Guci – Në seancën e parë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë për vitin 2025, e mbajtur të premten, më 4 prill 2025, ku ishin të pranishëm 28 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan një vistër aktesh normative të punës së organeve të qeverisjes lokale, institucioneve dhe organizatave publike të kësaj komune.
Para fillimit të punës së seancës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Edvin Bektesheviq, u verifikua mandati i këshilltarit të ri, Haris Lluceviq nga lista zgjedhore e Partisë Boshnjake, në vend të këshilltarit në dorëheqje Kevin Mrkulliq për shkaqe personale.
Më pas, këshilltarët e pranishëm pa vërejtje dhe njëzëri miratuan procesverbalin nga seanca e tretë e rregullt e KK-së, e mbajtur më 30 dhjetor 2024, si dhe procesverbalin nga seanca e parë e jashtëzakonshme, e mbajtur më 6 mars 2025, pas vërejtjeve të ca këshilltarëve në opozitë, më 15 vota “për” dhe 13 “kundër”, dhe në vazhdim shqyrtuan dhe njëzëri miratuan rendin e propozuar të ditës prej 14 pikash, i cili pësoi ndryshime duke u plotësuar me dy pika shtesë: Propozim Vendimin për blerjen e patundshmërisë – parcela kadastrale 903 dhe Informatën mbi punën e Qendrës për Punë Sociale.
Këshilltarët e pranishëm në detyrën e sekretares së Kuvendit të Komunës emëruan juristen Anella Nikoçeviq, në mandat pesëvjeçar, e cila në konkursin e shpallur ishte kandidatja e vetme për këtë vend pune, që deri tani e kreu si ushtruese e detyrës. Emërimi i saj u mbështet me 24 vota “për” dhe pesë “kundër”.
Në punën maratonike të seancës, e cila zgjati mbi njëmbëdhjetë orë, me disa pauza të shkurtra dhe të gjata, u shqyrtuan dhe u miratuan disa informata të institucioneve dhe aktet tjera normative të punës së organeve të qeverisjes lokale, institucioneve e organizatave publike, kryesisht me pjesëmarrje të këshilltarëve në shqyrtimin e tyre, të miratuara njëzëri apo me shumicë votash “për”.
Në propozim të këshilltares Anisa Feratoviq, këshilltarët njëzëri emëruan Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, në përbërje: Merima Baliq (kryetare), Rrezon Kukaj (sekretar) dhe Ahmet Delanin, Havaja Prelvukaj, Sanid Rexhepagiq dhe Jeton Ulaj (anëtarë), të gjithë juristë. Ndërkaq, zëvendësit e tyre do të emërohen në seancën e radhës së Kuvendit.
Raporti i Punës së kryetarit të Komunës dhe i organeve dhe shërbimeve të Komunës së Gucisë për vitin 2024 zgjoi interesim të madh ndër këshilltarë, sidomos tek ata të partive në opozitë, të cilët shprehen pikëpamjet e tyre kritike (shtatë sish), i cili u miratua më 17 vota “për”, 10 “kundër” dhe një “të përmbajtur”.
Kuvendi miratoi po ashtu edhe Raportin e punës së Kuvendit të Komunës së Gucisë për vitin 2024 dhe raportet e punës dhe financiare të disa institucioneve publike.
Në mungesë të referuesit, pika e parë e rendit të ditës – Informata mbi gjendjen e sigurisë në territorin e komunës së Gucisë nuk u shqyrtua.
Sh. Hasangjekaj