Guci – Në seancën e tretë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, të mbajtur të enjten më 13 tetor 2022, në sallën për seanca, takime, tubime dhe aktivitete të tjera publike, në të cilën ishin të pranishëm 23 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi, për punën e të cilës ishin të propozuara vetëm tri pika të rendit të ditës, u shqyrtuan dhe u miratuan propozim-vendimet për rikonstrukstimin e dy rrugëve lokale në territorin e Komunës së Gucisë, Guci-Vuthaj dhe Guci-Grebajë.
Në fillim të seancës të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, pa vërejtje, njëzëri u miratua procesverbali nga seanca e dytë e rregullt e Kuvendit të Komunës, e mbajtur më 30 qershor 2022 dhe rendi i propozuar i ditës pa ndryshime dhe plotësime, po ashtu njëzëri.
Seanca filloi punën me shqyrtimin e pikës së parë të rendit të ditës – propozim-vendimin mbi përcaktimin e interesit publik për shpronësimin e pronës së patundshme me qëllim të rikonstruktimit të rrugës lokale Guci-Vuthaj, në KK (komuna kadastrale) Vuthaj, të cilën e parashtroi dhe e argumentoi në mënyrë analitike dhe koncize sekretarja e Sekretariatit për planifikim të hapësirës, pasurisë dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor, zonja Havaja Prelvukaj, e cila në mënyrë konstruktive foli për projektin e kësaj rruge të rëndësishme lokale për fshatin Vuthaj e cila atë e lidhë me qendrën komunale dhe më gjerë. Me këtë rast në emër të vetin dhe të Komunës së Gucisë falënderoi të gjithë vuthjanët të cilët hoqën dorë nga kompensimi i sipërfaqeve të pronave të tyre të cilat do të shfrytëzohen për punët ndërtimore të aksit rrugor në fjalë, ndërsa u.d. i drejtorit të Drejtorisë për rregullim të hapësirës dhe investimeve, zotriu Shemso Jaroviq, të pranishmit në seancë i njoftoi se Drejtoria për projekte kapitale e Malit të Zi, më 22 shtator të këtij vitin ka shpallur tenderin për zgjedhjen e kryerësit të punëve në rikonstruktimin e rrugës lokale në fjalë, i cili do të jetë i hapur deri më 31 tetor 2022, vlera përllogaritëse e kryerjes së punëve të saj është 850 mijë euro. Propozim-vendimi në fjalë u miratua njëzëri nga këshilltarët e pranishëm.
Edhe propozim-vendimi mbi përcaktimin e interesit publik për shpronësimin e pronës së patundshme me qëllim të rikonstruktimit të rrugës lokale Guci-Grebajë, në KK Doli (pika e dytë e rendit të ditës), po ashtu e parashtroi dhe e argumentoi zonja Havaja Prelvukaj, e cila të pranishmit në seancë i njoftoi se për rikonstruktiminin e kësaj rruge lokale është hartuar projekti i punës ndërtimore dhe elaborati për shpronësimin e pronave të patundshme me të cilin do të njoftohen pronarët që do t’u merret sipërfaqe e caktuar nga pronat e tyre të patundshme. Pritet që projektin e rrugës në fjalë ta financojë Ministria e Investimeve Kapitale e Mali të Zi. Propozim-vendimi u miratua më 22 vota “për” dhe një “të përmbajtur”. Ndonëse për pikën e tretë të rendit të ditës – pyetjet dhe përgjigjet e këshilltarëve, nuk pati këshilltarë të paraqitur, seanca përfundoi punën në kohëzgjatje prej vetëm 10 minutash dhe konsiderohet seanca më ekspeditive e Kuvendit të Komunës së Gucisë që nga themelimi i saj në vitin 2014.
Shaban Hasangjekaj