Trungjet e thara dhe të sëmura kanë rrezikuar pyllin e mbrojtur në zonën e Bjeshkëve të Nëmuna

Plavë – “Pylli në Parkun Nacional ‘Bjeshkët e Nëmuna’ është në rrezik të madh nëse nuk reagohet me veprim të shpejtë, nga se i kanoset shfarosja e plotë”, ka theksuar inspektori i pyjeve Hakija Jasaviq, i cili në vazhdim ka shtuar se “nga Ndërmarrja Parqet Nacionale të Malit të Zi nuk kemi mundur të marrim përgjigjen në pyetjen se çka do të ndërmarrin të mbrojnë kompleksin pyjor”.
Drupërpunuesit dhe qytetarët nga treva e Komunës së Plavës në një tubim të mbajtur para pak ditësh, kanë kërkuar që sa më parë të shpallet tenderi në bazë të të cilit do të mund të bëhet prerja dhe menjanimi i trungjeve të dëmtuara dhe rrëzuara në pyllin me drunj halorë dhe ahu në pjesën e Parkut Nacional “Bjeshkët e Nëmuna”. Ata kanë theksuar se në zonën e kompleksit të sipërpërmendur gjenden sasi të mëdha të masës së drurit të dëmtuar, të cilat për shumë shkaqe duhet menjëherë mënjanuar nga ajo hapësirë. Ato janë trungje të cilat, siç kanë theksuar, janë të thata dhe si pasojë e kohës së papërshtatshme janë të rrëzuara dhe të cilat kërcënojnë të bartin sëmundjet në pjesën e shëndoshë të pyllit.
Në zonën e Parkut Nacional “Bjeshkët e Nëmuna”, gjegjësisht në pyjet e atjeshme, gjenden shumë të ashtuquajtura “shkatërrina” (gërmadha). Ato janë trungje të cilat dimrave të kaluar janë rrëzuar dhe dëmtuar si pasojë e kohës së papërshtatshme. Ndër ata trungje ka edhe drunj të cilët, për shkak të vjetërsisë, kanë filluar të thahen. Në shumë raste është bërë me dije se trungjet e tilla duhet sa më parë mënjanuar nga zona e Parkut Nacional, sepse paraqesin rrezik për kalimtarë e njëkohësisht kërcënojnë të bartin sëmundjet në pyllin e shëndoshë me cilësi të lartë.
“Ndërkaq, në Ndërmarrjen Parqet Nacionale të Malit të Zi, sa e kanë të njohur drupërpunuesit plavjanë, nuk kanë ndërmarrë kurrfarë aktivitetesh që të veprohet sipas rekomandimeve të tyre. Për këtë sërish i ftojmë që sa më parë atë ta bëjnë, sepse fjala është për diçka që mund të sjellë pasoja të papara të dëmshme për pyje në Parkun Nacional “Bjeshkët e Nëmuna”, ka konfirmuar Nexhad Cecunjanin në emër të OJQ “Drupërpunuesit e Plavës”.
Në Drejtorinë për punë inspektive kanë bërë të ditur se është marrë vendimi për mënjanimin e trungjeve të dëmtuara nga zona e përmendur pyjore.
“Kam prurë vendimin me të cilin urdhërojmë organin kompetent që të mënjanohen trungjet e dëmtuara nga zona e Parkut Nacional ‘Bjeshkët e Nëmuna’. Fjala është për drunjtë e tharë të cilët në rast shpërthimi të zjarrit digjen lehtë. Po ashtu, aty ka trungje të cilat janë të sulmuara nga sëmundjet e ndryshme të cilat përhapen me shpejtësi të madhe. E gjithë kjo dëshmon se pylli në Parkun Nacional ‘Bjeshkët e Nëmuna’ është në rrezik të madh dhe nëse nuk reagohet me veprim të përshpejtuar i kanoset shkatërrimi i plotë”, ka deklaruar inspektori i pyjeve, Hakija Jasaviq.
Nga Ndërmarrja Parqet Nacionale të Malit të Zi nuk është marrë përgjigjja lidhur me këtë çështje, se çka ata do të ndërmarrin për të mbrojtur komplekset e pyjeve në Parkun Nacional “Bjeshkët e Nëmuna”.
Në OJQ “Drupërpunuesit e Plavës” konfirmojnë se trungjet e rrëzuara dhe të dëmtuara japin pamje të shëmtuar në pyjet e mbrojtura. Ata kanë shtuar se është kohë e fundit që kompetentët gjegjës të sillen ndaj vlerave natyrore.
Nëse shteti njerëzve të caktuar ua ka dhënë mundësinë të menaxhojnë me trevat e mbrojtura, atëherë ata duhet që punën e besuar ta kryejnë me përgjegjësi, e jo çështjet e caktuara t’ua lëshojnë rastit. Kërkojnë që sa më parë të bëhet mënjanimi i trungjeve në fjalë përderisa për diçka të tillë nuk bëhet vonë, apelojnë dhe rekomandojnë drupërpunuesit e Plavës.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat