Tuz – Vaksinimi i grupeve prioritare, ( i personave 80 dhe mbi 80 vjeç) për imunizim kundër virusit Covid-19, ka filluar këtë të hënë në Shtëpinë e shëndetit në Tuz.
Mjeku i këtij institucioni shëndetësor, z. Halil Dukoviq, duke u prononcuar për gazetën “Koha Javore” shprehet se gjatë ditës së hënë kanë mbërritur njëqind dozat e para të vaksinës së kompanisë farmaceutike Sinofarm nga Kina.
“Vaksinimi filloi sot (e hënë, më 22 mars 2021) nga ora 14 dhe do të zgjasë deri në orën 20 të mbrëmjes. Gjithashtu, vaksinimi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së martë. Këto dy ditë do të vaksinohen vetëm individët të cilët e kanë paraqitur interesimin e tyre për vaksinim”, u shpreh mjeku, Halil Dukoviq.
I pyetur se në ç’nivel paraqitet interesimi i të rinjve për t’u vaksinuar, z. Dukoviq u shpreh se aktualisht interesim më të shtuar paraqesin të moshuarit, kurse sipas tij nga të rinjtë për momentin mungon një interesim i tillë.
Megjithatë, ai beson se në periudhën në vazhdim edhe kjo grupmoshë do të shpreh interesim për t’u imunizuar. Dukoviq thekson se procesi i vaksinimit në këtë shtëpi të shëndetit do të vazhdojë edhe në të ardhmen, varësisht nga dozat e vaksinave që do t’i shpërndahen këtij institucioni shëndetësor.
t. u.
