Guci – Në seancën e dytë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, e mbajtur të premten, në sallën e komunës, janë shqyrtuar dhe miratuar një varg propozim vendimesh, të organeve të qeverisjes lokale, dhe organizatave dhe institucioneve publike, që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Gucisë, por edhe jashtë varësisë së saj.
Pas hapjes së seancës nga kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, u verifikua mandati i këshilltarit të ri, Suad Gjurkoviq, nga Lista zgjedhore Socialdemokratët e Malit të Zi “Socialdemokratët Ivan Brajoviq – Ne me konsekuencë vendosim për Gucinë”, në vend të këshilltarit të po këtij subjekti politik, Admir Mullamekiq, i cili pas sëmundjes së rëndë disa mujore, më 14 maj 2021 vdiq në një spital të Turqisë ku ishte i shtrirë për kurim. Pas evokimit të portretit të tij jetësor nga kolegu partiak Xhenadin Radonçiq, të ndjerin Mullamekiq të pranishmit në seancë e nderuan me një minutë heshtje.
Në vazhdim u miratua njëzëri pa vërejtje të këshilltarëve procesverbali nga seanca e parë e rregullt e Kuvendit, e mbajtur më 19 prill 2021, dhe rendi i ditës prej tetë pikash siç ishte i propozuar, pa plotësime dhe ndryshime.
Seanca filloi punën sipas renditjes së pikave të propozuara të rendit të ditës me propozimin e vendimit mbi ndryshimet dhe plotësime e Statutit të Komunës së Gucisë, e cila ishte pika e parë për shqyrtim, por edhe qendrore e rendit të ditës, materialin rreth të cilës e prezantoi dhe e argumentoi këshilltarja Medina Radonçiq. Pas debatimit të dy këshilltarëve të opozitës, dr. Ellvis Omeragiq (PSD) dhe Irfan Dervisheviq (Socialdemokratët e Malit të Zi), propozim vendimi në fjalë u miratua me 18 vota.
Me shumicë votash “Për” dhe “Njëzëri” të këshilltarëve me votim të hapur – me aklamacion, pas shqyrtimeve analitike dhe konstruktive, u miratuan edhe propozim vendimet: mbi shumën, mënyrën e përllogaritjes dhe pagesës së kontributit të anëtarësisë për Organizatën turistike të Gucisë; mbi tarifën për pajisje komunale të tokës ndërtimore; mbi kompensimin për sanimin urban të Komunës së Gucisë dhe mbi shumën e kompensimit për punën e ekspertëve të shquar dhe profesionistëve në komisionin për verifikimin e kompetencave, njohurive e aftësive dhe komisionin për verifikimin e njohurive, aftësive dhe kompetencave.
Në propozim të kryetarit të Komisionit për zgjedhje dhe emërime, Naser Radonçiq, për anëtar të Komisionit për çështje komunale, banesore, mbrojtjen e mjedisit, zhvillim, ekonomi dhe financa, njëzëri u zgjodh këshilltari i Socialdemokratëve, Suad Gjurkoviq, të cilit, siç u theksua më lart, në seancën e sotme iu verifikua mandati i këshilltarit të ri.
Pas debateve të këshilltarëve të pozitës dhe opozitës, propozim vendimi mbi themelimin e klubit futbollistik të të rinjve “Gusinje” në Guci edhe të anëtarëve të organeve dhe udhëheqësisë së tij, u miratua me 18 vota.
Në fund të punës së seancës, disa këshilltarë parashtruan pyetje, të cilët përgjigjet me shkrim i kërkuan nga organet kompetente të komunës.
Sh. Hasangjekaj
