Vlerësime të merituara për rezultate të larta në mësim

Të mërkurën, më 16 qershor, në hollin e shkollës, janë tubuar maturantët me sukses të shkëlqyer, prindërit e tyre, mësimdhënësit, stafi punëdrejtues i shkollës dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, për të marrë pjesë në ndarjen e diplomave “Lluça” (Pishtari), për rezultatet e larta në mësim, që ata kanë shënuar gjatë tri dhe katër viteve shkollore në këtë shkollë.
Nga 131 maturantët e shtatë paraleleve mësimore, një prej të cilave me 17 sish me mësim në gjuhën shqipe, 27 maturantë gjatë shkollimit nëntëvjeçar fillor dhe tre e katërvjeçar të mesëm, kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, 11 prej të cilëve notat në të gjitha lëndët mësimore i kanë pasur të shkëlqyera, të cilëve u është ndarë diploma “Lluça I”, kurse 16 të tjerëve, të cilët kanë pasur sukses të shkëlqyer, por jo në të gjitha lëndët mësimore, u janë ndarë diplomat “Lluça II”.
Për suksesin e arritur mësimor, me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, maturantët janë shpërblyer me nga një libër.
Drejtori i shkollës, Rifat Balliq, i cili bashkë me kryetarin e Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, maturantëve ua kanë dorëzuar diplomat, pasi ka përshëndetur gjithë të pranishmit, ka thënë se “dita e dorëzimit të diplomave ‘Lluça’, për nxënësit të cilët me suksesin dhe sjelljet e veta kanë merituar të bartin epitetin e nxënësve më të mirë të gjeneratës, për shkollën është solemniteti më i rëndësishëm gjatë vitit shkollor”. Ai në vazhdim ka theksuar se “ne si shkollë u jemi mirënjohës këtyre nxënësve, të cilët para tri dhe katër vitesh kanë trokitur në dyert e kësaj shkolle, e sot mu atyre ua dorëzojmë diplomat ‘Lluça’ “.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e vet përshëndetëse, maturantëve të suksesshëm – laureatëve të diplomës “Lluça” (Pishtari), u ka dëshiruar fat, shëndet dhe sukses në vazhdimin e shkollimit të mëtejmë universitar..
Laureatë të diplomës “Lluça I” (Pishtari) janë: Ellma Krciq, Marko Bolleviq, Amill Gjesheviq, Adellisa Huseinoviq, Arijan Musiq, Allmir Llalliçiq, Adnan Shahmanoviq, Bellma Markishiq, Ervina Omeragiq, Samra Cikotiq dhe Gresa Rugovac, kurse laureatë të diplomës “Lluça II” (Pishtari) janë: Shejlla Cecunjanin, Llejlla Deshiq, Semra Markishiq, Sellima Musiq, Damjan Rajkoviq, Denis Olleviq, Allija Canoviq, Amar Delanin, Hajria Lluceviq, Amar Delanin, Samed Mehmedoviq, Blearta Dedushaj, Agnesa Hasangjekaj, Farije Hasangjekaj, Ajlla Rexhepagiq dhe Ahmed Kollashinac.
Kolektivi i mësimdhënësve të shkollës, për nxënës të gjeneratës, për këtë vit shkollor, në drejtimin e gjimnazit me mësim në gjuhën malazeze, shpalli nxënësit: Ellma Krciq dhe Marko Bolleviq, nxënës të gjeneratës në paralelen e ndarë – drejtimi i gjimnazit në Guci, maturantin Allmir Llalliçiq, Belarta Dedushaj, nxënëse të gjeneratës në drejtimin e gjimnazit në gjuhën shqipe dhe maturanten Bellma Markishiq – nxënëse e gjeneratës në drejtime profesionale të shkollës. Të gjithë nxënësve të gjeneratës, shkolla ua ndau Certifikatën përkatëse dhe nergut i shpërbleu edhe me nga një libër.
Tri nxënëset shqiptare, laureate të diplomës “Lluça” (Pishtari), Blearta Dedushaj, Agnesa Hasangjekaj dhe Farije Hasangjekaj, u deklaruan se do t’i vazhdojnë studimet në fakultete të universiteteve të Kosovës.

Sh. H.

Të fundit

më të lexuarat