbi), si dhe nga Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Hungaria dhe Turqia. Ai është hapur me Panairin e Verërave, një ngjarje në kuadër të këtij samiti.
“Ballkani i Hapur” është një projekt i përbashkët i Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i krijuar me idenë e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve ndërmjet shteteve anëtare të nismës. Kosova vazhdon ta kundërshtojë këtë nismë, ndërsa dy shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, megjithëse formalisht nuk janë pjesë e kësaj nisme, kohës së fundit po marrin pjesë në samitet që mbahen në kuadër të saj.
(Kohapress)
