
Komuna e Tuzit përfaqëson një nga hapësirat gjeografike më domethënëse të Malësisë së Madhe, ku ndërthuren historia e hershme, tradita shqiptare autoktone, ndikimet osmane dhe realitetet bashkëkohore të shtetit modern malazez. Kjo trevë përfaqëson një mozaik unik: traditë shqiptare autoktone, trashëgimi osmane, ndikime mesdhetare dhe realitet bashkëkohor ballkanik. Në këtë ndërthurje qëndron vlera e saj më e madhe.
Në këtë territor relativisht të vogël gjeografikisht, është kondensuar një pasuri e jashtëzakonshme kulturore, shpirtërore dhe natyrore, e cila meriton studim sistematik, dokumentim shkencor dhe promovim institucional. Tuzi nuk është thjesht një komunë e mëvetësishme mes Podgoricës dhe Shkodrës. Ai është një hapësirë me kujtesë të thellë kolektive historike, me rrënjë të forta kulturore, me një identitet që është formuar ndër shekuj nga bashkëjetesa, puna dhe rezistenca shpirtërore e banorëve të Malësisë, një arkiv i gjallë i identitetit shqiptar dhe një shembull i rrallë i bashkëjetesës shumetnike.
Vendbanimet e hershme
Burimet historike dëshmojnë se zona e Tuzit ka qenë e banuar që në periudha të hershme mesjetare. Organizimi fisnor i Malësisë, struktura patriarkale dhe lidhja e fortë me tokën kanë ndikuar në formimin e një shoqërie të qëndrueshme, me kode morale të qarta dhe me ndjenjë të theksuar përkatësie.
Gjatë periudhës osmane, Tuzi u zhvillua si qendër lokale ekonomike dhe shoqërore, duke ruajtur njëkohësisht elemente të traditës vendase shqiptare. Ky gërshetim kulturor la gjurmë në arkitekturë, në urbanistikë dhe në jetën shpirtërore të komunitetit.
Shekujt e mëvonshëm sollën ndryshime politike, por jo shuarje të identitetit. Përkundrazi, traditat u ruajtën përmes familjes, këngës, veshjes dhe zakoneve, duke mbajtur gjallë kujtesën kolektive.
Natyra si faktor formues i identitetit
Trashëgimia e Tuzit nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh dimensionin gjeografik. Liqeni i Shkodrës, Ujëvarat e Niagarës, kodra e Shipshanikut, kodra e Nënhelmit, fushat pjellore, vreshtat e Plantazheve (plantacioneve) “13 Korriku” etj. nuk janë vetëm elemente peizazhi – ato kanë formësuar ekonominë tradicionale, mënyrën e jetesës dhe marrëdhënien e banorëve me ambientin.
Në Tuz natyra dhe kultura janë të pandashme. Natyra ka diktuar arkitekturën rurale, ciklin bujqësor dhe ritmin e jetës shoqërore. Pikërisht kjo lidhje organike mes njeriut dhe mjedisit përbën një nga tiparet më autentike të kësaj treve.
Trashëgimia materiale
Ndër elementet më përfaqësuese të trashëgimisë materiale të Tuzit dallohen: Kulla e Vuksanlekajve, simbol i arkitekturës mbrojtëse familjare dhe i organizimit tradicional; sebili në qendër të Tuzit, dëshmi e kulturës urbane osmane; sheshi Skënderbeu, hapësirë simbolike e identitetit shqiptar; lokalitetet historike si Tërgaja, Murva në Dinoshë, pika e vrojtimit në Delaj dhe pikniku në Vitojë. Këto objekte dhe hapësira të tjera të trashëgimisë materiale nuk janë thjesht struktura fizike; ato janë bartëse kujtese dhe përvojash kolektive si dhe një arkiv i hapur i identitetit lokal.
Trashëgimia jomateriale (shpirtërore)
Po aq e rëndësishme sa trashëgimia materiale është ajo shpirtërore: veçohen kostumi (veshja) malësor, një simbol identitar që mishëron estetikën tradicionale dhe kodet shoqërore; kuzhina tradicionale malësore shqiptare, një trashëgimi e transmetuar brez pas brezi, ku përzihen produktet vendase dhe teknikat e lashta të përgatitjes; kënga, vallja dhe zakonet familjare, forma të rezistencës kulturore dhe mjete të ruajtjes së kujtesës historike; bashkëjetesa shumëfetare dhe shumetnike, një realitet i përditshëm që dëshmon tolerancë dhe respekt reciprok. Këto nuk janë thjesht elemente folklori, të cilat përbëjnë “trashëgiminë e padukshme” që nuk shihen por ndihen, por janë forma të të jetuarit, kode morale dhe mënyra për të ruajtur vazhdimësinë kulturore.
Trashëgimia në format bashkëkohor
Botimi i ri trigjuhësh “Tregime nga Tuzi”, pjesë e projektit “Libri i ngjyrosjes së Malit të Zi”, i realizuar në partneritet me Organizatën Turistike të Tuzit, përfaqëson një qasje inovative ndaj edukimit kulturor. Me 12 ilustrime dhe 14 tregime (histori), ky projekt prezanton 9 lokalitete reale, 5 simbole kulturore dhe natyrore, duke përfshirë edhe kostumin malësor, kuzhinën shqiptare, zambakët e bardhë dhe të verdhë të ujit si dhe hapësirat urbane të Tuzit.
Fakti që ky është botimi i parë edhe në gjuhën shqipe, ka një domethënie të veçantë: ai afirmon barazinë kulturore dhe rëndësinë e përfaqësimit autentik. Ky projekt tregon se trashëgimia nuk duhet vetëm ruajtur – ajo duhet komunikuar, përkthyer për brezat e rinj dhe bërë pjesë e jetës së përditshme. Shoqërimi me lojën edukative të memories e shndërron trashëgiminë në përvojë interaktive për fëmijët.
Projekte si “Tregime nga Tuzi” dhe loja edukative e memories tregojnë se tradita mund të transmetohet edhe përmes formateve bashkëkohore. Kjo është rruga që duhet ndjekur: lidhja e së vjetrës me të renë.
Urbanizimi dhe rreziku i harresës
Sot Tuzi përballet me urbanizim të shpejtë, migrim dhe rrezik të humbjes së identitetit lokal. Pa politika të qarta kulturore dhe pa përfshirje të komunitetit, trashëgimia mund të mbetet vetëm kujtim. Por nëse investohet në edukim kulturor, turizëm të qëndrueshëm dhe dokumentim shkencor, Tuzi mund të shndërrohet në model të ruajtjes së trashëgimisë shqiptare në Mal të Zi.
Përfundim
Tuzi nuk duhet parë vetëm si territor administrativ, por si projekt kulturor. Ruajtja e trashëgimisë kërkon studim shkencor, përfshirje të komunitetit, edukim të brezave të rinj, turizëm të qëndrueshëm dhe mbështetje institucionale.
Mendojmë se vetëm kështu Tuzi mund të shndërrohet në model të ruajtjes së identitetit shqiptar në Mal të Zi dhe në shembull të integrimit të trashëgimisë në zhvillimin modern.
Tuzi është më shumë se vend (vendbanim) – është kujtesë historike, është vazhdimësi, është traditë, është rrëfim. Një rrëfim për njerëzit, tokën, bashkëjetesën dhe qëndrueshmërinë kulturore. Trashëgimia e Tuzit nuk është pronë e së kaluarës. Ajo është përgjegjësi e së tashmes dhe investim për të ardhmen.
Pa dokumentim serioz, pa mbrojtje institucionale dhe pa vetëdije qytetare, rrezikojmë që shumë vlera të humbasin në heshtje. Tuzi ka potencial të madh kulturor dhe turistik – por mbi të gjitha ka një histori që meriton respekt, studim dhe promovim dinjitoz. Ta ruash Tuzin do të thotë të ruash një pjesë të rëndësishme të kujtesës kolektive shqiptare dhe rajonale.
