Takime me krerët e komunave të Gucisë dhe Plavës

Guci/Plavë – Kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq dhe kryetari i Kuvendit të Komunës, Edvin Bektesheviq, kanë pritur të shtunën, më 8 nëntor 2025, konsullin e porsaemëruar të Malit të Zi në Nju Jork, bashkëvendësin Adell Omeragiq, në kuadër të përgatitjes së tij për marrjen e detyrës zyrtare.
Gjatë takimit, palët kanë shqyrtuar mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në mes të bashkësisë lokale dhe diasporës së shumënumërt në SHBA, si dhe mënyrën e fuqizimit të komunikimit dhe lidhjes së mërgimtarëve me atdheun.
Në bisedën e ndërsjellë, veçanërisht është theksuar rëndësia e kontributit të mërgimtarëve të shumtë me prejardhje nga Gucia e Plava, të cilët me punën dhe angazhimin e vet prezantojnë Malin e Zi në skenën ndërkombëtare.
Kryetarët Balliq dhe Bektesheviq kanë shprehur kënaqësinë që për herë të parë, pas një kohe të gjatë, Gucia ka fituar përfaqësuesin e vet në diplomaci.
Ndërkaq konsulli Omeragiq ka falënderuar udhëheqësit e Komunës së Gucisë për pritjen e përzemërt, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi me Gucinë dhe institucionet lokale do të jenë segment i rëndësishëm i mandatit të tij.
“Të prezantosh Malin e Zi në njërën prej qendrave kyçe diplomatike të botës është nder dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Si gucian i lindur, me krenari theksoj se vlerat e vendlindjes sime më përcjellin në çdo sfidë profesionale”, ka deklaruar ai.
Udhëheqësit e Komunës së Gucisë, bashkëvendësit të vet Adell Omeragiq i kanë dëshiruar mandat të suksesshëm, duke shprehur gatishmërinë për fuqizim të mëtejmë të bashkëpunimit institucional në fushëveprimet e kulturës, ekonomisë dhe punës me diasporën.
Një ditë më vonë, të dielën, më 9 nëntor 2025, konsulli Omeragiq është pritur në Komunën e Plavës nga krerët e saj – kryetari Nihad Canoviq dhe kryetari i Kuvendit të Komunës, Allen Balliq.
Gjatë takimit konstruktiv është biseduar për mërgimtarët plavjanë në Amerikë, lidhjet e tyre me vendlindjen si dhe për mënyrat se si këto lidhje të bëhen edhe më të fuqishme.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, ka shprehur bindjen që Adell Omeragiq me vullnet të sinqertë do ta kryejë detyrën e konsullit dhe do të jetë përfaqësues i denjë dhe i vërtetë i Plavës dhe i Malit të Zi.
Në fund të takimit, kryetarët Canoviq dhe Balliq i kanë dëshiruar konsullit Omeragiq mandat të suksesshëm, shëndet, mirëqenie dhe fat në detyrën e re.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat