Valdanos – Shoqata për Kthimin dhe Mbrojtjen e Pronës Private të Ulqinit ka organizuar aksionin e pastrimit të ullishtës dhe të rrugëve hyrëse në të cilin mori pjesë nënkryetari i Qeverisë së Malit të të Zi. Dr. Dritan Abazoviq, ministrja e Mbrojtjes, Olivera Injac, ministrja e Administratës Publike, Tamara Srzentiq dhe ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave, Aleksandër Stijoviq.
Nga Zyra e Nënkryetarit të Qeverisë njoftohet se nënkryetari Abazoviq ka thënë se Valdanosi nuk është çështje ekonomike, dhe as çështje e drejtësisë aq sa është çështje e mbijetesës kulturore të këtij populli dhe të lidhjes së tyre me ullishtën.
Ai ka thënë se janë 18 mijë pemë, 43 vjet plotësisht të robëruara në mënyrë të padrejtë dhe se një rast i tillë nuk mund të gjendet askund në botë.
“Ne jemi të vendosur që dora e drejtësisë të vijë përfundimisht edhe këtu. Ju falënderoj që askush nga Ju nuk e ka humbur energjinë që të luftojë për Valdanosin. Ullinjtë mijëravjeçarë janë fakt që edhe në kohërat më të vështira mund të jemi së bashku dhe se mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Abazoviq duke iu drejtuar të pranishmëve.
Duke vënë theksin në periudhën e kaluar, nënkryetari i Qeverisë ka thënë se qytetarët deri më tani kanë pasur perceptimin se Ushtria e Malit të Zi nuk është në shërbim të qytetarëve dhe se janë dikush që pamundëson që pronarët të hyjnë në pronat e tyre.
“Tani çështja është ndryshe. Ministrja e Mbrojtjes, Olivera Injac e dëshmon këtë. Nuk ka pasur asnjë dilemë në atë se ushtria në çdo mënyrë ndihmon që të realizohen rrugët që të jetë më afër njerëzve dhe t’u jap mbështetje njerëzve në të gjithë atë që ata duhet të bëjnë në Valdanos në periudhën në vazhdim”, ka deklaruar Abazoviq.
Nënkryetari i Qeverisë ka theksuar se ndjehet i kënaqur sidomos për faktin që është aty me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të ujërave, Aleksandar Stijoviqin, i cili, siç ka thënë nënkryetari i qeverisë, ka ofruar mbështetje logjistike dhe i cili është i gatshëm që mu te vendi të shoh se çfarë duhet të punohet në revitalizimin e ullinjve dhe në këtë drejtim të ndihmojë.
“Qëllimi ynë është që këtë proces ta çojmë deri në fund. Valdanosi asnjëherë nuk ka ndarë, ai përherë ka bashkuar. Kemi ardhur që t’i lirojmë ullinjtë, dhe lirimi i ullinjve është lirimi i shpirtit tonë”, ka përfunduar nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq.
t. u.
