Tuz – OJQ “Fëmijët e Malit të Zi” në vijim të aktiviteteve të veta ka realizuar të shtunën, më 25 shtator, seminarin njëditor për mësimdhënësit nga tri shkollat në Tuz, me titull “Trajnim për zhvillimin dhe zbatimin e Planit Individual të Zhvillimit në Arsim” i cili u mbajt në Shkollën e Mesme të Përzier “25 Maji”në Tuz, me pjesëmarrës të mësimdhënësve të kësaj shkolle dhe të dy shkollave të tjera, të SHF “29 nëntori” nga Dinosha dhe të SHF “Mahmut Lekiq” në Tuz.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj shoqate, znj. Sabra Deceviq në prononcim për gazetën “Koha Javore” tha se qëllimi i organizimit të këtij seminari është rritja e kapacitetit të stafit mësimor në punën e tyre me fëmijë me nevoja të veçanta në arsim, përmes përpilimit dhe realizimit të planit individual të zhvillimit në arsim.
“Në këtë seminar trajtuam temat si: funksioni i planit individual të zhvillimit në arsim; formulari për planin individual të zhvillimit në arsim dhe në analizimin e të dhënave dhe informacioneve kryesore; përshkrimi i funksionimit aktual dhe nevojat e fëmijëve në lidhje me llojin e nevojave të veçanta; sugjerime për aktivitete, metoda, dhe forma të veçanta të punës për arritjen e qëllimit të zhvillimit në edukim”, u shpreh Deceviq.
Ajo gjatë këtij seminari shpalosi një historik të shkurtër të funksionimit të shoqatës, duke theksuar nevojën që t’u japim mbështetje edhe më e madhe fëmijëve me nevoja të veçanta, por edhe prindërit e tyre.
“Që do të thotë të krijojmë një mbështetje në të gjitha aspektet. Projekti ka për qëllim që të krijoj një bashkëpunim më të mirë në mes institucioneve publike dhe shoqatave joqeveritare në Tuz, ku u krijua një grup punues për monitorimin e Planit Lokal të Veprimit për mbrojtjen nga diskriminimi i personave me invaliditet në Tuz për vitin 2021-2022, të përbërë nga përfaqësues të Komunës së Tuzi, Entit për Punësim, Qendrës për Punë Sociale, Shkollës Fillore “Mahmut Lekiq”, Shkollës së Mesme të Përzier “25.maji”, OJQ “Fëmijët e Malit të Zi” dhe OJQ-së “Malësia”, u shpreh Deceviq.
Seminari realizohet në kuadër të projektit “Bashkëpunimi për një pozicion më të mirë të personave me invaliditet në Tuz” të cilin OJQ “Fëmijët e Malit të Zi” po e realizon në bashkëpunim me Komunën e Tuzit.
Projekti mbështetet përmes programit, OJQ-të në Malin e Zi, nga shërbimet themelore deri tek hartimi i politikave – M’BASE” të realizuar nga Qendra për Edukimin Qytetar, Friedrich Ebert Stftung (FES), OJQ “Politikon Network” dhe OJQ “Qendra për Kërkim dhe Mbrojtjen e Zogjve”.
Programi financohet nga Bashkimi Evropian.
t. u.