U miratua Buxheti dhe Plani i investimeve për vitin 2021

Plavë – Në seancën e parë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës, të mbajtur të hënën, në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, janë shqyrtuar dhe miratuar një vistër propozim-vendimesh, planesh e programesh, raportesh dhe informatash, të komisioneve, këshillave e organeve të qeverisjes lokale, të organizatave dhe institucioneve publike, që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Plavës.
Seanca, në rend dite të së cilës ishin plot 41 pika, është thirrur nga kryetarja e re e Kuvendit, Jasmina Cikotiq, e cila është femra e parë në këtë post të rëndësishëm. Në të kanë marrë pjesë 25 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi i Komunës së Plavës.
Pas hapjes së seancës, me propozim të këshilltarit të PSD-së, Izet Haxhimushoviq, këshilltarët njëzëri u pajtuan që të hollat e mëditjes nga kjo seancë t’i paguajnë si ndihmë për këshilltarin 28-vjeçar në Kuvendin e Gucisë, Admir Mullamekiq, i cili gjendet për mjekim në një spital të Turqisë.
Pas miratimit të procesverbaleve nga tri seancat e kaluara dhe aprovimit të rendit të reviduar të ditës, nga i cili me propozimin e sekretarit të komunës, Hasim Radonçiq, u tërhoq pika 20 – Propozim-vendimi mbi kompletimin e parcelës urbanistike, me 22 vota “për” dhe 2 “kundër” u miratua Buxheti i Komunës së Plavës për vitin 2021, në shumën prej 4.895.000 eurosh, i ndarë në: shpenzime operative në shumën prej 2.293.200 eurosh, në shpenzime kapitale në shumën prej 1.341.700 eurosh, në mjete për pagesën e kësteve të borxhit, në shumën prej 1.220.100 eurosh, dhe në mjete rezervë në shumën prej 40.000 eurosh.
Interesim dhe vëmendje të dukshme për këshilltarët zgjoi Plani i investimeve të komunës për vitin 2021, në shumën prej 1.151.000 eurosh, të cilin në mënyrë analitike e prezantoi drejtori i Drejtorisë për Investime dhe Zhvillim, Fuad Feratoviq. Planin në fjalë, këshilltarët e pranishëm e miratuan njëzëri.
Programi i masave për stimulimin e zhvillimit të bujqësisë për vitin 2021, mjete këto të ndara nga Buxheti i komunës në shumën 10.000 euro, të cilin të pranishmëve ua prezantoi kryetari i komunës, Nihad Canoviq, ngjalli interesim ndër këshilltarët, i cili pas vlerësimit të dy këshilltarëve pjesëmarrës në debat, u miratua njëzëri.
Këshilltarët në seancë, me shumicë votash “për” dhe njëzëri, shqyrtuan dhe miratuan materialet tjera të propozimeve dhe vendimeve të komisioneve, këshillave dhe organeve të qeverisjes lokale të radhitura në rendin e ditës. Ata vërtetuan tri vendimet e kryetarit të Komunës së Plavës mbi ndryshimet dhe plotësimet e vendimeve mbi përcaktimin e interesit publik për shpronësimin e pasurive për rikonstruksionet e rrugës rajonale Plavë – Vojno Sellë – Guci dhe të dy rrugëve lokale “Prnjavorska” dhe “Ribarska”.
Në vazhdim të seancës, këshilltarët trajtuan dhe miratuan strategjinë për punësim në Komunën e Plavës për periudhën kohore 2021-2025; Vendimin mbi bashkësitë vendore (lokale), si dhe Propozim-vendimin mbi fillimin e ndryshimit dhe plotësimit të Statutit të Komunës së Plavës dhe të Rregullores mbi punën e Kuvendit të Komunës së Plavës.
Në seancë këshilltarët trajtuan dhe miratuan Raportin mbi gjendjen e rregullimit hapsinor për vitin 2020, raportet mbi punën e inspektorit për të huaj të Stacionit të Policisë Kufitare të Plavës për vitin 2020, si dhe raportet mbi punën dhe gjendjen financiare të SHPK “Veprimtaritë Komunale”, të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë dhe të Qendrës Ditore “Lipa” në Plavë, për vitin 2020, si dhe planet dhe programet e punës së tyre për vitin 2021. Poashtu ata trajtuan dhe miratuan edhe Raportin mbi punën e Organizatës Turistike dhe të gjendjes së saj financiare për vitin 2020 dhe Planin e punës së saj për vitin 2021.
Në fund, këshilltarët janë njoftuar edhe me informatat mbi gjendjen e sigurisë në territorin e Komunës së Plavës, mbi realizimin e mbrojtjes shëndetësore në Komunën e Plavës, mbi punën e Kryqit të Kuq në Plavë, si dhe mbi punën e inspeksioneve turistike, të punës, të tregut, inpeksionit shëndetësor-sanitar dhe të mbrojtjes sociale të fëmijëve për vitin 2020.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat