Subvencionet lehtësojnë prodhuesit, por tregu mbetet sfidë

“Edhe këtë vit (2025) kemi planifikuar afro 589 mijë euro, të cilat janë të shpërndara në tetë linja. Pagesat e drejtpërdrejta të planifikuara janë rreth 300 mijë euro dhe thirrja publike është mbyllur më 30 gusht 2025, ku kemi 226 kërkesa, ndërsa shuma maksimale që një fermë apo një prodhues mund të mbështetet është 6 mijë euro, pra 400 euro për dy hektarët e parë, ndërsa nga 300 euro për hektarët e katërt dhe të pestë”, thekson sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Tuzit, Ismeta Gjoka

Treva e Malësisë prej vitesh ka qenë dhe mbetet e lidhur ngushtë me sektorin e bujqësisë, i cili vazhdon të jetë njëra ndër bazat kryesore të jetesës së banorëve të saj.
Në Malësi kultivohen kultura nga më të ndryshmet, që nga perimet e freskëta e deri te prodhimet tradicionale, të cilat njihen për cilësinë dhe shijen e tyre në treg.
Për shumë familje të Malësisë, puna në arë dhe kujdesi ndaj tokës, përveçse burim i të ardhurave, është edhe një traditë e trashëguar brez pas brezi, të cilën ata e vazhdojnë me përkushtim.
Për të mësuar më shumë mbi prodhimet dhe subvencionet e këtij viti, biseduam me sekretaren e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Tuzit, Ismeta Gjoka.
Sipas saj, prodhimi i shalqirit në Malësi ka qenë këtë vit shumë i suksesshëm, me prodhim të lartë dhe çmim të kënaqshëm në treg për prodhuesit bujqësorë, ndërkohë që tregu për produktin e patates nuk ka qenë i favorshëm.
Ajo shtoi se viteve të fundit në trevën e Malësisë janë rritur sipërfaqet e kultivuara me hardhinë e rrushit, me afro 72 hektarë, produkt i cili ka pasur, siç tha, çmim të favorshëm për shitje.
“Gjithashtu viteve të fundit kultivimi i ullirit është treguar shumë i suksesshëm, ku aktualisht kemi rreth 13 hektarë me ullinj, mirëpo varieteti është i fokusuar te prodhimi i vajit. Kjo prodhimtari ka potencial për t’u zgjeruar, mirëpo duke iu referuar sipërfaqeve shumë të vogla e duke pasur parasysh që ulliri është bimë shumëvjeçare dhe zë një sipërfaqe më të madhe, prodhuesit e ruajnë tokën më shumë për prodhimin e perimeve”, u shpreh Gjoka.
Në lidhje me subvencionimin e këtij viti në sektorin e bujqësisë, ajo thotë se duke iu referuar mundësive financiare që ka komuna, ato janë pothuajse solide, por afatgjata.
“Edhe këtë vit (2025) kemi planifikuar afro 589 mijë euro, të cilat janë të shpërndara në tetë linja. Pagesat e drejtpërdrejta të planifikuara janë rreth 300 mijë euro, dhe thirrja publike është mbyllur më 30 gusht 2025, ku kemi 226 kërkesa, ndërsa shuma maksimale që një fermë apo një prodhues mund të mbështetet është 6 mijë euro, pra 400 euro për dy hektarët e parë, ndërsa nga 300 euro për hektarët e katërt dhe të pestë”, thekson sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Tuzit, Ismeta Gjoka.
Ajo më tej u shpreh se subvencionimi për kokë lope është 25 euro, 6 euro për dele e dhi, ndërsa shuma maksimale për një fermë ka qenë 300 euro, me gjithsej 11 kërkesa, kurse mjetet e planifikuara për këtë qëllim kanë qenë 4 mijë euro.
“Për blegtori thirrja publike u mbyll më 15 gusht 2025 dhe janë planifikuar 80 mijë euro, dhe për të gjitha i kemi bërë pagesat – edhe për shfrytëzimin e kullosave, edhe për blegtori. Bletaria është ende aktuale, dhe thirrja publike është deri më 30 shtator 2025, nga 10 euro për koshere, maksimumi është 2 mijë euro për një bletar”, tha Gjoka.
Duke folur për kontributet, ajo tha se ato janë ende të hapura, ku janë planifikuar 3 mijë e 500 euro, ndërsa mbështetja për një të siguruar është deri në 50 për qind.
Ajo më tutje tha se për sa i takon mbështetjes për korrje, kanë pasur 35 kërkesa, të cilat i kanë kryer me pagesa për rreth 55 hektarë grurë dhe drithëra të tjera.
Ajo më tej shprehu keqardhje në lidhje me rënien e kultivimit të drithërave pasi, siç tha, para dhjetë vitesh në Malësi kishte rreth 100 hektarë me këto kultura.
Subvencionimet këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, tha ajo, janë përqendruar në të gjitha kulturat shumëvjeçare.
Gjithashtu, ajo bëri të ditur se janë mbështetur sivjet (nga janari deri në korrik) edhe 70 prodhues të qumështit me mbi 128 mijë euro.
Ky sekretariat, shtoi ajo, mbështet edhe panairet bujqësore që organizohen në komunën e Tuzit dhe aktivitete të tjera.
Duke folur për problemin e tregut, që vazhdon të përbëjë një pengesë të madhe për prodhuesit vendas, Gjoka u shpreh se aty Sekretariati nuk mund të ketë ndikim, pasi politikën e tregut e menaxhon Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave.
“Ministria ka mekanizma që këtë problem ta evitojë apo ta zbehë në dobi të prodhuesve tanë”, tha Gjoka.
Me gjithë sfidat e tregut dhe ndryshimet graduale në disa kultura, bujqësia në Malësi mbetet një sektor i rëndësishëm për jetesën e banorëve, ndërsa subvencionet dhe mbështetjet e tjera synojnë të ndihmojnë fermerët në punën e tyre dhe të ruajnë prodhimet vendase.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat