Guci – Në seancën e parë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, të mbajtur të hënën, janë shqyrtuar dhe miratuar një vistër propozim vendimesh, programesh, informatash dhe raportesh të komisioneve, këshillave e organeve të qeverisjes lokale, të organizatave dhe institucioneve publike që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Gucisë.
Në seancë, në rendin e ditës të së cilës ishin 29 pika, kanë marrë pjesë 29 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi i Komunës së Gucisë.
Në fillim të saj u verifikua mandati i këshilltarit të ri të koalicionit të partive shqiptare “Bashkë për Guci”, Memë Balidemaj, në vend të këshilltarit të deritashëm të koalicionit në fjalë, Asdren Çelaj, që paraprakisht kishte dhënë dorëheqje nga detyra e këshilltarit për shkak të konfliktit të interesit meqë kishte kaluar në detyrë të re në Komunë.
Pastaj u miratua procesverbali nga seanca e jashtëzakonshme e mbajtur më 5 mars 2021 dhe rendi i plotësuar i ditës edhe me një pikë të re – Propozim vendimi mbi dhënien e pëlqimit në kontratën mbi besimin e kryerjes së veprimtarive komunale dhe shfrytëzimit të infrastrukturës komunale dhe mjeteve të tjera në pronësi të Komunës së Gucisë, të propozuar nga drejtori i SHPK “Veprimtaritë Komunale”, Demir Bajroviq.
Seanca e filloi punën me prezantimin e dy informatave mbi realizimin e kujdesit shëndetësor në Komunën e Gucisë për vitin 2020, të cilën e argumentoi drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Plavë, dr. Omer Shahmanoviq, dhe mbi situatën e sigurisë në territorin e Komunës së Gucisë për vitin 2020, e arsyetuar nga kryeshefi i seksionit të Policisë në Plavë, Xhemall Shabotiq.
Në vazhdim të seancës, u shqyrtua propozimi i vendimit mbi llogarinë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2020, të cilin e parashtroi sekretari për ekonomi, zhvillim dhe financa, Mirallem Bektesheviq.
Ai konfirmoi se Buxheti i komunës për vitin 2020 ishte planifikuar në shumën 1.632.820 euro dhe është realizuar 89,97%. Të hyrat janë realizuar në shumën 1.469.102,38 euro, shpenzimet në shumën 1.145.732,16 euro, kurse gjendja e depozitit më 31 dhjetor 2020 ka qenë 323.370,22 euro, i cili transferohet në Buxhetin e komunës për vitin 2021. Llogaria përfundimtare e Buxhetit për vitin 2020 është miratuar njëzëri nga këshilltarët e pranishëm në seancë.
Me shumicë votash “Për” apo “Njëzëri”, këshilltarët në punën e mëtejme të Kuvendit kanë miratuar një vistër propozim vendimesh.
Me propozim të kryetarit të Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, juristi i diplomuar Enver Dedushaj, është zgjedhur sekretar i Kuvendit të Komunës së Gucisë në periudhën pesëvjeçare, me votim njëzëri nga këshilltarët e pranishëm. Ai ishte kandidati i vetëm që aplikoi në konkursin publik për këtë funksion. Këtë detyrë ai e ka kryer edhe në mandatet e kaluara prej se Komuna e Gucisë ka rikthyer statusin e komunës së pavarur.
Në seancën e cila ka zgjatur rreth tetë orë, këshilltarët kanë trajtuar dhe miratuar programin e planifikimit hapësinor për vitin 2021 dhe programin e punës dhe planin financiar të Qendrës për Kulturë të Gucisë për vitin 2021. Në seancë po ashtu janë shqyrtuar dhe miratuar raportet e punës dhe ato financiare të SHPK “Veprimtaritë Komunale” të Gucisë, të Organizatës Turistike të Gucisë, të Qendrës për Kulturë të Gucisë, të punës së kryetares së Komunës e të punës së organeve dhe shërbimeve të Komunës, dhe raportin e punës së shërbimit të Kuvendit të Komunës së Gucisë, të gjitha për vitin 2020. Në fund këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan pikën plotësuese të rendit të ditës të propozuar nga drejtori i SHPK “Veprimtaritë Komunale”, Demir Bajroviq.
Shaban Hasangjekaj
