Prishtinë – Qeveria e Malit të Zi dhe ajo e Kosovës kanë nënshkruar të premten marrëveshjen kulturore e cila i rregullon dhe e konkretizon bashkëpunim kulturor ndërmjet dy shteteve.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e kulturës së dy vendeve, prof. mr. Janko Lumoviq dhe prof. dr. Kujtim Shala, në praninë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës thuhet se fillimisht, kryeministri Mustafa priti në takim ministrin e Kulturës së Malit të Zi, Janko Lumoviq, ku u bisedua për bashkëpunimin e dy vendeve, me theks të posaçëm në fushën e kulturës.
Kryeministri Mustafa vlerësoi raportet shumë të mira dypalëshe ndërmjet dy shteteve duke theksuar përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit me Malin e Zi.
Pas takimit, ministri i MKRS-së së Kosovës, Kujtim Shala dhe ministri i Kulturës i Malit të Zi, Janko Lumoviq, nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim Kulturor, e cila synon të zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse të dy shteteve në fushën e kulturës, duke mbështetur bashkëpunimin në të gjitha fushat e kulturës dhe artit, për t’i njohur dhe prezantuar publikut dhe palëve të treta, trashëgiminë kulturore dhe të arriturat bashkëkohore kulturore të të dyja vendeve.
Sipas marrëveshjes, Mali i Zi dhe Kosova do të angazhohen po ashtu në promovimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve të tyre përkatëse, të cilat janë përgjegjëse për fusha të tilla si: arkivat, bibliotekat, muzetë, letërsinë, muzikën, artet pamore dhe performuese, veprimtaritë botuese, kinematografinë dhe mediat e tjera audiovizuale. Po ashtu, dy vendet do të nxisin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në fushën e muzikës dhe vallëzimit, shkëmbimit të informacionit dhe ftesave reciproke për muzikë, balet, vallëzim dhe ngjarje të tjera ndërkombëtare të mbajtura në territorin e vendeve të tyre.
Në vazhdën e vizitës zyrtare në Kosovë dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim kulturor ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Kosovës, ministrat e kulturës së dy vendeve, Janko Lumoviq dhe Kujtim Shala, të shoqëruar edhe nga ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, vizituan Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, të parin e këtij lloji në Kosovë, ku u njoftuan për së afërmi me gjetjet e shumta arkeologjike në këtë vend dhe me vlerat që përfaqëson ky park për trashëgiminë kulturore të Kosovës.
(Kohapress)