316 mijë euro për pagesën e 30 specializantëve nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Vendimin për pagesën e 30 specializantëve nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, në shumën prej 316 mijë euro, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2025.
Miratimi i Vendimit për ndarjen e këtyre mjeteve është bërë me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Duke arsyetuar propozimin e tij, ministri Vitia ka thënë se shkollimi specialistik për shqiptarët nga vendet e tjera lejohet me Vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.
“MSH ka pasur shumë takime me këta specializantë, për sfidat e tyre gjatë procesit të specializimit. Propozoj pagesën e 30 specializantëve me vetëfinancim, në shumë prej 316 mijë euro, nga data 01.01.2025 deri më 31.12.2025”, ka deklaruar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë me këtë rast se Qeveria e Kosovës ka “përkushtim për bashkatdhetarët”.
“Mjekë tanë janë edhe bashkatdhetarët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Për Luginën nuk mjafton vetëm rritje e buxhetit me nga 1 milion euro vit pas viti, por po përkujdesemi që kategori e profesione të ndryshme t’i përkrahim sipas mundësive e krahas edhe nevojës. Andaj, po e vazhdojmë mbështetjen edhe për 30 specializantë që vijnë nga vendet e rajonit, në vlerë prej 316 mijë euro – duke përfshirë pra specializantët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi”, ka thënë ai.
Krahas këtij vendimi, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe kërkesën për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim nga Kosova, në vlerë prej 2.3 milionë euro, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2025.
“Që të lehtësohet shkollimi i specializantëve, propozojmë pagesën e 2.3 milionëve për këta specializantë për periudhën janar-dhjetor 2025”, ka deklaruar ministri Vitia.
Ai theksoi se është “punuar që të rritet numri i mjekëve” dhe se kjo masë do të ndikojë që të mbahen kuadrot shëndetësorë në Kosovë. Kjo, sipas tij, iu mundëson edhe qytetarëve qasje më të lehtë dhe më cilësore në shërbimet shëndetësore.
Këto vendime janë marrë gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të premten, më 31 janar 2025.

(Kohapress/Kallxo.com)

Të fundit

më të lexuarat