Shkolla e Muzikës, vepër jetësore e Likës

Ulqin – Shkolla për Arsimimin Fillor të Muzikës dhe Baletit në Ulqin ka shënuar 70-vjetorin e profesorit të muzikës Jusuf Lika, themelues dhe ish-drejtor i kësaj shkolle, me një koncert dhuratë dhe përurimin e monografisë kushtuar Shkollës së Muzikës.
Drejtoresha e Shkollës së Muzikës në Ulqin, Fatime Buzuku, ka thënë në fjalën përshëndetëse se duke qenë se Lika ka mbushur këto ditë 70 vjet, kanë menduar se ditëlindjet janë momenti më i bukur për të qenë së bashku dhe për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për profesorin i cili i ka orientuar nxënësit në rrugën e muzikës duke gjallëruar në këtë mënyrë jetën muzikore në Ulqin.
Ajo ka falënderuar për idenë dhe kontributin në realizimin e këtij aktiviteti profesorin dhe violinistin me origjinë ulqinake, Ramazan Peku.
Në pjesën e parë të mbrëmjes është bërë përurimi i monografisë “Shkolla e Muzikës – Ulqin (1995-2020)” me autor Jusuf Likën, e cila është botuar me rastin e 25-vjetorit të kësaj shkolle, për të cilën kanë folur gazetarët dhe publicistët Mustafa Canka dhe Ismet Kallaba.
Duke folur për monografinë, Canka ka thënë se Jusuf Lika ka pasur një vizion krijues të mrekullueshëm.
“Në atë kohë, të krijosh një institucion muzikor në Ulqin është dashur shumë vullnet, dije, energji, vizion, punë, mjete financiare. Mund të them se i vetmi që ka mundur ta bëjë këtë ka qenë profesori Jusuf Lika. Dhe ia ka arritur qëllimit. Edhe kur shumë (njerëz) nuk kanë besuar për këtë, edhe kur kanë menduar se po bën punën e Sizifit, ai e ka bërë këtë dhe mendoj se ky është projekti i tij jetësor, krahas familjes së tij të mrekullueshme”, është shprehur ai.
Canka ka thënë se megjithëse Lika është njeri i përmbushur, ai nuk mjaftohet me atë çfarë ka bërë dhe ka arritur deri tani, por ka ide dhe projekte të reja.
Gazetari Ismet Kallaba ka thënë se ndihmesa e Jusuf Likës për artin dhe kulturën e Ulqinit dhe të shqiptarëve në Malin e Zi është e pamasë. Megjithatë, sipas tij, “Shkolla e Muzikës është vepër jetësore e profesorit Jusuf Lika”.
Ai ka thënë se me monografinë kushtuar Shkollës së Muzikës në Ulqin me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj, Lika e ka rrumbullakësuar në njëfarë mënyre punën e tij në Shkollën e Muzikës.
“Monografia është dëshmi e rrugëtimit 25-vjeçar të Shkollës së Muzikës në Ulqin. Në të pasqyrohen të gjitha etapat kryesore nëpër të cilat ka kaluar Shkolla e Muzikës në Ulqin dhe dokumentohen aktivitetet kryesore të saj, sukseset etj.”, ka theksuar Kallaba, duke shtuar se autori nuk e ka pasur “të vështirë” ta punojë këtë monografi për arsye se “për çdo ditë, që nga themelimi dhe ditët e para të Shkollës së Muzikës dhe deri në fund të punës së tij në të, ka grumbulluar materiale të ndryshme duke e pasuruar arkivin e Shkollës së Muzikës përveçse me dokumente shkresore, edhe me artikuj të botuar në media të ndryshme, fotografi nga aktivitetet e shumta etj.”
Në pjesën e dytë të aktivitetit për të pranishmit është shfaqur koncerti, ku kanë luajtur pjesë muzikore në piano, kitarë dhe fisharmonikë nxënësit e Shkollës së Muzikës – Ditjon Dragoviq, Endrit Pelingu dhe Vuk Gjakonoviq, si dhe kanë luajtur dhe kënduar ish-nxënës, tashmë profesorë të kësaj shkolle – Fatime Buzuku, Jelena Knezheviq, Gjylie Pelingu – Hoxha, Jozo Jakoviq, Adrian Peroviq, Hristina Dragoviq, Aksa Murati – Nimanbegu dhe Ardit Lika. Po ashtu pjesë e koncertit kanë qenë edhe violinistët nga Tirana, Ramazan Peku dhe Miron Peku.
Në fjalën e tij, profesori Jusuf Lika ka thënë se falënderon Zotin që ia ka plotësuar dëshirën e tij jetësore që të themelojë shkollën e muzikës, të cilën ai e ka quajtur “një fidanishte të talenteve, të profesorëve të mirë dhe të adhuruesve të artit të muzikës”.
Ai ka falënderuar po ashtu nismëtarët për organizimin e mbrëmjes kushtuar atij – drejtoreshën e Shkollës së Muzikës dhe ish-nxënësen e gjeneratës së parë të kësaj shkolle, Fatime Buzuku, si dhe mikun e tij nga Tirana, profesor Ramazan Pekun.
Aktiviteti është mbajtur të premten mbrëma (10 nëntor 2023) në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat