“Pazari i dimrit” është një manifestim tashmë tradicional që organizohet prej disa vitesh në komunën e Tuzit, përkatësisht në sheshin e ri “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, dhe i cili ofron një shumësi ngjarjesh kulturore e zbavitëse.
Këtë vit, aktivitetet do të fillojnë më 20 dhjetor 2025 dhe do të zgjasin deri më 2 janar të vitit të ardhshëm.
Lidhur me risitë kryesore të këtij edicioni krahasuar me të mëparshmit, sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale të Komunës së Tuzit, Marina Ujkaj, thotë se do të ketë aktivitete kushtuar fëmijëve, të rinjve dhe grupeve më të moshuara.
“Programi i sivjetshëm do të ofrojë shumëçka në shesh, ku vizitorëve gjatë katërmbëdhjetë ditëve do t’u ofrohet pije dhe ushqime tradicionale si dhe punime artizanale”, shprehet ajo.
Të kyçura në këtë manifestim, sipas Ujkajt, do të jenë edhe shkolla fillore “Mahmut Lekiq” dhe Gjimnazi “25 Maji”, të cilat do të prezantojnë afarizmin e nxënësve të tyre.
“Secila shkollë do të ketë në dispozicion nga një ditë, e cila është e dedikuar për ta”, thekson ajo.
Përveç këtyre, gjatë këtij pazari, në shesh do të ketë edhe aktivitete të tjera me fokus fëmijët, përfshirë shfaqje të teatrit të kukullave, ‘Magjia e Vitit të Ri’, një program që, sipas Ujkajt, u kushtohet enkas fëmijëve për pritjen e Vitit të Ri, por edhe qytetarëve të tjerë.
“Sa u përket artistëve pjesëmarrës, në këtë ‘pazar dimri’, do t’i kemi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga Malësia. Me praninë e këtyre artistëve programi do të jetë shumë i larmishëm, shumë i bukur dhe shumë i pasur”, shprehet Ujkaj.
Përmes këtij prononcimi, ajo i fton të gjithë qytetarët e komunës së Tuzit, si edhe qytetarët nga Shqipëria, Ulqini dhe Podgorica, që t’u bashkëngjiten për të kremtuar festat e fundvitit në një atmosferë të këndshme.
“Pazari i dimrit” realizohet nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit në bashkëpunim me QKI “Malësia” dhe Organizatën Turistike.
t. u.
