U miratuan një vistër propozim vendimesh, raportesh dhe informatash

Plavë – Në seancën e parë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës për vitin 2024, mbajtur të enjten më 28 mars 2024, në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, në të cilën ishin të pranishëm 27 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozim vendimesh, raportesh, informatash e planesh dhe programesh, të cilat temë trajtimi dhe shqyrtimi kishin aktivitetet dhe veprimtaritë e punës së organeve të qeverisjes lokale dhe të institucioneve dhe organizatave publike që funksionojnë në kuadër të Komunës.
Para fillimit të punës së seancës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Allen Balliq, këshilltarët pa vërejtje njëzëri miratuan procesverbalin nga seanca e gjashtë e rregullt e Kuvendit, e mbajtur më 27 dhjetor 2023.
Rendi i propozuar i ditës prej 22 pikash, i propozuar dhe prezantuar nga kryetari i Kuvendit Balliq, po ashtu u miratua me 22 vota “për” dhe 5 “të përmbajtur” të këshilltarëve të pranishëm, pa ndryshime dhe plotësime.
Puna e seancës sipas rendit të miratuar të ditës, fillo me shqyrtimin e raportit mbi punën e kryetarit të Komunës së Plavës, organeve të administratës lokale dhe shërbimeve për vitin 2023, të cilën në mënyrë koncize, analitike dhe kronologjike e prezantoi dhe e argumentoi me të dhëna të bollshme të shprehura me shifra dhe fjalë, kryetari i Komunës, Nihad Canoviq, i cili përmes elaborimit disaminutësh, të pranishmit në seancë i njoftoi me punën e tij dhe të organeve e shërbimeve të qeverisjes lokale në vitin paraprak 2023, me ç’rast, siç u shpreh ai, vërtetë janë shënuar rezultate të lakmueshme.
Në trajtimin dhe shqyrtimin e raportit mbi punën e kryetarit të Komunës dhe të organeve e shërbimeve të qeverisjes lokale diskutuan këshilltarët Amilla Pupoviq dhe Ervin Kandiq, të cilët në elaborimet e veta koncize kryesisht shprehën lëvdata, por edhe vërejtje dhe sugjerime në koncipimin e raportit në fjalë, të cilin më pas këshilltarët e pranishëm me votim të hapur e miratuan me nga 22 vota “për dhe 5 “të përmbajtur”.
Gjatë punës së mëtejme të seancës sipas rendit të miratuar të ditës, këshilltarët me dhe pa pjesëmarrje në debat (diskutim), njëzëri ose me shumicë votash “për”, shqyrtuan e pastaj edhe i miratuan edhe propozim vendimet, raportet, informatat dhe planet e programet e përfshira në rendin e ditës, të cilat i prezantuan dhe i argumentuan përpunuesit-menaxhuesit e tyre në periudhën kohore prej rreth pesë orësh sa zgjati puna e seancës: Propozim vendimin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në marrëveshje për bashkëpunim të përbashkët (aneks marrëveshje), të cilin e parashtroi dhe e argumentoi kryetari i Komunës, Nihad Canoviq, propozim vendimin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit mbi ndërtimin e objekteve lokale në interes të përbashkët, të cilin e prezantoi sekretari i Komunës, Hamid Mehmedoviq, propozim vendimin mbi vërtetimin e vendimit të kryetarit të Komunës mbi përcaktimin e lartësisë së shpenzimeve të përcjelljes në pension të nëpunësve dhe të punësuarve të tjerë të Komunës së Plavës, të cilin e prezantoi kryetari i komunës Nihad Canoviq, propozimin e programit të masave për nxitjen e zhvillimit të bujqësisë për vitin 2024, të cilin e argumentoi sekretari i Sekretariatit për Ekonomi, Zhvillim dhe Financa, Sullejman Deshiq, propozimin e Planit aksionar lokal për të rinj për vitin 2024, të cilin e prezantoi sekretari i Komunës Fikret Canoviq, propozim vendimin mbi ndryshimet dhe plotësimet e vendimit mbi caktimin e kompensimeve për punë të këshilltarëve dhe personave të tjerë të cilët i zgjedhë dhe emëron Kuvendi i Komunës së Plavës, të cilin e argumentoi kryetari i Kuvendit Allen Balliq dhe propozimin e Planit lokal të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve për Komunën e Plavës për periudhën kohore 2024-2028, të cilin e prezantoi dhe e argumentoi drejtori ekzekutiv Sadam Shaboviq.
Gjatë punës së seancës, këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan edhe Raportin e Kuvendit të Komunës së Plavës për vitin 2023, të cilin e argumentoi sekretari i Kuvendit te Komunës, Rijad Markishiq, Raportin mbi Punën e SHPK-së “Veprimtaritë komunale” në Plavë, të cilin e parashtroi drejtori ekzekutiv Skender Balliq, raportin mbi punën e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë me raportin financiar për vitin 2023, të cilin e parashtroi menaxhuesi i veprimtarive kulturore e artistike Alija-Alo Rexhematoviq, raportin mbi punën e Qendrës ditore për fëmijë dhe rini me pengesa në zhvillim me raportin financiar për vitin 2023, të cilin e paraqiti dhe e argumentoi drejtori Jasmin Jevriq, raportin mbi punën e Organizatës turistike në Plavë me raportin financiar për vitin 2023, të cilin e argumentoi drejtori Elldin Feratoviq, raportin mbi gjendjen e rregullimit hapësinor për vitin 2023, të cilin e parashtroi sekretari Hamid Mehmedoviq, raportet në fjalë me dhe pa pjesëmarrje të këshilltarëve në debat u miratuan kryesisht me shumicë votash “për”.
Këshilltarët në seancë, po ashtu u njoftuan me informatat e punës së institucioneve shëndetësore që punojnë dhe veprojnë në Komunën e Plavës: me informatën mbi gjendjen e rrjetit elektrodistributiv në territorin e Komunës së Plavës për vitin 2023, të cilën e prezantoi i autorizuari Boris Turkoviq, informatën mbi gjendjen e sigurimit në territorin e Komunës së Plavës për vitin 2023, të cilën e prezantoi dhe argumentoi shefi i njësitit të MPB në Plav Mehmed Kollashinac, informatën mbi punën e Shtëpisë së shëndetit “Dr. Branko Zogoviq” në Plavë për vitin 2023, të cilën e parashtroi dhe argumentoi drejtori Dr. Armen Pejçinoviq.
Në pikën e fundit të rendit të ditës së seancës, këshilltarët Minella Markishiq dhe Boris Turkoviq, parashtruan nga një pyetje, në të cilat drejtpërdrejt u përgjigj kryetari i Komunës Nihad Canoviq.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat