Njëmbëdhjetë persona kanë mbetur të vdekur, mes të cilëve edhe sulmuesi, në masakrën që ndodhi të premten në lagjen Medovina në Cetinë, kur 34-vjeçari Vuçko Borilloviq vrau fillimisht një grua që banonte me qira në shtëpinë e tij, dhe dy fëmijët e saj, e më pas edhe shtatë fqinjët e tij.
Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë të mitur, 8 dhe 11 vjeç, ndërsa gjashtë persona u plagosën, në mesin e të cilëve edhe një pjesëtar i policisë.
Prokurorja kujdestare, Andrijana Nastiq, ka deklaruar se sulmuesi është vrarë nga një bashkëqytetar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30 të ditës së premte.
Drejtori i Drejtorisë së Policisë, Zoran Bërgjanin, ka përshkruar rrjedhën e ngjarjeve që ka çuar në tragjedinë që nuk mbahet mend në Mal të Zi.
“Në këtë rast, duke përdorur armën e zjarrit – pushkë gjuetie – ka marrë jetën e dy fëmijëve, njëri tetë dhe tjetri 11 vjeç dhe ka plagosur nënën e tyre, e cila vdiq në spital nga plagët e marra. Më pas, ai ka dalë dhe ka qëlluar banorët e kësaj lagjeje me të njëjtën armë zjarri, me ç’rast u ka marrë jetën shtatë personave të tjerë, ndërsa gjashtë të tjerë i ka plagosur”, ka shpjeguar Bërgjanin, duke shtuar se nuk dihet se çfarë e ka motivuar autorin e krimit që ta kryejë këtë akt.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se të shtënat ishin një tragjedi më e rëndë se çdo tjetër në kujtesën kolektive të malazezëve.
Edhe udhëheqësit e tjerë shtetërorë, përfaqësuesit politikë dhe të institucioneve etj. kanë shprehur keqardhje për ngjarjen e rëndë dhe janë solidarizuar me familjet e viktimave.
Të shtunën, më 13 gusht, Qeveria e Malit të Zi shpalli tri ditë zie në gjithë territorin e vendit, pas tragjedisë në Cetinë.
Kjo është ngjarja më vdekjeprurëse në dekadat e fundit në Mal të Zi, teksa ndodhi në kulmin e sezonit turistik dhe në kohën e krizës së madhe politike në vend.
(Kohapress/REL)
