Të rinjtë kundër bullizmit

Drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi), Sabra Deceviq, në prononcimin për gazetën “Koha javore” thekson se pjesëmarrja e të rinjve në diskutime, interpretim rolesh dhe ndërhyrje në skenë ishte dëshmi e suksesit të këtij formati

Ulqin – Në kuadër të projektit tetëmujor “Edukimi ndërkulturor – Edukim për të gjithë”, që zhvillohet nga Organizata Joqeveritare “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi), të enjten më 10 prill në qytetin e Ulqinit u organizuan dy forum teatro për të rinjtë, në bashkëpunim edhe me Shkollën e Mesme të Përzier “Vëllazërim–Bashkim”.
Aktiviteti trajtoi një temë tejet aktuale dhe të ndjeshme – bullizmin mes bashkëmoshatarëve.
Kjo ngjarje ishte më shumë se një shfaqje teatrore e zakonshme, pasi synonte përfshirjen aktive të publikut, veçanërisht të nxënësve, në gjetjen e zgjidhjeve për situata që shpesh perceptohen si të pashpresa.
Drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi), Sabra Deceviq, në prononcimin për gazetën “Koha javore”, thekson se pjesëmarrja e të rinjve në diskutime, interpretim rolesh dhe ndërhyrje në skenë, ishte dëshmi e suksesit të këtij formati.
“Gjatë aktivitetit, publiku pati mundësinë të përfshihej në dy tema të ndryshme në formën e forum teatrit, të zhvilluara në gjuhën shqipe dhe malazeze, duke përforcuar edhe më tej mesazhin ndërkulturor dhe gjithëpërfshirës të projektit”, u shpreh Deceviq.
Ajo shtoi se ky projekt, i cili përfundon në fund të këtij muaji, kishte për qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të harmonishme dhe respektit të ndërsjellë mes të rinjve nga Ulqini dhe Tivari.
“Projekti në fjalë nënkuptoi realizimin e një numri të madh të aktiviteteve, nga trajnimet për mësimdhënës dhe nxënës, organizimin e një numri të madh të punëtorive, e deri tek shoqërimet e nxënësve dhe trajtimet e temave të ndryshme, përmes forum teatrit, me të cilat ballafaqohen të rinjtë sot”, theksoi drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi).
Ky Projekt, i mbështetur nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, synoi krijimin e një atmosfere mirëkuptimi dhe respekti mes të rinjve nga grupe të ndryshme etnike dhe kulturore, si dhe rritjen e përmbajtjeve mësimore që promovojnë ndërkulturalizmin dhe bashkëjetesën në shkollat e mesme.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat