Tre televizione publike bashkojnë forcat për informim dhe bashkëpunim kulturor

Studioja e re rajonale në Ulqin pritet të shërbejë si një platformë për përmbajtje mediatike të përbashkëta, si dhe si urë komunikimi mes tre shteteve, për të forcuar lidhjet ndërmjet popujve të rajonit. Ajo do të lehtësojë jo vetëm shkëmbimin e informacionit të saktë dhe të balancuar, por do të ndihmojë edhe në ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërkufitar

Një hap historik u ndërmor në qytetin bregdetar të Ulqinit, ku përfaqësues nga tre televizione publike – Radio Televizioni i Malit të Zi, Radio Televizioni i Kosovës (RTK) dhe Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) – zyrtarizuan të martën (8 korrik 2025) krijimin e një studioje të përbashkët rajonale në këtë qytet, me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për vendosjen e Ulqinit si një qendër rajonale informimi.
“Ky është një hap i rëndësishëm që do ta vendosë Ulqinin në zemër të bashkëpunimit mediatik, kulturor, ekonomik e historik mes tre vendeve tona. Do të përkrahim çdo iniciativë që forcon informimin në gjuhën shqipe, malazeze dhe në gjuhë rajonale”, ka thënë ai.
Drejtori i Radio Televizionit të Malit të Zi, Boris Raoniq, vlerësoi se kjo është një iniciativë e pashembullt në Evropë.
“Për herë të parë, tre televizione publike nga shtete të ndryshme krijojnë së bashku një studio të përbashkët që do të përdoret nga të gjithë. Ky projekt është model unik dhe do të sjellë përfitime për gjithë rajonin që graviton drejt Ulqinit”, ka thënë ai.
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, e cilësoi këtë bashkëpunim si një tregim suksesi.
“Nënshkrimi i këtij memorandumi është një hap shumë i rëndësishëm për ne dhe për publikun shqiptar, i cili ka interes të madh për zhvillimet në Ulqin. Kjo studio do të jetë një dritare e përbashkët për informim, kulturë dhe bashkëpunim”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, përfaqësuesja e RTSH-së, Erviola Osmani, nënvizoi përkushtimin për një bashkëpunim afatgjatë.
“RTSH është shumë e lumtur të bëhet pjesë e kësaj nisme, jo vetëm për transmetim lajmesh, por edhe për thellimin e bashkëpunimit kulturor, artistik dhe organizimin e eventeve që promovojnë vlerat e përbashkëta”, ka theksuar ajo.
Studioja e re rajonale në Ulqin pritet të shërbejë si një platformë për përmbajtje mediatike të përbashkëta, si dhe si urë komunikimi mes tre shteteve, për të forcuar lidhjet ndërmjet popujve të rajonit. Ajo do të lehtësojë jo vetëm shkëmbimin e informacionit të saktë dhe të balancuar, por do të ndihmojë edhe në ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Kjo iniciativë është shndërruar në një shembull frymëzues që mund të shtrihet edhe në fusha të tjera, duke treguar se bashkëpunimi rajonal është i mundur dhe i dobishëm për të gjithë.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat