U mbajt Manifestimi shumëpërfshirës letrar, kulturor dhe shkencor – Vuthaj 2023

Vuthaj – Padyshim, është bërë traditë e përhershme që më datën 31 korrik në ambientin e sallës për takime, tubime dhe manifestime të ndryshme kulturore, letrare, artistike e shkencore të shtëpisë së rikonstruktuar të kulturës në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë, me vetëkontributin e vuthjanëve në diasporë, por edhe atyre vendas, mu në ditën e datës së inaugurimit të saj të organizohen dhe mbahen çdo vit akademi solemne, përurime veprash letrare, ekspozita të arteve pamore, tryeza të rrumbullakëta, shënime përvjetorësh, manifestime të ndryshme, etj.
Edhe këtë vit, pikërisht të hënën, më 31 korrik 2023, në ambientin e sallës se sipërpërmendur të Shtëpisë së kulturës në Vuthaj, në praninë e një numri të konsiderueshëm vuthjanësh vendas, nga vendbanimet me popullatë shqiptare të komunave të Gucisë dhe Plavës, të shumë bashkëvendësve mërgimtarë nga diaspora, por edhe të një numri vërtetë të madh mysafirësh – personalitetesh të shquara e eminente, pjesëmarrës të Lëvizjes kombëtare çlirimtare nga qendrat e ndryshme të Republikës së Kosovës, e ca sish edhe nga Maqedonia e Veriut dhe më gjerë, u mbajt manifestimi shumëpërfshirës letrar, kulturor dhe shkencor – Vuthaj 2023, i pesti me radhë i këtij lloji veprues.
Manifestimi në fjalë, këtë vit i është kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Grupit Revolucionar të Kosovës 40-vjetorit të bashkimit të organizatave kombëtare çlirimtare, përurimit të librit me titull “Shtegtime nëpër atdhe” të autorit Berat Luzha, vendosja e portretit të heroit të UÇK-së Qerim Kelmendi dhe ai i pjesëtarëve të Batalonit të Atlantikut, që janë nga treva e Plavës dhe Gucisë, pjesëmarrës në luftën e UÇK-së dhe dhënia e mirënjohjes nga Shoqëria “Lëvizja”, veprimtareve dhe të burgosurve politik, Rexhep Galit Balidemaj nga fshati Martinaj dhe Ajshe Ramë Gjonbalajt nga fshati Vuthaj, për sakrificën dhe kontributin e tyre në Lëvizjen Kombëtare çlirimtare.
Duke i përshëndetur të pranishmit, akademinë solemne të manifestimit në fjalë e hapi moderatorja e programit, vashëza vuthjane, Arbenita Vukaj, e cila i ftoi ata që me një minutë heshtje të ngritur në këmbë, t’i nderojnë gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Pastaj ftoi zotëriun Hasan Mala, vëllain e pjesëtarit të grupit të parë gueril, Rexhep Mala, për një fjalë përshëndetëse rasti, si dhe Cenë Haxhën për fjalë përshëndetëse në emër të pjesëmarrësve të Batalonit të Atlantikut që janë nga treva e Plave Gucisë.
Anëtari i Grupit Revolucionar të Kosovës dhe njëherazi deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Hidajet Hyseni, në mënyrë dinjitoze, koncize dhe kronologjike me të dhëna të bollshme referoi mbi temën “Veprimtaria dhe roli i Grupit Revolucionar të Kosovës, kushtuar 50-vjetorit të themelimit të tij.
Ndërkaq, kryetari i Shoqërisë “Lëvizja”, Xhevat Gjini, elaborimin e vet shumëpërfshirës me të dhëna të shprehura me fjalë dhe shifra në temën: “Bashkimi politik i organizatave shqiptare patriotike – krijimi i LPK-së” të pranishmëve të manifestimit ua prezantoi përmes tekstit të shprehur me shkrim në disa faqe.
Në vazhdim të manifestimit, sipas radhitjes së programit, u bë përurimi i librit me titull “Shtegtime nëpër atdhe” te autorit kosovar, Berat Luzha, mbi të cilin elaboroi veprimtari e studiuesi Bejtullah Tahiri, i cili me shprehje argumentuese prezantoi përmbajtjen, rolin dhe qëllimin e kësaj vepre me peshë dhe vlerë. Për librin në fjalë, shkurt dhe në mënyrë koncize foli vet autori i librit Berat Luzha.
Mbi portretet e jetës dhe veprimtarive madhore të të burgosurve politik dhe kontribuuesve të denjë dhe të paepur në Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare, për veprimtarin nga fshati Martinaj, Rexhep Galin Balidemaj foli bashkëvendësi i tij – autori i këtij teksti – Shaban Hasangjekaj, ndërsa për Ajshe Ramë Gjonbalaj, bashkëvendësi prof. Fadil Ulaj. Veprimtarëve në fjalë, Shoqëria “Lëvizja” për meritat e tyre kontribuese në Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare ua ndau mirënjohjet. Ndonëse Rexhep Gali jeton në Amerikë, mirënjohja e tij iu dorëzua kushëririt, Mustafë Çunit Balidemaj, ndërsa laureates Ajshe R. Gjonbalaj iu dorëzua personalisht.
Për portretet e heronjve të UÇK-së, Qerim Kelmendit dhe të pjesëtarëve të Batalonit të Atlantikut, që janë nga treva e Plavës dhe Gucisë, në mënyrë dinjitoze të shprehura me fakte dhe të dhëna me fjalë dhe shifra, elaboroi kryeorganizuesi i Manifestimit në fjalë, veprimtari shumëdimensional, aktivisti, i burgosuri politik dhe kontribuuesi i denjë dhe i paepur i çështjes kombëtare shqiptare, vuthjani prof. Binak Ulaj.
Portretet e kornizuara të të sipërpërmendurve u ekspozuan (vendosën) në mënyrë solmne në ballin e murit të sallës ku u mbajt manifestimi. Për të gjithë mysafirët e ftuar që morën pjesë në manifestim, u shtrua drekë solemn-ne Restorantin “Hartini” që gjendet në afërsi të Ujëvarës “Gërla” në Vuthaj.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat