Tuz- Gjysmëmaturantët e Shkollës Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz kanë mbaruar zyrtarisht procesin edukativo-arsimor (të obligueshëm) nëntëvjeçar me defileun e çifteve të cilin e organizuan te restoranti “Troja” të shoqëruar nga drejtori dhe zv/drejtori, nga kujdestarët e klasave dhe mësimdhënësit por edhe nga prindërit e tyre dhe nga një publik relativisht i gjerë.
Kanë qenë plot 136 nxënës të ndarë në pesë paralele, tri në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën malazeze të cilët defiluan me partner/e të tyre të zgjedhur, të veshur me kostume dhe fustane të përzgjedhura enkas për këtë natë unike, duke u bërë objekt i shumë “fotografëve” dhe “kameramanëve“ të cilët me syrin optik shkrepnin foto në drejtim nxënësve të cilët në sy të prindërve që po i ndiqnin me shumë emocione dhe entuziazëm, dukeshin më mirë se asnjëherë më parë dhe më të gëzuar se kurrë.
Sa i takon suksesit të kësaj gjenerate e cila sapo përfundoi shkollimin nëntëvjeçar, drejtori i shkollës, Nikollë Dukaj, në prononcimin për “Koha Javore”, tha se “në mesin e kësaj gjenerate ka nxënës të konsiderueshëm të cilët kanë sukses të shkëlqyer dhe që do të jenë fitues të çmimit “Pishtar”, por ka dhe nxënës me nota të dobëta, më pak të suksesshëm. Por, në tërësi jam i kënaqur me suksesin që kjo gjeneratë ka arritur gjatë këtyre viteve. Nëse potencojmë angazhimin e tyre në aktivitete shkollore, organizime të ndryshme, dua të shpreh lëvdata ndaj të gjithë nxënësve të cilët që të gjithë kanë dhënë maksimumin duke realizuar me sukses projekte e kuize të shumta”, theksoi Dukaj duke shtuar se asnjë gjysmëmaturant nuk do të humb vitin shkollor, edhe pse disa do t’i nënshtrohen riprovimit.
Gjysmëmaturantët të shoqëruar nga stafi edukativo-arsimor, kanë vijuar festën e tyre me organizimin e darkës solemne të shoqëruar dhe me tinguj të muzikës të cilët duke ngrënë e pirë, kënduar e vallëzuar, i kanë dhënë fund shkollës fillore nëntëvjeçare.
Kjo është gjenerata e 59 me radhë e cila përfundoi Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz. t.u.