Me seancën solemne, më 5 gusht u mbajt manifestimi – akademia solemne e Ditës së Komunës të Gucisë.
Seancën solemne e hapi kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj, i cili në fjalën e rastit u shpreh në të dy gjuhët (shqipe dhe malazeze): “Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Kuvendit të Komunës së Gucisë dhe në emrin tim personal, t’ju dëshiroj mirëseardhje dhe t’ju falënderoj që me prezencën tuaj keni nderuar këtë seancë solemne, me rastin e shënimit të Ditës së Komunës, në të cilën nuk kemi thirrur mysafirë nga jashtë, sepse kemi respektuar masat e marra nga Trupi Nacional Koordinues për sëmundjeve infektive, që të mos rrezikojmë shëndetin e qytetarëve dhe të pranishmëve”.
Kryetari Hasangjekaj në vazhdim shtoi se “5 Gushti është ditë e rëndësishme për komunën tonë, komunën e cila është ndër më të rejat dhe më të voglat në Mal të Zi, por me një potencial të madh për zhvillim, e në veçanti për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë. Ne si kuvend i një komune relativisht të re, bashkë me kryetaren e komunës kemi marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, në një periudhë relativisht të shkurtër kohore dhe me këtë kemi krijuar të gjitha kushtet për funksionimin e qeverisjes lokale që të jemi në të njëjtin nivel me komunat e tjera sa u përket aktiviteteve ligjore”.
“Siç e dini, vitin e kaluar nuk kemi mbajtur seancë solemne të Kuvendit të Komunës së Gucisë për shkak të pandemisë së koronavirusit i cili preku gjithë botën, përfshirë edhe ne, ashtu që kjo është seanca e dytë solemne e Kuvendit të Komunës së Gucisë që nga formimi i tij”, theksoi kryetari Hasangjekaj.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj, falënderoi të gjithë ata që në mënyra të ndryshme ndihmuan Komunën e Gucisë, e në veçanti falënderoi Diasporën guciane, e cila gjithmonë ka qenë e gatshme të mbështesë dhe ndihmojë bashkëvendësit e vet përmes formave të ndryshme kontribuese. Ai në fund nuk ngurroi për të thënë se Komuna e Gucisë njihet për harmoninë dhe bashkëjetesën e saj shumë etnike me çka shquhet dhe veçohet në Mal të Zi dhe më gjerë.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, në fjalën e vet të rastit, ka theksuar se Komuna e Gucisë më 5 gusht shënon dhe manifeston ditën e vet, ditën kur njësitë e Brigadës së Pestë Proletare Malazeze kanë çliruar Gucinë. Antifashizmi dhe lufta antifashiste si një ndër vlerat më të mëdha civilizuese, synimet e vazhdueshme për liri, drejtësi dhe nder, lufta kundër të gjitha forcave të të keqes dhe të nderit të njeriut, dhe janë të qëndisura thellësisht dhe pashkëputshëm në qenien e popullatës së kësaj treve.
Në elaborimin e vet konciz dhe konstruktiv, kryetarja e Komunës, Anella Çekiq, konfirmoi se “në mes dy ditëve të komunës, kemi punuar në avancimin e kushteve të jetesës në komunën tonë, para së gjithash në fushën e infrastrukturës komunale dhe të furnizimit me ujë.
Aktivitetet lidhur me kryerjen e punëve në objektet ndërtimore, si dhe ato lidhur me përgatitjen dhe hartimin e dokumentacionit projektues në këtë periudhë kanë qenë të shumta dhe shumë përfshirëse. Janë realizuar një vistër programesh të rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse infrastrukturore.
Presim fillimin e shpejtë të punëve në ndërtimin – rekonstruktimin e rrugës rajonale Guci – Krushevë – Plavë. Në veçanti vlen të ceket hartimi i elaboratit mbi shpronësimin në projektin e rregullimit të shtratit të Lumit Grnçar, projekt ky kapital me vlerë 6.8 milion euro” ka theksuar kryetarja Çekiq.
Ajo është e brengosur me faktin se shumë projekte të rëndësishme për zhvillim dhe zgjidhje të shumë problemeve infrastrukturore, nuk janë përfshirë në Buxhetin kapital të Malit të Zi. Ajo ka bërë me dije se Komuna e Gucisë me sukses realizon bashkëpunimin ndërkombëtar me shumë organizata dhe institucione dhe aktivisht merr pjesë në ftesat e publikuara për bashkëpunim në projekte të caktuara në fushat e ndryshme.
Në elaborimin e vet, kryetarja Çekiq, po ashtu ka konfirmuar se është arritur bashkëpunimi i mirë me institucionet ndërkombëtare. Edhe Diaspora ka dhënë kontributin e vet në zhvillimin e Gucisë. Shoqatat dhe individët përmes ndihmave financiare për projektet e ndryshme, ndihma humanitare, mbështetje financiare e organizuese, manifestime të ndryshme kulturore e sportive, i japin vulë të pashlyer zhvillimit të Gucisë.
Epidemia e shkaktuar me virusin Kovid-19 e ka goditur Komunën e Gucisë. Shumë qytetarë kanë qenë të infektuar, për fat të keq ka pasur raste vdekjeje. Pandemia në masë të madhe ka ngadalësuar zhvillimin ekonomik të komunës.
Qeverisja lokale në harmoni me mundësitë e veta dhe me ndihmë e bashkëpunim me shoqata e individë të Diasporës, Kryqit të Kuq dhe Ministrisë së Ekonomisë përmes donacioneve të tyre, kanë ndihmuar banorët e komunës që sa më lehtë të kapërcejnë këtë pandemi.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, ka theksuar se potencialet për zhvillim të turizmit dhe bujqësisë janë të mëdha. Në kuadër të mundësive vetjake bëhet financimi i zhvillimit të sportit dhe kulturës. Është hartuar dhe miratuar plani strategjik i zhvillimit të komunës. Së shpejti pritet miratimi i planit urbanistik hapësinor.
Në fund të elaborimit të vet, kryetarja Çekiq ka theksuar se me ndjenjë të veçantë kënaqësie bën me dije se para dy ditësh është bërë hapja e kalimit kufitar Cem i Trieshit – Grabom, me çka është plotësuar ëndrra e kahmotshme e gucianëve, i cili padyshim do t’i kontribuojë zhvillimit të komunës, e para së gjithash zhvillimit të turizmit. Gucia me këtë bëhet udhëkryq i rrugëve të rëndësishme për zhvillimin e saj.
Në programin e seancës solemne të shënimit të Ditës së Komunës së Gucisë kanë marrë pjesë kori i grupit muzikor nga Berana “O Dive Bellcanto” dhe vashëza këngëtare vuthjane, Ardena Gjonbalaj.
Gjatë punës së seancës është shfaqur filmi dokumentar “Gusinje Moje” (Gucia ime).
Për ditën e Komunës së Gucisë mesazhe urimi kryetares së komunës, Anella Çekiq, kryetarit të Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj, këshilltarëve dhe qytetarëve, u kanë dërguar presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kreparlamentari, Aleksa Beçiq, dhe kryetari i Qeverisë, Zdravko Krivokapiq.
Shaban Hasangjekaj
