Organizimi i panaireve të ndryshme ushqimore shërben si mundësi e mirë për të ekspozuar dhe promovuar para publikut produkte nga më të ndryshmet të cilat ndoshta deri më atëherë nuk kanë qenë aq të njohura, ose më pak të njohura, apo që nuk u është ofruar një mundësi e duhur për t’i ekspozuara ato. Dhe janë pikërisht panairet ato që mundësojnë cilitdo që ka diçka për të ofruar, prezantuar apo shitur, që ta nxjerrë në pah prodhimin e tij, qoftë gatime ushqimore, apo prodhime vendase nga zonat përkatëse.
I një mundësie dhe rëndësie të tillë mund të konsiderohet edhe njëri ndër panairet që organizohet në Malësi, dhe është pikërisht ai i quajtur, “Expo Trieshi” (panairi i përvitshëm i produkteve dhe ushqimeve tradicionale) i cili ka pesë vite me radhë që prodhuesve vendas dhe gatuesve të ushqimeve tradicionale, u ofron mundësinë e prezantimit të atyre produkteve, përkatësisht të shitjes së tyre, përmes këtij panairi.
Panairi në fjalë, qëkur u organizuar për herë të parë para pesë vitesh, ka zgjuar interesim të madh tek prodhuesit vendas të cilët me shumë dëshirë e kanë mirëpritur në panair të tillë, pavarësisht se në fillim ndoshta kanë qenë më ngurrues për t’u bërë pjesë e këtij panairi. Mirëpo, nga viti në vit panairi është zgjeruar duke shtuar numrin e pjesëmarrësve.
Ndërkaq, panairi i sivjetshëm i cili u mbajt të dielën më 13 tetor 2024, në të njëjtin vend, aty ku edhe filloi dhe vazhdoi viteve të mëhershme (tek shtëpia e kulturës “Besa”) në Triesh, zgjoi interesim të madh tek të gjithë ata të cilët janë punëtorë të zellshëm e përgatitës të dalluar të ushqimeve. Sivjet, u paraqiten afro dyzetë ekspozues.
Nga ana tjetër, panairi i sivjetshëm ishte më i frekuentuari deri më sot, ku mori pjesë një publik i madh i ardhur nga të katër anët e Malësisë. Ata patën mundësi që në tryezat e ekspozuesve të shijojnë dhe të blejnë prodhime vendase siç është patatja e njohur e Tieshit, mjalti organik, çaji, maza, rakia e thanave, ftoi, molla lakra, rrushi, shega, lëngjet e ndryshme të frutave, dhe prodhime të tjera të njohur të zonës së Trieshit, por jo vetëm.
Në këtë panair nuk munguan as ushqimet e gatshme tradicionale siç është flija apo pitja e këllirit siç njihet në zonën e Malësisë, kaçamaku, djathi i zier, mishi i qengjit në hedh, etj., por edhe shumëllojshmëri ëmbëlsirash.
Të gjithë ata që preferojnë ushqime të tilla tradicionale e që nuk mund t’i gjejnë çdo ditë nëpër restorante të zakonshme, patën mundësi që t’i shijojnë ato, në një ditë të bukur me diell, në malin e Trieshit, ku panairi në fjalë u gërshetua edhe me tinguj muzikor.
Publikun e pranishëm me këngë dhe valle të shumta nga repertori i tyre i pasur kulturor dhe artistik i argëtoi Shoqëria Kulturore- Artistike “Besa” nga Trieshi.
Ndërkaq, përveç argëtimit, publiku u argëtua edhe duke luajtur lojëra të ndryshme siç ishte harku me shigjeta, i organizuar enkas për këtë ditë.
Organizmi e këtij panairi e kanë mundësuar si zakonisht edhe këtë vit disa afaristë/shoqata nga vendi dhe diaspora, me mbështetje të Komunës së Tuzit.
Kujtojmë se organizimi i panaireve të tilla ka për synim që të promovojë dhe të ringjallë produktet ushqimore të cilat kultivohen nëpër zonat rurale të Malësisë, me qëllim që atyre t’iu rikthehet vlera që meritojë dhe që mundi, përkushtimi dhe vlerat që posedon prodhimtaria ushqimore e shumë amvisërive që i prodhon ndër vite këtyre produkteve, të mos lihet në harresë.
Tashmë, panairi i produkteve dhe ushqimeve tradicionale “Expo Trieshi” është bërë një vend ideal dhe mjaft i rëndësishëm për promovimin dhe shitjen e ushqimit dhe të produkteve tradicionale të zonave rurale të Malësisë.
Ndërkaq, organizimi i panaireve të tilla padyshim që nxit dhe inkurajon edhe më shumë të gjithë ata të cilët merren me bujqësi dhe blegtori, e që prodhimin e tyre synojnë ta bëjnë më të njohur, përkatësisht që ta shesin më lehtë në treg.