Guci – Në ambientin e sallës për seanca, takime, tubime dhe manifestime publike të Komunës së Gucisë, të premten më 25 tetor 2024, u mbajt seanca konstituive e Kuvendit të Komunës së Gucisë në mandatin e ri katërvjeçar, të cilën e ftoi kryetari i deritashëm i KK-së, Bujar Hasangjekaj, për trajtim dhe shqyrtim të së cilës propozoi rendin e ditës prej dy pikash: 1. Verifikimi i mandateve të këshilltarëve – Raporti i Komisionit komunal zgjedhor mbi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të rregullta lokale në Komunën e Gucisë dhe 2. Propozim vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Komunës.
Konform Statutit dhe parimeve ligjore, nderi për ta udhëhequr (drejtuar) punën e seancës i takoi këshilltarit më të moshuar të Kuvendit të ri, Musë Goçaj, nga radhët e Koalicionit “Bashkë për Gucinë” – Forumi shqiptar – UDSH.
Pas intonimit të himnit të shtetit të Malit të Zi, raportin mbi rezultatet e zgjedhjeve përfundimtare lokale në Komunën e Gucisë të mbajtura më 15 shtator 2024, në mënyrë analitike, koncize dhe kronologjike e parashtroi kryetari i Këshillit Komunal Zgjedhor, Sanid Rexhepagiq.
Gjatë elaborimit të rezultateve, kryetari i KKZ-së të pranishmit i njoftoi se në zgjedhjet lokale në fjalë për zgjedhje të 30 këshilltarëve sa do të numërojë Kuvendi i Komunës së Gucisë edhe në mandatin e ri katërvjeçar garuan pesë lista zgjedhore në 10 vendvotime (dy koalicione, dy subjekte të pavarura politike dhe një grup qytetarësh). Prej 4.618 qytetarëve (votuesve) te moshës madhore që janë gjendur në regjistrat e 10 vendvotimeve, të drejtën e vet ligjore e kanë shfrytëzuar 2.128 votues dhe se 2.113 fletëvotime kanë qenë të vlefshme dhe 15 sosh të pavlefshme.
Në vazhdimin e elaborimit të vet, kryetari Rexhepagiq ka konfirmuar se në bazë të rezultateve të votimit në të gjitha vendvotimet në Komunën e Gucisë, Komisioni Komunal Zgjedhor ka konstatuar se listat zgjedhore veç, e veç kanë fituar këtë numër votash dhe mandate këshilltarësh:
- Grupi i zgjedhësve “Lëvizja për Gucinë”, 157 vota – 2 mandate këshilltarësh,
- Koalicioni “Bashkë për Gucinë” (Forumi shqiptar-UDSH), 494 vota – 7 mandate këshilltarësh,
- “Demokratë, sepse ruajmë vendin tonë” – Alleksa Beçiq – Mali i Zi demokratik, 110 vota – 1 mandat këshilltari,
- PDS “Gucia mundet më mirë” – Demir Bajroviq, 435 vota – 6 mandate këshilltarësh, dhe
- Koalicioni “Me zemër për Gucinë” (PB-SD-PSD), 917 vota – 14 mandate këshilltarësh.
Me raportimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale në fjalë, njëherazi u bë edhe verifikimi i mandateve të 30 këshilltarëve sa do të ketë Kuvendi i Komunës edhe në mandatin e ri katërvjeçar dhe njëkohësisht u bë edhe konstituimi i Kuvendit.
Në vazhdimin e punës së seancës sipas rendit të ditës, në propozim të këshilltarit të koalicionit “Me zemër për Gucinë” (PB-SD-PSD), Irfan Dervisheviq, kryetar i ri i Kuvendit të Komunës së Gucisë me votim të hapur me 23 vota “për” të 14 këshilltarëve të koalicionit “Me zemër për Gucinë”, 6 vota të këshilltarëve të PDS-së, 2 vota të këshilltarëve të Grupit votues “Lëvizja për Gucinë” dhe 1 votë të këshilltares së subjektit politik Demokratët e Malit të Zi dhe 7 vota “të përmbajtura” të koalicionit “Bashkë për Gucinë” (Forumi shqiptar-UDSH), u zgjodh magjistri i shkencave politike, 34-vjeçari nga Gucia, Edvin Bektesheviq, i cili në seancë dha “betimin solemn”, kur edhe përfundoi punën seanca konstituive.
Në fund të kësaj informate, konfirmoj se në negociatën që kohë më parë zhvilloi koalicioni “Me zemër për Gucinë” (PB-SD-PSD) me Grupin e votuesve “Lëvizja për Gucinë”, u arrit marrëveshja e nënshkruar me shkrim për formimin e pushtetit (qeverisjes) lokale në mandatin e ri katërvjeçar me shumicë mandatesh (gjithsej 16 sish), ndërsa në opozitë do të qëndrojnë këshilltarët e koalicionit “Bashkë për Gucinë” (Forumi shqiptar-UDSH) (7 këshilltarë), PDS “Gucia mundet më mirë” (6 këshilltarë) dhe Demokratët e Malit të Zi (1 këshilltare).
Kryetari i Komunës së Gucisë në radhën e seancës së Kuvendit do të zgjidhet nga radhët e Partisë Boshnjake e cila i përket koalicionit parazgjedhor “Me zemër për Gucinë”. - Shaban Hasangjekaj