U miratua propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit të Komunës për vitin 2023 dhe një vistër propozim vendimesh tjera

Guci – Në seancën e tretë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë për vitin 2023, të mbajtur më 22 nëntor 2023 në sallën e komunës për seanca, takime e tubime, në të cilën ishin të pranishëm 26 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozim vendimesh të punës së organeve të qeverisjes lokale, ndër të cilat qendror ishte propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit të komunës për vitin 2023.
Para fillimit të seancës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, këshilltarët u njoftuan me verifikimin e mandateve të tre këshilltarëve të rinj, të cilin e ka bërë Komisioni Komunal i zgjedhjeve në vend të tre këshilltarëve, për të cilët ka konstatuar se kanë dhënë dorëheqje për shkak të mospërputhjes se funksionit të këshilltarit.
Në vend të këshilltarit në dorëheqje nga lista zgjedhore “Shqiptarët bashkë për Gucinë”, Dardan Qosaj, këshilltare e re është zgjedhur Havaja Prelvukaj sipas renditjes në listën zgjedhore, në vend të këshilltarit nga lista zgjedhore “Korrektësisht për Gucinë” – Rafet Husoviq (PB-PL), Sanell Baliq, këshilltar i ri është zgjedhur Edin Mulliq dhe nga lista zgjedhore “Socialdemokratët Ivan Brajoviq – Në mënyrë konsekuente vendosin për Gucinë”, Suad Gjurkoviq, këshilltare e re është zgjedhur Vanja Mitroviq.
Më pas, këshilltarët e pranishëm pa vërejtje dhe njëzëri miratuan procesverbalet: nga seanca e dytë e rregullt e KK-së, e mbajtur më 17 korrik 2023 dhe nga seanca e parë e jashtëzakonshme e KK-së e mbajtur më 22 gusht 2023, dhe në vazhdim shqyrtuan dhe njëzëri miratuan rendin e ditës të propozuar prej 12 pikash, i cili pësoi ndryshime sepse nga seanca u tërhoq pika e ll-të e rendit të ditës – propozim vendimi për dhënien e pëlqimit vendimit për miratimin e çmimeve për furnizim publik me ujë dhe menaxhim me ujëra të zeza komunale për personat juridikë dhe fizikë për vitin 2024 të SHPK “Veprimtaritë komunale” në Guci, në propozim të drejtorit të ri ekzekutiv, Edin Mulliq, u tërhoq nga shqyrtimi në seancë.
Seanca filloi punën me shqyrtimin e dy pikave të para të rendit të ditës – propozim vendimet për dhënien e pëlqimit në vendime mbi përfundimin e mandateve të nënkryetarëve të Komunës – Huso Brdakiq dhe Edon Balidemaj, të cilat pas diskutimeve të ca këshilltareve të opozitës u miratuan me 19 vota “për” dhe 7 “kundër” të Huso Brdakiqit dhe 24 “për” dhe 2 “të përmbajtur” të Edon Balidemajt.
Në dy pikat e radhës (3 e 4), këshilltarët miratuan propozim vendimet për emërimin e nënkryetarëve të ri të Komunës së Gucisë. Me 18 vota “për” dhe 8 “të përmbajtur”, Edon Balidemaj u zgjodh sërish nënkryetar i Komunës dhe me 20 vota “për” dhe 6 “të përmbajtur”, nënkryetar i ri u zgjodh Suad Gjurkoviq.
Seanca pastaj vazhdoi punën me shqyrtimin e propozim vendimit mbi ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2023, e cila ishte edhe pikë qendrore e rendit të ditës, të cilën në mënyrë koncize dhe analitike e prezantoi dhe e argumentoi nëpunësi i sektorit të Sekretariatit për ekonomi, zhvillim dhe financa Rakib Radonçiq, i cili në elaborimin e vet konstruktiv theksoi se Buxheti i Komunës për vitin 2023 në raport me Buxhetin e miratuar më parë është rritur për 1.335.030 euro dhe tani është në shumën prej 3.982.030 euro. Të hyrat rrjedhëse janë rritur për 115.500 euro. Tatimi mbi të ardhurat e personave fizikë për 50.000 euro, tatimi në patundshmëri për 45.500 euro, tatimi në qarkullimin e patundshëm për 20.000 euro, donacionet dhe transferi për 1.283.000 euro, ku janë përfshirë mjetet në shumën prej 1.000.000 euro të paguara (destinuara) nga Buxheti shtetëror i Mali të Zi. Në strukturën e donacioneve është bërë rritja e tyre në shumën prej 83.000 euro (donacion i BE-së për realizimin e projektit JEPA).
Pas diskutimeve të ca këshilltarëve, kryesisht të opozitës, të cilët dhanë vërejtje e sugjerime, propozim vendimi në fjalë u miratua njëzëri nga këshilltarët e pranishëm.
Edhe propozim vendimi mbi ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për ndërtimin e objekteve lokale të interesit të përgjithshëm, pas diskutimeve të ashpra të këshilltarëve në tekstin e konceptimit të tij, u miratua njëzëri.
Gjatë punës së mëtejme të seancës e cila zgjati rreth një orë e gjysmë, këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan edhe propozim vendimet: Sanell Balliq, shkarkohet nga detyra e anëtarit të Këshillit për zgjedhje dhe emërime dhe në vend të tij emërohet këshilltarja Anesa Bektesheviq, Dardan Qosaj dhe Suad Gjurkoviq shkarkohen nga detyrat e anëtarëve të Komisionit në fushën e veprimtarisë komunale e banesore dhe në vend të tyre emërohen Havaja Prelvukaj dhe Vanja Mitroviq dhe Dardan Qosaj shkarkohet nga detyra anëtarit të Komisionit të Etikës për përfaqësues dhe funksionarë të zgjedhur dhe në vend të tij emërohet Havaja Prelvukaj.
Përkitazi me pikën e fundit të rendit të ditës – pyetjet dhe përgjigjet e këshilltarëve, ca këshilltarë iu parashtruan pyetje adekuate organeve relevante të Kuvendit, përgjigjet e të cilave i kërkuan me shkrim.
Pas përfundimit të punës së seancës sipas rendit të ditës, kryetari i Komunës Sanell Balliq, shfrytëzoi rastin që në seancën e parë të KK-së, pas zgjedhjes për kryetar t’u drejtohet të pranishmëve në seancë dhe t’i njoftojë mbi situatën dhe gjendjen e gjetur në komunë, për të cilën elaboroi në mënyrë koncize, analitike dhe kronologjike.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat