
Rrëfimi 1
Takimi në Portën e Madhe të Kalasë
Fillimi i muajit gushtit. Hapja solemne e manifestimit “Skena Verore” në Kala para Muzeut (më parë Xhamia e Kalasë). Pas programit shumica e të pranishmëve qëndruan në Pazarin e Qytetit duke biseduar dhe duke shikuar detin nga dritaret sipër bedenit.
Porta e Madhe e Kalasë ka tri hyrje, dy në kande dhe një në mjedis. Duke ecur takova Hadixhe Gjonin, nënkryetaren e Komunës së Ulqinit dhe djalin e saj Edinin. Ky ka ardhur për pushim veror. Disa vite është mërgimtar në Nju Jork ku ushtron detyrën e imamit dhe hatibit.
Prej vitit 1998 deri në vitin 2007 isha në Këshillin e Bashkësisë Islame të Ulqinit. Një mandat anëtar, e katër vite kryetar. Edin Gjoni duke ndjekur Fakultetin Teologjik në Kajro ka pasur ndihmesën financiare të BI. Ky ishte një investim i qëlluar për BI të Ulqinit. Përveçse i kreu me sukses studimet, Edin Gjoni arriti që të formohet si një ndër dijetarët më të sukseshëm nga të gjithë trevat e Malit të Zi.
Pas përshëndetjes iu drejtova Edinit:
“Kthehu në vendlindje, ti mund të jesh Reisi i ardhshëm i Bashkësisë Islame të Malit të Zi”.
Disa vite me radhë Edin Gjoni ka mbajtur ligjerata në xhamitë e Ulqin, si edhe në manifestimet fetare në Qendrën për Kulturë. Ishte gjithmonë privilegj ta dëgjoje.
Jam i mendimit se ai i mungon Ulqinit, por edhe Malit të Zi.
Rrëfimi 2
Biografia
Edin Gjoni është djali i Kasemit dhe Hadixhe (Bakalli) Gjoni; nipi i Haxhi Hafiz Shyqyri Bakallit – kryetarit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi (1957-1975). U lind në Ulqin më 31.5.1978. Ka shtetësinë e Malit të Zi dhe të SHBA-së.
1.Arsimimi
Shkollën fillore dhe gjimnazin (drejtimi klasik) e përfundon në vendlindje në vitin 1996.
Njëkohësisht ka ndjekur në Prishtinë dhe e ka përfunduar Alauddin Medresenë në vitin 1997.
Në vitin 2001 diplomoi në Fakultetin Teologjik (Usulu d-Din) në Universitetin Al-Alzhar në Kajro – drejtimi Tefthir dhe Shkencat e Tefthirit.
Në periudhën 2016-2020 i ka ndjekur studimet për master në CUNY Graduate Centre, Nju Jork – reparti për Studime Lintore dhe të Mesme të cilat i përfundon në dhjetor të vitit 2020.
Kapston projekti i tij (The Final Capstone Project) me titullin: “Të jesh imam në Nju Jork” (Being an Imam in New York City), i shkruar në formë të memoarit është shpallur më i miri.
Kapston projekti në semestrin pranveror të vitit 2020 është rekomanduar të botohet dhe të publikohet.
2.Ecuria në karierën arsimore
Nga viti 2001-2003 ka ndjekur studimet postdiplomike (ad-Dirasat al-‘Ulya), degaTefthir dhe Shkencat e Tefthirit në Fakultetin Usulu d-Din, Universiteti Al-Azharu në Kajro. Pas përfundimit të studimeve në maj të vitit 2004 fiton të drejtat për temën e magjistraturës: “Roli i i kuptimit-urtësisë në interpretimin e Kur’an –it sipas Tefsiru al-Manar”. Tema kryesisht ka qenë e lidhur me konsultimet me Prof. Dr. Enes Kariq. Temën nuk mundet ta mbojnë vetëm për arsye së ardhjes në SHBA më 2007.
Në vitin 2005 e ka ndjekur semestrin pranveror në Fakultetin e Shkencave Islamike në Sarajevë. Tërë kohën duke dëgjuar ligjerata dhe konsultime me profesorë të respektuar si : Prof.Dr. Jusuf Ramiq, Prof. Dr. Enes Kariq, Prof. Dr. Reshid Hafizoviq,
dhe Prof. Dr. Adnan Silajxhiq.
Po në atë kohë i ka shkruar rreshtat e parë të punimit tij të magjistraturës.
Në vitin 2007 filloi punën e rregullt si imam, hatib dhe ofiçar në Qendrën Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork, detyrë të cilën e ushtron edhe tash çdo ditë.
3.Gjuhët e huaja
Flet në mënyrë aktive: arabisht, boshnjakisht, anglisht.
Shërbehet edhe me gjuhën gjermane dhe françeze.
Edin Gjoni është i martuar, ka dy vajza.
Rrëfimi 3
Hfz Shyqyri ef. Bakalli (1957-1975)
Haxhi Hafiz Shyqyri ef. Bakalli, u lind më 5 shkurt të vitit 1914 në Ulqin. Në fëmijërinë e tij të hershme ka ndjekur mësim-besimin (mejtepin), ku tregon aftësi të veçantë në përvetësimin e programit mësimor. Veçanërisht dallohet me lexim të rregullt dhe të bukur të Kuranit, kështu që në moshë relativisht të re bëhet hafiz. Shkollimin e vazhdon në Shkodër. Me dekretin e Mexhlisit të Ulemave nga Shkupi në vitin 1933 emërohet myezin në xhaminë kryesore të Ulqinit. Në vitin 1936 emërohet imam dhe kurorëzues zyrtar në fshatin Dinoshë, afër Titogradit (Podgoricë). Në atë detyrë qëndron deri në vitin 1951, kur emërohet kryeimam i Titogradit. Krahas detyrës së imamit ka zbatuar edhe detyrën e sekretarit të Shoqatës së Alimave (Ilmija) të Malit të Zi; ishte anëtar i Kryesisë së Meshihatit të Republikës Popullore të Malit të Zi.
Në Kuvendin e Bashkësisë Islame të RPMZ, të mbajtur më 14 nëntor 1959 bashkëpunëtorët e tij, kolegët, imamët do ta zgjedhin Hafiz Shyqri ef. Bakallin për kryetar të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi. Ai njëherazi bëhet anëtar i rregullt i Meshihatit të Epërm dhe Kuvendit të Epërm të Bashkësisë Islame në nivel të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Haxhi Hafiz Shyqyri ef. Bakalli, pa dyshim i takon atyre gjeneratave të myslimanëve të cilët janë gjetur në mes të stuhive të fuqishme politike, turbullirave ekonomiko-shoqërore dhe fetare në hapësirat Jugosllave, e të cilat do të lënë gjurmë dhe pasoja të dukshme në mënyrën e të jetuarit të myslimanëve dhe praktikimit të tyre të fesë, qoftë kjo në mjedise qytetare apo ato fshatare.
Rrëfimi 4
Opinion nga Arben Halluni për Edin Gjoni
“Padyshim, mikun tim të ngushtë Edin Gjoni me të cilin kemi qenë për disa vite bashkëstudentë në Universitetin e Al-Az’harit në Kajro të Egjiptit, mund ta konsideroj si një thesar i çmuar të dijes islame, jo vetëm në vendin e tij të lindjes në Ulqin të Malit të Zi, por edhe të trevat e tjera shqipfolëse, në disaporë dhe gjetkë. Edini që meriton të jetë nga të parët e elitës islame shqiptare është mjeshtër i këshillave të ngrohta, shembull i formimit dhe argumentimit intelektual, predikues e ligjërues i përgatitur dhe edukator i nderuar. Kur ai refereron tema të ndryshme fetare dhe të përgjithshme e kupton se ai ka dalë para pjesëmarësve i përgatitur, studiues përfekt i temave shpirtërore dhe filozofike, duke sjellë tek çdo auditor qartësi, dobi dhe saktësi në shtjellimin e çështjeve të ndryshme. Mendoj se me diturinë e tij universale, sidomos atë islame, ka hyrë në mendjet dhe zemrat e besimtarëve, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ai ushtron aktualisht me shumë autoritet misionin e tij fisnik dhe të fisme”.
Në fund
Edin Gjoni është figurë ëmblematike fetare, gjithëshqiptare, gjithë kombëtare.
Po e përsëris mendimin: Edin Gjoni e ka vendin këtu në Mal të Zi.
Ai mund të jetë Reis i ardhshëm i Bashkësisë Islame të Malit të Zi.
