U hap Reparti i Ndihmës së Shpejtë

Tuz – Të premten në Tuz, më datë 5 nëntor 2021, në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut, përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale, institucioneve shëndetësore, u hap Reparti i Ndihmës së Shpejtë në Tuz, në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit. Hapja zyrtare (prerja e shiritit) u bë nga ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq-Bojoviq, nga kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj dhe nga drejtori e Entit për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore, z. Vuk Nikoviq.
Zyrtarët në fjalë kanë vizituar ambientet e kësaj qendre të mjekimit, e ndërtuar me kushte moderne dhe bashkëkohore.
Ministrja e Shëndetësisë, znj. Jelena Boroviniq-Bojoviq në prononcimin për media, tha se me hapjen e Ndihmës së Shpejtë, realizojnë një ndër qëllimet e tyre strategjike dhe më prioritare.
“Ky ka qenë qëllimi im që kur e kam marrë këtë funksion, pra modernizimi dhe avancimi i kësaj pjese shumë të rëndësishme të sistemit shëndetësor, duke hapur njësitë e Ndihmës së Shpejtë në të gjitha komunat. Krahas qendrave në Petnjicë dhe Tuz, të cilat filluan sot punën, deri në fund të vitit, Enti për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore do të përgatisë dhe hapë njëkohësisht njësitë në Shavnik, Plluzhine dhe Guci”, u shpreh ministrja Boroviniq-Bojoviq.
Ajo, theksoi se Ndihma e Shpejtë në Tuz është pikë referimi se si do të duken të gjitha njësitë e Ndihmës së Shpejtë në Mal të Zi, në kuadër të synimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Menaxhmentit të Entit për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore.
“Ndihma e shpejtë mjekësore është pjesë specifike dhe shumë e rëndësishme e sistemit shëndetësor dhe pasqyrë e cilësisë së tij, suksesit dhe efikasitetit. Për këtë arsye, kemi nisur një riorganizim serioz të një sistemi të lënë pas dore të ndihmës së shpejtë mjekësore i cili është jofunksional, në të cilin nuk është investuar, prandaj edhe kapacitetet kadrovike, hapësinore dhe teknologjike janë shumë të dobëta dhe të pamjaftueshme”, theksoi ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq-Bojoviq.
Ajo më tutje tha se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Menaxhmentin e Entit për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore do të bëjë gjithçka që të gjitha njësitë e Ndihmës së Shpejtë mjekësore në territor të të gjithë shtetit, të fuqizohen maksimalisht me kushte bashkëkohore për punë dhe për ofrim të ndihmës, në mënyrë që të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh në cilën komunë apo skaj jetojnë, të kenë shërbim mjekësor më të mirë dhe më cilësorë.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, e ka cilësuar hapjen e Ndihmës së Shpejtë në Tuz si një projekt shumë të rëndësishëm për Komunën e Tuzit dhe për qytetarët e Malësisë.
“Ditëve të kaluara kam qenë edhe më shumë i vetëdijshëm se sa me rëndësi ka qenë ky projekt për qytetarët tonë, pas pyetjes dhe qëndrimit të qytetarëve kur kanë dëgjuar së këto ditë do të hapet Ndihma e Shpejtë. Ky është edhe një fakt që vetëqeverisja lokale në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë, e ka zgjidhë shumë shpejtë këtë çështje nga takimi ynë i parë me drejtorin e Entit për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore, z. Vuk Nikoviq, ku në mënyrë të përbashkët kemi punuar dhe arritur sot këtë rezultat i cili tregon një model të bashkëpunimit të mirë”, u shpreh kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj.
Ndërkohë, drejtori i Entit për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore, z. Vuk Nikoviq tha se janë shumë të gatshëm që këtë sistem të ndihmës së shpejtë mjekësore t’a ngritin në nivel të rajonit, dhe të veprojnë në të mirë të të gjithë qytetarëve të kësaj zone.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat