Të enjten, më 16 qershor 2022, në ambientin e Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” të Plavës, janë tubuar maturantët me sukses të shkëlqyer, prindërit e tyre, mësimdhënësit, stafi punëdrejtues i shkollës, në krye me u.d. të drejtorit të shkollës, zonjën Snezhana Bojoviq, dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, për të marrë pjesë në ndarjen e diplomave “Lluça” (Pishtari) për nxënësit, për rezultatet e larta në mësim, që ata kanë shënuar gjatë tri dhe katër viteve shkollore në këtë shkollë.
Nga 144 maturantët e nëntë paraleleve mësimore (njëra nga ato me 10 maturantë të gjeneratës së tretë të paraleles së ndarë të shkollës në Guci), dy prej të cilave me 31 maturantë me mësim në gjuhën shqipe, 19 maturantë gjatë shkollimit nëntë vjeçar dhe tre e katër vjeçar të mesëm, kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, 6 prej të cilëve, notat në të gjitha lëndët mësimore i kanë pasur të shkëlqyera, u janë ndarë diplomat “Lluça I” (Pishtari I), kurse 13 të tjerëve, të cilët kanë pasur sukses të shkëlqyer por jo në të gjitha lëndët mësimore, u janë ndarë diplomat “Lluça II”(Pishtari II).
Për suksesin e arritur mësimor dhe sjelljen shembullore, me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, maturantët janë shpërblyer me nga një libër.
Ushtruesja e detyrës të drejtorit të shkollës, Snezhana Bojoviq, e cila bashkë me kryetarin e komunës, Nihad Canoviq, maturantëve ua kanë dorëzuar diplomat, pasi ka përshëndetur gjithë të pranishmit në ceremonialin solemn ka thënë: “Dita e dorëzimit të diplomave “Lluça” (Pishtari), për maturantët, të cilët me suksesin dhe sjelljet e veta, kanë merituar të bartin epitetin e nxënësve më të mirë të gjeneratës, për shkollën është solemniteti më i rëndësishëm gjatë vitit shkollor”. Ajo në vazhdim ka theksuar se “Ne si shkollë, u jemi mirënjohës nxënësve maturantë, të cilët para tri dhe katër vitesh kanë trokitur në dyert e kësaj shkolle dhe në të kanë aplikuar për të vazhduar shkollimin e mesëm, e sot mu atyre ua dorëzojmë solemnisht diplomat “Lluça” (Pishtari).
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e vet përshëndetëse, maturantëve të suksesshëm, laureatëve të diplomës “Lluça” (Pishtari), u ka dëshiruar fat, shëndet dhe sukses në vazhdimin e shkollimit të mëtejmë universitar, duke theksuar se Plava gjithmonë ka qenë e njohur me persona dhe individë të jashtëzakonshëm që kanë bërë emër dhe janë në zë në veprimtaritë e veta profesionale.
Laureatë të diplomës “Lluça I“(Pishtari I), janë maturantët: Edill Srdanoviq, Stefan G Rajkoviq, Ellanda Canoviq, Xhejllana Dreshkoviq, Rahman Emini dhe Allen Toshiq, kurse laureatë të diplomës “Lluça II “(Pishtari II), janë maturantët: Amilla Jashareviq, Milan Jokiq, Amell Gjesheviq, Xhenan Cirikoviq, Rijad Srdanoviq, Sellma Shahmanoviq, Mellina Gutiq, Ellma Hot, Ellma Çekiq dhe Stefan S Rajkoviq, nga paralelet me mësim në gjuhën malazeze dhe Anjeza Balidemaj, Anjeza Hasangjekaj dhe Ditmir Ulaj, nga paralelet me mësim në gjuhën shqipe.
Kolektivi i mësimdhënësve të shkollës, për nxënës të gjeneratës për këtë vit shkollor në drejtimin e gjimnazit me mësim në gjuhën malazeze shpalli maturantin Edill Srdanoviq, i cili në fjalën e rastit, në emër të vetin dhe të maturantëve të gjeneratës së vet, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi mësimdhënësit për punën dhe kontributin e dhënë edukativo-arsimor gjatë tri dhe katër viteve shkollore. Nxënës të gjeneratës në drejtimin profesional të shkollës për këtë vit, u shpall maturantja e drejtimit medicinal Xhejllana Dreshkoviq, kurse maturante të gjeneratës në paralelet me mësim në gjuhën shqipe u shpall nxënësja Anjeza Balidemaj. Të gjithë maturantëve të gjeneratës, shkolla ua ndau certifikatën përkatëse dhe nergut i shpërbleu edhe me nga një libër.
Tre maturantët shqiptarë, laureatë të diplomës “Lluça” (Pishtari), Anjeza Balidemaj, Anjeza Hasangjekaj dhe Ditmir Ulaj, për gazetën “Koha Javore”, deklaruan se do t’i vazhdojnë studimet në fakultetet e universiteteve të Kosovës.
Sh. Hasangjekaj