Guci – Në seancën e tretë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, të mbajtur të hënën, janë shqyrtuar dhe miratuar një varg propozim vendimesh të organeve të qeverisjes lokale dhe të institucioneve publike që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Gucisë. Në seancë ishin të pranishëm 27 këshilltarë, prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi.
Në fillim të seancës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, pa vërejtje këshilltarët e pranishëm miratuan procesverbalin nga seanca e dytë e rregullt e Kuvendit, e mbajtur më 9 korrik 2021, dhe rendi i reduktuar (i ndryshuar) i ditës për një pikë më pak se ai i propozuar ngase përfaqësuesi i sekretariatit për planifikim hapësinor, pronë dhe mbrojtje të mjedisit jetësor, Enis Radonçiq, e tërhoqi pikën e parë – propozim vendimin për dhënien me qira të tokës me qëllim të ndërtimit të objekteve të përkohshme – park argëtues dhe park ujor.
Para fillimit të punës së seancës sipas rendit të miratuar të ditës, në paraqitjen procedurale, këshilltari i vetëm i Partisë Popullore Socialiste në opozitë, Lakiq Baboviq, në shenjë revolti që delegacioni i Komunës së Gucisë ka marrë pjesë në tubimin protestues me rastin e shugurimit të mitropolitit Joanikije në Cetinjë më 5 shtator, e braktisi seancën. Seanca filloi punën sipas renditjes së pikave të rendit të reduktuar të ditës (6 sosh), me propozim- vendimin për shitjen e pasurive të paluajtshme me marrëveshje të drejtpërdrejtë, e cila më parë nga këshilltari i Koalicionit “Shqiptarët Bashkë”, Ali Kukaj, u kërkua që të tërhiqet nga shqyrtimi, por në votimin me aklamacion mbeti për shqyrtim dhe u miratua me 15 vota “Për”, 5 “Kundër” dhe 3 “Të përmbajtur”. Pikën në fjalë e argumentoi përfaqësuesi i Sekretariatit për Planifikim Hapësinor, pronë dhe mbrojtje të mjedisit jetësor, Edin Radonçiq, dhe sekretarja e këtij Sekretariati, Havaja Prelvukaj.
Katër propozim-vendimet e tjera të rendit të ditës: Propozim vendimi për lirimin nga detyrimi për të paguar tarifën për pajisjet komunale të tokës; Propozim- vendimi për ndryshimin e Vendimit për dhënien e pëlqimit paraprak kryetares së Komunës së Gucisë, për blerjen e ndërtesës administrative me tokën që i përket Agro- kooperativës “Alo Hot” në Guci; Propozim- vendimin për dhënien e pëlqimit paraprak kryetares së Komunës së Gucisë, që të nënshkruajë kontratë për dhuratë me Agro kooperativën “Alo Hot” në Guci për ngastrën kadastrale nr. 96/9 dhe Propozim- vendimin për miratimin e Planit lokal të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve për Komunën e Gucisë për periudhën prej vitit 2021 deri në vitin 2025, me automatizëm u miratuan njëzëri ose me shumicë votash, kryesisht pa pjesëmarrje të këshilltarëve në debatimin shqyrtues, gjatë punës njëorëshe sa zgjati seanca.
Sh. Hasangjekaj