Në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës”, në hotelin “Mediteran” në Ulqin, të hënën, më 4 gusht 2025 është mbajtur Forumi i pestë i Biznesit, këtë vit me temën “Ulqini dhe perspektivat e zhvillimit”. Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, pushtetit lokal, komunitetit të biznesit dhe përfaqësues të diasporës shqiptare nga shumë vende të botës.
Forumi u organizua nga Ministria e Diasporës në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit me qëllim të forcimit të lidhjeve ekonomike dhe institucionale ndërmjet Ulqinit dhe diasporës, e cila, sipas përfaqësuesve institucionalë, përbën një pjesë të pandashme të strukturës ekonomike dhe shoqërore të Malit të Zi.
Në hapjen e forumit morën pjesë sekretari shtetëror në Ministrinë e Diasporës, Adel Omeragiq, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, si dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Këshilltari në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, Asllan Llunji, në hapje foli më shumë për qëllimin e këtij forumi, duke u shprehur se ky forum është rezultat i një bashkëpunimi të sinqertë ndërmjet përfaqësuesve të pushtetit lokal, shoqatave të biznesit, si dhe përfaqësuesve të diasporës, biznesit dhe organeve të shtetit.
“Pjesëmarrja dhe angazhimi i institucioneve qendrore në këtë organizim është një mesazh i qartë se zhvillimi i qëndrueshëm i Ulqinit është një prioritet i përbashkët dhe se biznesi vendor nuk është i vetëm në këtë rrugëtim. Pjesëmarrja e vendimmarrësve të pushtetit lokal në këtë forum gjithashtu simbolizon mirënjohjen për punën, përkushtimin dhe suksesin e njerëzve tanë brenda dhe jashtë kufijve”, u shpreh ai.
Sipas Llunjit, një aktivitet i tillë mund të jetë një fillim i ri, një hap drejt harmonizimit të qëndrimeve dhe avancimit të bashkëpunimit, me qëllimin e vetëm – një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe qytetin tonë.
Ai ka vlerësuar se fatkeqësisht, biznesi vendor ndër vite ka qenë subjekt i vendimeve të nxituara dhe të gabuara nga pushteti qendror, të cilat kanë prodhuar pasoja të ndjeshme, sidomos në afat të shkurtër.
“Këto vendime kanë krijuar pasiguri, kanë dëmtuar iniciativën private dhe kanë penguar zhvillimin natyror të sektorit ekonomik në Ulqin. Megjithatë, kjo situatë na rikujton se pa një dialog të sinqertë dhe të qëndrueshëm ndërinstitucional dhe me komunitetin e biznesit, nuk mund të kemi zhvillim të vërtetë e të qëndrueshëm”, ka theksuar Llunji.
Ndërsa sekretari shtetëror në Ministrinë e Diasporës, Adel Omeragiq theksoi rëndësinë strategjike të diasporës në zhvillimin e vendit, duke theksuar se qëllimi i këtyre forumeve nuk është vetëm takimi simbolik, por nxitja e nismave konkrete zhvillimore.
“Ulqini është sot qyteti i pestë ku ne, që nga fillimi i verës, po organizojmë Ditët e Diasporës, dhe me siguri mund t’ju them se jam shumë i kënaqur, ndonëse e prisja, me pjesëmarrjen dhe mikpritjen e ngrohtë që na është bërë këtu. Më vjen veçanërisht mirë, sepse, siç më kanë thënë kolegët, sot këtu kemi edhe njerëz nga diaspora. Ky forum biznesi, që e organizojmë së bashku me Komunën e Ulqinit, është bërë pikërisht për ju, për diasporën. Sepse më duket se, me rreth dhjetë folës që kemi këtu sot, mesazhi më i rëndësishëm i këtij forumi do të jetë që të japim përgjigje për pyetjet që ju keni për ne”, ka thënë ai, duke nënvizuar se Ulqini ka njërën nga diasporat më të mira dhe se këtë nuk e thotë sepse sot është në Ulqin, por sepse ky është një fakt.
Omeragiq ka potencuar rolin e diasporës në zhvillimet e përgjithshme në Mal të Zi, duke veçuar kontributin e diasporës ulqinake për qytetin e Ulqinit dhe për shtetin e Malit të Zi.
“Mos ta harrojmë se përqindja më e lartë e mbështetjes për pavarësinë e Malit të Zi ka ardhur pikërisht nga Ulqini. Më duket se afro 99% e qytetarëve e kanë mbështetur. Pra, ju qytetarët e Ulqinit që sot jeni të shpërndarë nëpër botë, e keni dëshmuar përkushtimin dhe dashurinë tuaj për Malin e Zi. Këtë nuk mund t’ua mohojë askush. Sot jemi në vitin 2025. Shteti i Malit të Zi është gati 20 vjet shtet i pavarur. Mendoj se ka ardhur koha që të flasim seriozisht për investimet e njerëzve tanë nga diaspora në Ulqin. Diaspora nuk kërkon privilegje, por partnerë dhe mundësi – dhe Ulqini është një hapësirë natyrale për këtë lidhje”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, shprehu angazhimin e qartë të administratës lokale për të përfshirë diasporën si një faktor aktiv në zhvillimin e qytetit.
“Ulqini nuk guxon më ta shohë diasporën si mysafir, por si partner. Energjia juaj, përvoja dhe kapitali juaj mund të jenë motori i zhvillimit që ky qytet e meriton. Organizimi i Forumit synon jo vetëm ndarjen e ideve dhe iniciativave, por edhe ndërtimin e urave konkrete të bashkëpunimit. Përvojat, sukseset dhe të arriturat e diasporës sonë janë një aset i paçmuar për zhvillimin ekonomik dhe social të vendlindjes. Diaspora ka një rol thelbësor për të kontribuar në zhvillimin e saj, veçanërisht në shumë fusha të rëndësishme ekonomike”, ka thënë ai.
Gjatë forumit u prezantuan treguesit ekonomikë të qytetit, projektet zhvillimore në proces dhe planet për të ardhmen. Po ashtu, u ndanë përvoja suksesi nga afaristë të diasporës dhe të komunitetit lokal, të cilët diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë për bashkëpunim.
Mbi gjendjen aktuale, pasqyrimin e situatës ekonomike dhe qëllimet e forumit folën sekretarët e pushtetit vendor, Arbin Çapriqi dhe Shkëlzen Sulejmani, si dhe deputeti Dr. Ilir Çapuni.
Të pranishmëve iu drejtuan edhe përfaqësues të ministrive – Dr. Agron Ibrahimi, Mirsada Boshnjak, Naim Gjokaj dhe Radovan Bogojeviq.
Nga sektori i biznesit vendor dhe të diasporës folën Lam Kallaba, pronar i “Kallaba Company” – Ulqin, Lejla Hoxha dhe Suad Hoxha, pronarë të “Super Restoration”, “Dulcigno Home Studio” dhe “HoxHous Realestate” – Illinois; Ruzhdi Ravja, pronar i “Bratica Comerc” – Ulqin dhe Vahid Goga, analist IT dhe trajner në “Work Safe” Victoria – Melbourne (Australi). Ata ndanë më shumë përvojat mbi arritjet profesionale të bizneseve të tyre dhe vizionin për zhvillimin e komunës së Ulqinit.
Përfaqësuesit e diasporës, si gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar vendlindjen, përshëndetën nismat e këtij lloji, duke theksuar se aktivitete të tilla ndihmojnë në njohjen më të afërt të nevojave të saj. Në diskutim morën pjesë Naser Nika, Sabri Gjoni, Safet Llolla, Albert Salaj, Fatmir Kollari dhe Kabil Kurti.
Gjatë forumit, Naser Nika, kryetar i Shoqatës Amerikano-Shqiptare në Staten Island, i dorëzoi kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, një mirënjohje nga kongresmenia e Nju Jorkut, Nicole Malliotakis.
Pjesa përmbyllëse e Forumit u shënua nga një diskutim i hapur mes përfaqësuesve të institucioneve, biznesit dhe vetë pjesëtarëve të diasporës, ku u arritën disa përfundime të rëndësishme dhe rekomandime për të ardhmen.
Ndër përfundimet kryesore u theksua nevoja për krijimin e mekanizmave institucionalë që do të mundësonin një qasje të qëndrueshme dhe të strukturuar për përfshirjen e diasporës në proceset zhvillimore dhe ekonomike të qytetit. Ministria e Diasporës njoftoi gjithashtu nisjen e kanaleve të reja të komunikimit institucional me qëllim lehtësimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit me diasporën.
Në vijim, pritet që konkluzionet e forumit të përkthehen në masa konkrete që do të rrisin bashkëpunimin ekonomik, do të tërheqin investime dhe do të fuqizojnë më tej lidhjen e diasporës me vendlindjen.
D. Teliqi
