Në Ditën Botërore të luftës kundër Diabetit, që çdo vit shënohet më 14 nëntor, Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi bëri të ditur se, sipas vlerësimeve të Federatës Ndërkombëtare të Diabetologjisë (IDF Diabetes Atlas, 2021), rreth 21 600 të rritur në vend jetojnë me diabet të padiagnostikuar, ndërsa gjithsej vlerësohet se rreth 50 000 qytetarë mbi 20 vjeç kanë diabet.
Në lidhje me këtë tematikë, biseduam me mjekun Kristijan Lulgjuraj, i cili për gazetën “Koha javore” shprehet se diabeti mellitus është një sëmundje që është gjithnjë në trend rritës, si pasojë e numrit përherë e më të madh të personave me mbipeshë, jetës sedentare dhe dietës së pashëndetshme.
“Te diabeti mellitus tip 2 mund të kalojnë vite para se të shfaqen simptomat e sëmundjes. Edhe kur shfaqen, ato fillimisht janë të lehta dhe pacienti nuk u kushton vëmendje. Mungesa e kontrolleve mjekësore rutinë bën që jo rrallë diagnostikimi i sëmundjes të bëhet vetëm pasi ajo të ketë shkaktuar komplikime”, thotë ai.
I pyetur mbi faktorët kryesorë që ndikojnë nëse njeriu do të zhvillojë një sëmundje, në këtë rast edhe diabetin, Lulgjuraj thotë se stilet e të jetuarit e përcaktojnë këtë.
“Edhe nëse mund të kemi predispozitë të lartë gjenetike për sëmundjen në fjalë, nëse i zbatojmë stilet e shëndetshme të jetesës, mund ta shmangim zhvillimin e saj. Mbajtja e peshës trupore brenda normës, aktiviteti i rregullt fizik, ushqimi i shëndetshëm, gjumi i rregullt, menaxhimi i stresit, shmangia e duhanpirjes dhe kufizimi i alkoolit kanë role kyçe në parandalimin e diabetit”, shprehet mjeku Kristijan Lulgjuraj.
Më tej doktori thekson se jemi vetë ne që kontribuojmë në zhvillimin e sëmundjeve që në momentin kur devijojmë nga stilet e shëndetshme të jetesës.
“As periudha e fëmijërisë nuk shpëton nga ky rregull. Deri tri dekada më parë, diabeti mellitus tipi 2 konsiderohej sëmundje e të rriturve, por ndryshimet në stilin e jetesës te fëmijët viteve të fundit, jeta sedentare, dieta e pashëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik, obeziteti, kanë çuar në zhvillimin e sëmundjes në fjalë edhe te fëmijët dhe te të rinjtë”, thotë Lulgjuraj.
Ai në fund të kësaj bisede jep këshilla të vlefshme për të parandaluar sëmundjen e diabetit.
“Angazhimi i fëmijëve në aktivitete fizike, si në sporte të ndryshme, shmangia e ushqimeve të pashëndetshme, mbajtja e peshës trupore brenda normës janë masa kyçe për parandalimin e zhvillimit të sëmundjes në fjalë”, përfundon Lulgjuraj.
Instituti i Shëndetit Publik, duke iu referuar regjistrit të pacientëve me diabet, thekson ndër të tjera se Mali i Zi, ashtu si shumica e shoqërive moderne, përballet me plakjen e popullsisë, rritjen e mbipeshës dhe urbanizimin e përshpejtuar, që rrisin më tej rrezikun për zhvillimin e paradiabetit, diabetit dhe diabetit gestacional.
“Të dhënat e regjistrit tregojnë se vazhdon të shënohet rritje e të prekurve te të rinjtë, sidomos në moshën 14-19 vjeç, ndërsa numri i fëmijëve nën 14 vjeç mbetet i lartë, por stabil. Edhe pse te të rinjtë dominon ende diabeti tip 1, gjithnjë e më shpesh regjistrohet edhe diabeti tip 2, çfarë është në përputhje me rritjen e obezitetit në popullatën fëmijënore dhe adoleshente”, theksojnë nga ky institucion.
Ata tregojnë se te të rriturit, diabeti tip 2 mbetet forma më e përhapur dhe të dhënat tregojnë se rreth 80 për qind e të sëmurëve kanë peshë të shtuar, ndërsa 40 për qind janë fizikisht joaktivë, çfarë e thekson edhe më shumë rëndësinë e aktiviteteve parandaluese dhe ndryshimeve në stilin e jetesës.
t. u.
