Vizitë Panairit të Librit në Tuz

Me datën 12.09.2024 shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Triesh organizoi një vizitë në Panairin e Librit. Ky aktivitet u organizua si pjesë e programit edukativ të shkollës, me qëllim që t’i frymëzonte nxënësit për të lexuar më shumë dhe t’i lidhte më ngushtë me botën e librave. Të gjithë ishin të emocionuar për këtë vizitë, sepse Panairi i Librit ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të eksploruar tituj të rinj. Kur arritëm në panair, na mirëpritën stenda të shumta plot me libra nga botues të ndryshëm, vendas dhe ndërkombëtarë. Nxënësit ishin të entuziazmuar të shihnim një shumëllojshmëri titujsh: nga librat për fëmijë, romanet e aventurave, librat historikë, deri te veprat klasike të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Shfletonin libra të rinj me shokët, duke diskutuar rreth atyre që i tërhiqnin më shumë. Për fëmijët më të vegjël, ishin veçanërisht tërheqës librat me ilustrime shumëngjyrëshe dhe tregimet fantastike. Ndërsa për ata pak më të rritur, kishte tituj që preknin tema historike, sociale, por edhe romane bashkëkohore të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Në këtë shumëllojshmëri librash, secili nga ne gjeti diçka që i përshtatej shijes së tij letrare. Vizita në Panairin e Librit na hapi sytë drejt një bote të re mundësish dhe idesh. Çdo libër që morëm me vete ishte një derë e hapur drejt një universi të ri. Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që patën mundësinë të marrin pjesë në një event të tillë kulturor dhe kjo mbase edhe i motivoi që të lexojnë më shumë dhe të krijojnë një dashuri më të thellë për letërsinë.

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat