Ulpiana – Pompei i Dardanisë

Ulpiana nuk është thjesht një vend arkeologjik - është një udhëtim në kohë, një lidhje e gjallë mes Dardanisë antike, Perandorisë Bizantine dhe Kosovës së sotme. Është një trashëgimi evropiane që fton çdo kureshtar të zbulojë sekretet e saj

Sami Flamuri

Shtatori në Ulqin të dhuron një qetësi të veçantë. Tollovia e verës ka zbehur vrullin dhe moti i ëmbël të fton të shijosh plazhin pa zhurmën e gushtit. Por një telefonatë nga kumbara im, Gazmend Çitaku, e ndryshoi rrjedhën e ditës sime.
“Bëhu gati, Prishtina na pret me lezet!”
Si mund t’i thoja jo?! Siç thoshte nënëdaja ime e ndjerë, “Rruga vade s’ka!” Dhe unë, një profan i kësaj bote, s’kisha si ta kundërshtoja këtë thirrje për aventurë.
Mëngjesi i së hënës, 22 shtator 2025, na gjeti bashkë me Indritin, djalin e Gazmendit, në rrugë për Dardaninë antike.
“Ka ca befasi”, shfajësohet Gazmendi me një buzëqeshje misterioze. “Do të vizitojmë Ulpianën antike, dhe pse jo, të shijojmë edhe magjinë mesjetare të Kështjellës së Artanës, të njohur dikur nga venedikasit si Nuovo Monte, që sllavët e përkthyen në Novo Brdo”.
Udha na priti me shenja të mira. Diku mes Muriqanit dhe Shkodrës, një tufë kuajsh të sapozgjuar na preu rrugën, duke na ngritur adrenalinën dhe duke na dhuruar një copëz magjie të papritur.
Prishtina, me posterat e zhurmshëm të zgjedhjeve lokale, na priti si një kolazh i lodhshëm, por ne kishim një destinacion më të lartë. Sipas Google Maps, Parku Arkeologjik i Ulpianës ndodhet vetëm 12 km larg qendrës së Prishtinës. Rruga kalon përmes Graçanicës, një vendbanim serb, dhe çuditërisht, rruga kryesore mban emrin Vozhdi Karagjorgjeviq.
Mes monumentit të Millosh Obiliqit dhe fushave me misër, ndjenja se po i afrohesh një toke me histori të jashtëzakonshme bëhet gjithnjë e më e fortë.
Teksa hyjmë në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, një zë nga larg më drejtohet:
“Jeni shqiptarë?!”
“Po!” – i përgjigjem.
“Ju gjejmë një ciceron për t’ju treguar për Ulpianën!”
Ciceronët tanë, Atdhe Prelvukaj dhe Ismail Gagica, na prezantohen me entuziazëm, duke na rrëfyer se është dita e tyre e parë si udhërrëfyes. Atdheu, me fizikun e një malësori nga Martinajt e Gucisë, dhe Ismaili, me pasionin për historinë, na çojnë në një udhëtim magjepsës nëpër shekuj. Gazmendi, me pyetjet e tij të mprehta, fillon të gërvishtë sipërfaqen e historisë, duke zbuluar lashtësinë e kombit tonë dhe duke thyer paragjykimet e propagandës serbe rreth kishave të krishtera në këto troje.
Mozaiku i sapozbuluar bëhet kryefjala e vizitës sonë.
Mbi kokat tona, tri shqiponja fluturojnë në qiellin e kthjellët, sikur të na japin bekimin e mikpritjes shqiptare nën diellin përvëlues të Dardanisë.
Atdheu, me durimin dhe pasionin e tij, na shpalos historinë e Ulpianës dhe mozaikun e rrallë që i kushtohet perandorit Justinian I dhe perandoreshës Teodora.
Mbetemi pa fjalë: bazilika episkopale, me madhështinë e saj, të lë të imagjinosh hapat e Justinianit dhe perandorit tjetër romak, Trajanit, që dikur ecën në këto toka. Ne, sot, po shkelim të njëjtën tokë!
Vizita, që menduam se do të zgjaste vetëm 15 minuta, u shndërrua në dy orë kënaqësi shpirtërore.
Për studenten Tringa Bërbatovci, e cila po specializohet në Francë si pjesë e këtij projekti, pajisjet si radari gjeofizik i financuar nga BE-ja kanë revolucionarizuar punën e arkeologëve.
Gazmendi interesohet për teknologjinë dhe shpreh mirënjohjen që shqiptarët janë tashmë pjesë e një shkolle prestigjioze si École Normale Supérieure në Paris.
Ulpiana, një qytet romak dhe bizantin që lulëzoi nga shekulli i parë deri në të gjashtin, u shkatërrua nga një tërmet rreth vitit 518, por u ringjall nga Justiniani I, i lindur pikërisht në këtë rajon.
Zbulimet e fundit, si mbishkrimi që shënon themelimin e Iustiniana Secunda dhe mozaiku i rrallë kushtuar Justinianit dhe Teodorës, e bëjnë Ulpianën një dritare unike drejt historisë.
Sipas profesorit Christophe Goddard, i cili drejton Misionin Arkeologjik Evropian në Kosovë, këto gjetje janë më shumë se mbishkrime – ato janë faqe të reja të historisë. Mozaiku, i ndërtuar mes shtatorit dhe dhjetorit të vitit 545, është një dëshmi e rrallë e lidhjes së Dardanisë me Perandorinë Bizantine.
Kur erdhi koha të ndaheshim, shkëmbyem dhurata si shenjë mirënjohjeje. Unë i dhurova Atdheut dhe Ismailit librin tim të fundit “Prej Dulcigno në Dinoshë”, ndërsa Gazmendi u dhuroi librin “Busulla e Artë”. Lamtumira nuk ishte fund, por një “Mirë u pafshim!” – një premtim për t’u kthyer.
Ulpiana nuk është thjesht një vend arkeologjik – është një udhëtim në kohë, një lidhje e gjallë mes Dardanisë antike, Perandorisë Bizantine dhe Kosovës së sotme. Është një trashëgimi evropiane që fton çdo kureshtar të zbulojë sekretet e saj.
A je gati të shkelësh tokën ku eci Justiniani I? Ulpiana të pret!

Të fundit

më të lexuarat