Ulqin – Në mbledhjen e jashtëzakonshme që është mbajtur të shtunën (22 shkurt 2025), Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka votuar për dhënien e pëlqimit SHPK “Veprimtaritë Komunale” – Ulqin për marrjen e kredisë me vlerë 3.4 milionë euro te “Prva Banka”.
Në arsyetimin e vendimit theksohet se 2.4 milionë euro do t’i paguhen Drejtorisë Tatimore në emër të borxhit për kontributet e punëtorëve të SHPK “Veprimtaritë Komunale”, ndërsa pjesa tjetër – një milion euro do të shfrytëzohet për blerjen e makinerisë për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave.
Për vendimin e dhënies së pëlqimit kanë votuar këshilltarët e shumicës qeverisëse, me përjashtim të këshilltarit të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Driton Salaj, i cili ka votuar kundër.
Sipas tij, ekzistojnë shumë arsye për të mos votuar marrjen e kredisë, ndër të cilat ai ka përmendur se kësti është i papërballueshem e rrjedhimisht borxh që nuk mund ta kthesh.
Për Salajn është e pakuptimtë marrja e borxhit te privati për të shlyer borxhin e publikes (shtetit).
Ai po ashtu ka shtruar pyetjen edhe “pse pikërisht është përzgjedhur oferta e ‘Prva Bankës’?”
Vendimi për dhënien e pëlqimit për marrjen e kredisë është kritikuar sidomos nga opozita.
“Marrja e 3.5 milionëve dhe kthimi i mbi 4 milionëve tregon një menaxhim të papërgjegjshëm të financave publike, ku barra do t’u mbetet qytetarëve. UDSH bën thirrje për transparencë dhe llogaridhënie, duke mos lejuar që pazaret politike të rëndojnë mbi të ardhmen e komunës dhe interesin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e Unionit Demokratik të Shqiptarëve.
Ndërsa këshilltari i Lëvizjes Qytetare “Ura”, Arian Murati, ish-sekretar për Buxhet dhe Financa i Komunës së Ulqinit, ka shprehur dyshimin se kredia nuk mund të realizohet për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore të parashikuara me kushtet për marrjen e kredisë.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Ulqinit është thirrur për ditën e premte, por ajo ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
(Kohapress)