Plavë/Guci – 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar shqiptar, festa e bashkimit, qëndresës dhe unitetit mbarëkombëtar, këtë vit në komunat e Plavës dhe Gucisë u shënua me një varg aktivitetesh solemne, ca prej të cilave u organizuan dhe u mbajtën pak ditë para ditës së Festës së Flamurit.
Shënimi i kësaj dite madhore të historive mbarëkombëtare shqiptare filloi të premten, më 21 nëntor 2025, me një manifestim të organizuar nga Shoqata “Alpet Shqiptare”, e mbështetur nga SHKA vendase “Маja e Karanfilit”, me programin e begatë dhe të larmishëm kulturor, artistik e muzikor, të shfaqur në orët e para të pasdrekës në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë në Guci. Programi me këngë e valle burimore autoktone shqiptare dhe me recitime e recitale kushtuar festës u shfaq në praninë e një numri të konsiderueshëm pjesëmarrësish nga Gucia e Plava dhe vendbanimet rurale me popullatë shqiptare në rrethinat e tyre.
Manifestimi për nder të Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë vazhdoi të enjten, më 27 nëntor 2025, ku nën patronatin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, në krye me nënkryetarin e KKSH-së, prof. Fadil Ulaj, dhe në koordinim me zyrën e KKSH-së për Plavë e Guci, në krye me koordinatorin e zyrës në Plavë, Frashër Selimaj, në orët e mesditës, në ambientin e oborrit të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë janë tubuar qindra nxënës të dy shkollave fillore: “Hajro Shahmanoviq” – Plavë e “Xhafer Nikoçeviq” – Guci dhe të Shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, si dhe qytetarë të moshave të ndryshme nga të dy qendrat komunale dhe rrethinat e tyre rurale. Me transparente festive, kryesisht me dhjetëra flamuj kuqezi në dorë, ku pos shqiptarëve kishte pjesëmarrës dhe të kombësisë boshnjake, me ç’rast të gjithë pjesëmarrësve zyra e KKSH-së ua ndau nga një flamur të vogël kuqezi dhe nga një plis me simbolin e shkabës dykrenore, si dhe të veshur me rroba kombëtare shqiptare parakaluan rrugën deri në ambientin e sheshit të qytetit, në nënqiellin e hapur, mu pranë ndërtesës së Shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq”. Programi i manifestimit të begatë e larmishëm vazhdoi me këngë, valle, recitime, urime dhe dolli të ndërsjella të të pranishmëve, i cili zgjati rreth një orë e gjysmë.
Manifestimet në Guci dhe Plavë filluan me intonimin e himnit kombëtar shqiptar.
Në mbrëmjen e të po së njëjtës ditë (27 nëntor 2025), vazhdoi manifestimi me vendosjen e flamujve kuq e zi në ballkonet dhe çatitë e shumë shtëpive familjare shqiptare në vendbanimet rurale në të dy komunat, në ato të qyteteve të Plavës e Gucisë, në objektet e disa institucioneve dhe ndërmarrjeve të tyre.
Dita e Flamurit Kombëtar u shënua edhe në shkollat fillore “Hajro Shahmanoviq” të Plavës e “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë dhe në Shkollën e mesme të përzier “Beqo Bashiq” të Plavës, në të cilat mësimdhënësit e historisë nxënësve u mbajtën ligjërata kushtuar Ditës së Flamurit Kombëtar, ndërsa ata të gjuhës dhe letërsisë shqipe organizuan me nxënës dhe mbajtën recitime kushtuar kësaj feste.
Një aktivitet tjetër për nder të 28 Nëntorit u organizua të premten, kur në orët e paradrekës rinia plavo-guciane (djem e vasha), me ca dhjetëra automjete të stolisur me flamuj kuqezi marshuan përgjatë rrugës magjistrale (rajonale) Plavë-Guci-Plavë, me ç’rast me të arritur në sheshet e të dy qyteteve interpretuan këngë e valle kushtuar festës madhore – Ditës së Flamurit.
Në orët e mbrëmjes së ditës së premte (28 nëntor 2025), të rinjtë plavo-gucianë, të shoqëruar me të moshuar, ca çaste solemne i kanë kaluar në lokalet e disa objekteve hoteliere të Plavës e Gucisë, duke i shprehur njëri-tjetrit urime dhe dolli për festën madhore.
Festa e 28 Nëntorit për shqiptarët është një ditë kur përkujtohen data të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Kjo është dita kur më 28 nëntor të vitit 1443, në Krujën legjendare trimi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin kuqezi, të qëndisur nga vashëza artizanale Marigona; më 28 Nëntor të vitit 1912, kur në Vlorën heroike plaku legjendar Ismail Qemal Beu me patriotë të tjerë kombëtarë shqiptarë ngriti flamurin kuqezi me shkabën dykrenore, me ç’rast shteti amë Shqipëria u shpall shtet i pavarur dhe sovran; shënimi i ditëlindjes së 70-të të komandantit legjendar Adem Jashari nga Prekazi heroik i Kosovës.
Sh. Hasangjekaj
