Plavë – Në seancën e parë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës për vitin 2025, mbajtur të premten më 28 mars 2025, në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, ku të pranishëm ishin 28 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan një varg propozim vendimesh, raportesh, informatash dhe programesh që kryesisht kanë të bëjnë me punën e organeve të qeverisjes lokale, institucioneve dhe organizatave publike të kësaj komune për vitin 2024.
Para fillimit të seancës, këshilltarët miratuan njëzëri procesverbalin nga seanca e pestë e rregullt, e mbajtur më 30 dhjetor 2024. Po ashtu njëzëri u miratua edhe rendi i ditës prej 15 pikash, i propozuar nga kryetari i Kuvendit, Allen Balliq, të cilit iu shtua edhe një pikë tjetër – Propozim vendimi mbi dhënien e pëlqimit Kuvendit të banorëve të ndërtesës banesore të ndërtuar në parcelën 2024.
Seanca filloi me shqyrtimin e Raportit të punës së kryetarit të Komunës së Plavës, organeve të administratës lokale dhe shërbimeve për vitin 2024. Lidhur me këtë, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq tha se gjatë vitit të kaluar vërtet janë shënuar rezultate të lakmueshme e impozante. Pas diskutimit mbi raportin, kryesisht të këshilltarëve të Partisë Boshnjake në opozitë, raporti i punës u miratua me 22 vota për, pesë këshilltarë votuan kundër, kurse dy ishin të përmbajtur.
Gjatë punës së mëtejme të seancës, këshilltarët miratuan njëzëri ose me shumicë votash edhe propozim vendimet, raportet, informatat dhe programet e përfshira në rendin e ditës. Kështu Kuvendi miratoi Propozimin e Programit të masave për nxitjen e zhvillimit të bujqësisë për vitin 2025, Propozim vendimin mbi këmbimin e patundshmërisë, Raportin e punës së SHPK “Veprimtaritë Komunale” – Plavë me raportin financiar për vitin 2024, Raportin e punës së Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” me raportin financiar për vitin 2024, Raportin e punës së Qendrës Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim “Lipa” me raportin financiar për vitin 2024, Raportin e punës dhe atë financiar të Organizatës Turistike – Plavë për vitin 2024, Raportin mbi gjendjen e rregullimit hapësinor për vitin 2024, Raportin e punës së Kuvendit të Komunës së Plavës për vitin 2024, Propozim vendimin e shfuqizimit të Vendimit mbi emërimin e Këshillit për Bashkëpunim të vetëqeverisjes lokale dhe organizatave joqeveritare të Komunës së Plavës. Këshilltarët u njoftuan edhe me Informatën mbi gjendjen e rrjetit të elektrodistribucionit dhe me Informatën mbi gjendjen e sigurisë në territorin e komunës së Plavës për vitin 2024. Ata shqyrtuan e pastaj edhe miratuan Raportin e punës së Shtëpisë së Shëndetit “Dr. Branko Zogoviq” në Plavë për vitin 2024, si dhe Vendimin për shkarkimin e anëtarit të Këshillit Drejtues të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, Admir Llalliçiq, dhe emërimin e anëtarit të ri Amell Radonçiq.
Interesim të posaçëm zgjoi Propozim vendimi mbi ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit për konfirmimin e interesit publik për shpronësimin e patundshmërisë për ndërtimin e rrugës së re. Edhe kjo pikë e rendit të ditës, e cila u prezantua nga kryetari i Komunës së Plavës, pas diskutimeve dhe shpalosjes së qëndrimeve të veta nga këshilltarët e opozitës, u miratua njëzëri nga 28 këshilltarët e pranishëm.
Në fund të seancës u shqyrtua dhe u miratua njëzëri edhe pika shtesë e rendit të ditës – Propozim Vendimi mbi dhënien e pëlqimit Kuvendit të banorëve të ndërtesës banesore të ndërtuar në parcelën 2024.
Sh. Hasangjekaj