Zjarret kërcënuan disa zona edhe në Malësi

Natyra dhe resurset e saj të pasura dhe të çmuara, nuk duhen dëmtuar dhe shkatërruar, përkundrazi ato duhen mbrojtur dhe valorizuar kurdoherë. Ne duhet ta mbrojmë dhe ta ruajmë natyrën të pastër dhe të bukur, të tregojmë qytetari dhe civilizim për t’ua lënë të padëmtuar edhe brezave pasardhës

Stina e verës ka sjellë temperatura ekstremisht të larta të cilat po i përjetojmë ne dhe miliona njerëz të kontinentit evropian, SHBA-së, etj. Vala e të nxehtit afrikan fatkeqësisht ka shkaktuar edhe viktima në njerëz, dhe shpërthim të vatrave të zjarrit në shumë vise evropiane dhe më gjerë, të cilat me vete po sjellin dëme kolosale e gjurmë shkatërrimi që po lënë pas flakët e zjarrit, të cilat po përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm.
Shpërthimi i vatrave të zjarrit gjatë stinës së verës, në këtë mot ekstrem, është bërë tashmë një kërcënim serioz për shumë shtete, pasi që nga dita në ditë ato po luftojnë me vatra zjarresh të cilat janë zgjeruar në përmasa marramëndëse. Më së shumti kanë pësuar Italia, Britania e Madhe, Greqia dhe Franca, por edhe Gjermani e cila po përjeton temperatura gjithnjë e më ekstreme.
Çështjen e zjarrëvënie të qëllimshme apo të shpërthimit të zjarreve gjatë stinës së verës e kemi trajtuar me dhjetëra herë, duke apeluar për kujdes, që të ndalohet ndezja e zjarreve në ambiente të hapura publike, në mënyrë që të shmangen pasojat, si në njerëz, ashtu edhe natyrë dhe prona.
Por pavarësisht apelit të vazhdueshëm të mediave dhe të përfaqësuesve të institucioneve vendore, ditëve të fundit zjarret kanë kërcënuar edhe vendin tonë, ku disa zona rurale të Malësisë u përfshinë nga flakët dhe tymi, duke kërcënuar kështu dhe rrezikuar shtëpi, prona e objekte të tjera në zonat përreth.
Rikujtojmë se Komuna e Tuzit përmes një njoftimi, ka urdhëruar ndalimin e ndezjes së zjarreve në hapsirë, nga data 10 qershor deri më 30 shtator të vitit 2022.
“Në periudhën e përmendur në pikën 1 të këtij urdhëri, ndezja e zjarrit në tokat bujqësore, kampe dhe hapësira të tjera të hapura është e mundur vetëm me miratimin e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit, Podgoricë. Personat juridikë dhe fizikë të cilët me veprimet e tyre të pakujdesshme shkaktojnë shfaqjen dhe përhapjen e zjarrit dënohet në pajtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtje dhe Shpëtim”, thuhet në këtë njoftim të lëshuar nga zyra e shërbimit të kryetarit të Komunës së Tuzit.
Gjithashtu, edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka apeluar tek qytetarët që të mos ndezin zjarre në ambient të hapur dhe të mos përdorin mjete piroteknike.
Natyra dhe resurset e sajë të pasura dhe të çmuara, nuk duhen dëmtuar dhe shkatërruar, përkundrazi ato duhen mbrojtur dhe valorizuar kurdoherë. Ne duhet ta mbrojmë dhe ta ruajmë natyrën të pastër dhe të bukur, të tregojmë qytetari dhe civilizim për t’ua lënë të padëmtuar edhe brezave pasardhës.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat