Shqiptarja dhe gruaja e parë në këtë post, që nga themelimi i kësaj bashkie

Violeta Berisha është shqiptaro-amerikanja e parë dhe njëherësh gruaja e parë që do ta drejtojë Bashkinë e qytetit Fairview në New Jersey të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këtë e ka konfirmuar edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në SHBA, e cila me anë të një njoftimi në faqen e saj të fejsbukut, njoftoi se kjo ditë shënon një moment historik për komunitetin shqiptar në Amerikë.
“Violeta Berisha u betua si kryetarja e Bashkisë së Fairview, Nju Xhersi. Urime Violeta Berisha, e para grua dhe kryebashkiake shqiptare që merr këtë detyrë. Mirënjohje dhe krenari për arritjet e saj dhe komunitetin. Suksese në rrugëtimin Tuaj. Krenarë për arritjet e shqiptarëve kudo që janë” thuhet në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në SHBA.
Ndërkaq, znj. Berisha në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, ndër të tjera ka thënë se njeriu mund të arrijë gjithçka që synon.
“Unë nuk e kisha ëndërruar kurrë se do të drejtoja një qytet. Më parë kisha mbajtur detyrën e këshilltares, që dhe ajo ishte diçka shumë e veçantë për mua. Dhe tani, të jem kryetare, shqiptarja e parë si kryetare bashkie, shqiptarja e dytë si kryebashkiake, por e para në shtetin e New Jersey, kjo është shumë e veçantë”, është shprehur ajo.
Më tutje, gjatë kësaj interviste, znj. Berisha është zotuar se do të ndihmojë komunitetin shqiptar të qytetit Fairview, me çfarëdo që të mundet.
“Komuniteti shqiptar përbën rreth 10% të popullsisë së qytetit. Jam e gatshme t’i ndihmoj me gjithçka që kanë nevojë, në cilindo prej qyteteve dhe që do të na drejtohen për ndihmë në këtë komunitet”, është shprehur ajo.
Ndërkaq, sipas raportimit të mediave që kanë pasqyruar arritjen e Violeta Berishës si kryebashkiake e parë shqiptare, bëhet e ditur se znj. Berisha është me origjinë nga Puka e cila e kishte braktisur Shqipërinë në vitin 1951, për t’i ikur komunizmit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat