Zenepa Lika nderohet me Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi

“Këtë çmim nga Presidenca e shoh si mirënjohje të angazhimit tim shumëvjeçar, por edhe si një detyrim që të vazhdoj me po atë përkushtim, përgjegjësi dhe besim në atë që bëj”, ka thënë ajo në fjalën e saj pas dekorimit

Me rastin e shënimit të Ditës së Njegoshit, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nderoi në Cetinë me Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi – shkalla III, tre laureatë të veçantë: organizatat “Expeditio” nga Kotorri, KANA nga Podgorica dhe aktivisten nga Ulqini, Zenepa Lika. Ky nderim është dhënë si mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe në promovimin e planifikimit të hapësirës me përgjegjësi.
Në fjalimin e tij, Millatoviq theksoi thelbin e përgjegjësisë për trashëgiminë.
“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore nuk është vetëm kujdes për të kaluarën – është marrëdhënia jonë me të tashmen dhe të ardhmen. Mënyra se si e ruajmë hapësirën tregon sa e vlerësojmë vetveten“, ka theksuar ai.
Presidenti Millatoviq paralajmëroi se “në vijën mes fitimit dhe përgjegjësisë, mes interesave individuale dhe komunitare, matet vërtet niveli ynë civilizues”.
Por emocionet qendrore të ceremonisë u përqendruan te Zenepa Lika. E njohur prej vitesh si një nga zërat më të fuqishëm të mbrojtjes së mjedisit, ajo e mori këtë çmim me një falënderim të qetë, por të vendosur.
“Këtë çmim nga Presidenca e shoh si mirënjohje të angazhimit tim shumëvjeçar, por edhe si një detyrim që të vazhdoj me po atë përkushtim, përgjegjësi dhe besim në atë që bëj”, tha ajo.
Zenepa Lika ka pasion të thellë për Ulqinin dhe natyrën e tij. Ajo ka themeluar organizatën Dr. Martin Schneider-Jacoby (MSJA), që punon për mbrojtjen e zonave natyrore si Kriporja e Ulqinit.
Përmes MSJA-së, ajo udhëheq projekte si “Këndi ekologjik i komunitetit” (KEZ), ku ndiqet një qasje ndërmjet brezash: fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe anëtarët e komuniteteve të margjinalizuara njihen me mjedisin, planifikimin hapësinor të qëndrueshëm dhe ruajtjen e biodiversitetit.
Lika ka qenë gjithashtu zë kritik kundër planeve për zhvillime turistike të paqëndrueshme në zonat e ndjeshme natyrore. Në dokumente dhe analiza që ajo ka udhëhequr, ka theksuar nevojën për ruajtje të ullishtës dhe peizazheve kulturore – si në rastin e Ullishtës së Ulqinit dhe Gjirit të Valdanosit.
Në kohën kur Kriporja e Ulqinit është e njohur si habitat me rëndësi ndërkombëtare, Lika ka qenë aktive në fushata për mbrojtjen e saj, duke kërkuar menaxhim të qëndrueshëm dhe angazhimin e të gjitha organeve lokale.
Presidenti Millatoviq e përmbylli ceremoninë duke theksuar se “laureatet e këtij viti me punën e tyre mbrojnë vlerën e hapësirës si pasuri e përbashkët, kulturën si themel të identitetit dhe përgjegjësinë shoqërore si shprehjen më të lartë të patriotizmit”.
Zenepa Lika, e njohur për vigjilencën e saj të pandalshme, shpeshherë në prag të protestave telefonon e thotë se “dikush duhet ta ruajë bregdetin”. Dhe ajo e ruan – me trup, me zemër, me dije dhe me integritetin e një diplome të ndershme, të pamposhtur. Sipas miqve të saj, “deti nganjëherë valëzon vetëm për të”, si përgjigje ndaj shqetësimit të saj për fatin e brigjeve, pyjeve dhe jetës së gjallë nën sipërfaqe.
Në një kohë kur natyra shpesh hesht, zëri i Zenepa Likës tingëllon edhe më i fortë. Ajo ruan vijën ku qielli takon detin – me besimin se falë kësaj beteje, disa fëmijë do të rriten nën hijen e pemëve që ende nuk janë prerë.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat