Në Andrijevicë, më 12 shtator 2021, përfundoi Liga e dytë e Malit të Zi në shah, në të cilën Klubi i shahut “Plavsko Jezero” (Liqeni i Plavës) nga Plava, zuri vendin e parë dhe u plasua në Ligën e parë të Malit të Zi në shah.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, dhe kryetarja e Kuvendit të Komunës, Jasmina Cikotiq, kanë pranuar përfaqësuesit e klubit në fjalë, të cilëve ua kanë dorëzuar fletë falënderimet për bashkëpunim të suksesshëm në përkrahje të ofruar në periudhën e kaluar.
Duke theksuar rëndësinë e rezultatit të arritur, kryetari Canoviq ka falënderuar anëtarët e klubit, që më se dy dekada në kushte modeste afirmojnë dhe promovojnë këtë lojë fisnike në qytetin e Plavës.
“Komuna e Plavës, si deri më tani, do t’i përcjellë dhe përkrah sukseset të cilat i realizoni në planin sportiv, derisa në fushën e afirmimit të rinisë për këtë lojë të lashtë, me forca të përbashkëta mjaft mund të bëjmë”, ka theksuar kryetari i komunës, Nihad Canoviq.
Ky është suksesi më i madh i Klubit të shahut “Plavsko Jezero” në historikun e vet, i cili për herë të parë do të garojë në Ligën e parë të Malit të Zi në shah. Suksesi është shumë më i madh kur merret parasysh e dhëna se të gjithë lojtarët janë nga territori i komunave të Plavës dhe Gucisë. Përbërjen themelore të klubit e bëjnë: Kemall Purishiq (ish deputet i Parlamentit të Malit të Zi, ish ministër i punës dhe i përkujdesjes sociale në Qeverinë paraprake dhe nënkryetar i Partisë Boshnjake), Stevo Turkoviq, Fahrudin Feratoviq, Ekrem Çekiq, Safet Kojiq, Ahmed Delanin, Jakup Canoviq, Sokol Bashiq, Safet Çekiq, Mensur Shaboviq dhe Faris Markishiq.
Sh. Hasangjekaj