Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka- Hoxha gjatë takimit të zhvilluar të premten më 1 dhjetor 2023 me nënkryetarin e Qeverisë së Malit të Zi për Siguri, Politikë të Brendshme dhe Punë të Jashtme dhe Evropiane, Aleksa Beçiq ka theksuar lidhjet historike, politike dhe ndër njerëzore të vetë qytetarëve që lidhin Malin e Zi dhe Kosovën, duke shprehur falënderim ndaj Malit të Zi për mbështetjen ndaj shumë proceseve të integrimit dhe të reformave.
Nga Zyra e nënkryetarit të Qeverisë së Malit të Zi për Siguri, Politikë të Brendshme dhe Punë të Jashtme dhe Evropiane, njoftohet se ambasadorja e Republikës së Kosovës, Ariana Zherka-Hoxha, ka konstatuar se suksesi i Malit të Zi në rrugën evropiane do të sjellë dobi për Kosovën dhe për tërë Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në nivelin e shkëmbimit të përvojave, por edhe për atë se, Mali i Zi nga ky pozicion do të mund të ndihmojë fqinjët më lehtë.
“Zherka- Hoxha, veçanërisht ka theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, duke marrë parasysh kufijtë e përbashkët dhe nevojën për veprim të përbashkët në kundërpërgjigjen ndaj krimit të organizuar”, thuhet në këtë deklaratë.
Ndërkohë, nënkryetari Beçiq ka konfirmuar orientimin njëqind për qind të Malit të Zi për kursin evropian dhe pro perëndimor, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit me shtetet fqinje.
“Nga bashkëpunimi reciprok i shteteve të Ballkanit Perëndimor, i marrëdhënieve të mira ekonomike, politike, ndihmës në proceset integruese dhe në forma të tjera të bashkëpunimit, të gjithë së bashku kemi dobi, dhe nga qasjet e tjera ekziston vetëm dëmi, kështu që formula është shumë e thjeshtë. Rruga e bashkëpunimit, e dialogut dhe e marrëveshjeve nuk ka alternativë”, ka theksuar ndër të tjera Beçiq.
t. u.