Sa të lumtur e të disponuar, po aq edhe të emocionuar

Ndër shtatë paralelet me gjithsej 131 maturantë të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, që këtë vit shkollor kryen shkollën e mesme, gjashtë në shkollën amë në Plavë dhe një në paralelen e ndarë fizike në Guci, është edhe paralelja e gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe me 17 nxënës – dhjetë vajza: Aferdita Hysenaj, Agnesa Hasangjekaj, Ajeslla Brahaj, Blearta Dedushaj, Bleona Hasangjekaj, Farie Hasangjekaj, Fiona Gjonbalaj, Krenare Prelvukaj, Nora Sinanaj e Vanesa Vuçetaj, dhe shtatë djem: Endi Ulaj, Endrit Dedushaj, Faruk Hakaj, Fatlind Gjonbalaj, Kristijan Vushaj, Muzli Haxhaj dhe Rigon Vuçetaj, me kujdestar klase, Faruk Novaj, të shtunën e kaluar, më 19 qershor 2021, shënuan Mbrëmjen e maturës.
Që në orët e hershme të mbrëmjes, para godinës së shkollës, ku përfunduan maturën, u tubuan djem e vajza maturantë, të veshur me rroba asnjëherë më të bukura – vajzat me fustane të modës ngjyrash dhe dizajnësh të ndryshme, kurse djemtë me kostume të larmishme më moderne. Rrobat i kishin përgatitur më parë, falë mirësisë, mirëkuptimit dhe përkujdesjes së prindërve të tyre të cilët nga buxheti familjar ua kishin siguruar, por edhe nga të afërmit e tjerë, për të shënuar dhe përjetuar në mënyrë sa më madhështore njërën ndër festat më të mëdha të jetës së tyre – Mbrëmjen e maturës, mbrëmjen e lumturisë e disponimit, po aq edhe të emocionimit. Ajo ishte mbrëmje kur ata njëri-tjetrit me buzë në gaz, por edhe me lot në sy, i thanë lamtumirën e fundit pas shumë vitesh të kaluara bashkë, me disa nga katër, me ca të tjerë nga nëntë, por edhe me disa nga 13 vite shkollore, duke ndarë bashkë të mirën dhe të keqen, gëzimin, e ndonjëherë edhe hidhërimin, lojën dhe piknikun, vizitat e ndërsjella, por edhe ekskursionet njëditore brenda komunës, jashtë saj dhe më gjerë.
Në dallim nga vitet e kaluara shkollore, kur djemtë dhe vashëzat maturantë, të vargëzuar nga dy dhe tre parakalonin nëpër rrugët e qendrës së qytetit të Plavës, e më pas edhe nëpër ato të Gucisë, këtë vit, sikur edhe vitin e kaluar shkollor, maturantët për shkak të pandemisë së korona virusit Covid-19, e patën shumë më të shkurtër (të reduktuar). Të rreshtuar nga dy, pikënisje patën platoun e oborrit të shkollës, për të vazhduar pastaj parakalimin nëpër sheshin e ri të qytetit të gjatë disa dhjetëra metra, e i cili gjendet mu pranë objekteve shkollore (fillore dhe të mesme), në praninë e një numri të konsiderueshëm personash, prindërve, familjarëve të ngushtë, por edhe të tjerëve, të cilët kishin ardhur që gëzimin e mbrëmjes së maturës ta ndajnë me fëmijët dhe të afërmit e tyre, e të cilët gjendeshin në distancë nga maturantët, për të vazhduar rrugëtimin me autobus në restorantin e kompleksit mini turistik “Aqua”, që gjendet përballë liqenit të Plavës, mu pranë rrugës rajonale Guci-Plavë, në lagjen Llatek të fshatit Brezojevicë, jo larg Plavës. Të shoqëruar nga kujdestarët e klasëve e nga profesorët e tjerë, maturantët festuan deri në orët e hershme të ditës së nesërme.
Drejtori i shkollës, Rifat Balliq, në vizitën që ua bëri maturantëve në lokalet e restorantit të sipërpërmendur, në fjalën e vet të rastit, atyre me admirim, por edhe me dozë emocioni, iu drejtua: “Kam kënaqësi, obligim dhe nderë që t’u përshëndes në emër të kolektivit të shkollës, ku përfunduat maturën, por edhe në emër timin personal. Jam i sigurt se ju nga kjo shkollë do të bartni përplot kujtime të bukura, por edhe dituri, të cilat do t’u ndihmojnë që të sigurt të hapëroni rrugëve jetësore, por edhe të pajiseni me njohuri të reja dhe të sendërtoni ardhmërinë tuaj të lumtur”, është shprehur ai dhe në vazhdim ka shtuar: “U drejtohem juve – mjekëve, inxhinierëve, juristëve, ekonomistëve, profesorëve, programerëve dhe specializantëve të profileve të reja të ardhshme, me të cilët padyshim shkolla do të krenohet. Ajo që është në radhë, por edhe ajo në të cilën ne besojmë, është se ju do të vazhdoni zhvillimin dhe përsosjen tuaj profesionale intelektuale
“Maturantë të dashur, prej sot ju presin nxitje e sfida të reja, dhe me këtë rast dua t’ju porosis se mu prej kësaj dite nxitoni hapëroni rrugët e reja deri diku të panjohura. Ekzistojnë gjëra për të cilat nuk kemi mundur t’u përgatisin, takimet me njerëz dhe ngjarje për të cilat nuk keni mundur t’i mësoni nga librat. Por, ajo që së bashku ja kemi dalë, është se jeni bërë madhor, njerëz të pjekur e të kalitur, të vetëdijshëm për rëndësinë e përgjegjësinë personale. Edhe njëherë, me tërë zemër, ua uroj mbrëmjen e maturës dhe ju dëshiroj çdo të mirë, shëndet dhe fat në jetë”, ka përfunduar drejtori i shkollës, Rifat Balliq.
Maturantët, sa ishin të lumtur e të disponuar, po aq ishin edhe të emocionuar. Të lumtur e disponuar se po finalizonin punën e tyre 12 dhe 13 vjeçare të edukimit e të arsimimit të mesëm, e të emocionuar se po ndaheshin përgjithmonë si pjesëtarë të bashkësisë së klasës të cilës i takonit, të shoqërisë së ngushtë që kishin dhe shumëçka tjetër në këtë drejtim.
Mirëpo, edhe përkundër gjithë kësaj, maturantët janë zotuar se nuk do të jenë larg njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se ku do të vazhdojnë shkollimin e mëtejmë superior në universitetet e ndryshme, kryesisht të Malit të Zi, ata me mësim në gjuhën malazeze, dhe në universitete të Kosovës, Shqipërisë e Malit të Zi, ata me mësim në gjuhën shqipe.
Në lokalet e restorantit “Aqua”, deri në orët e vona të natës, nuk kanë pushuar tingujt e muzikës, me të cilat janë përcjellë vallet dhe këngët e maturantëve të hareshëm e të disponuar, të cilët nuk hezituan për të ngritur ndonjë gotë uiski, birre, vere dhe pijeve të tjera freskuese joalkoolike, bashkë me profesorët e vet të cilët i shoqëronin.
Ndarja e maturantëve në fund, ka qenë momenti më i vështirë. Përqafimet me lot në faqe, ndonjëherë edhe me vaj, shtrëngimi i dorës lamtumirëse, kanë qenë momente që për shumë kohë dhe mot ata nuk do t’i harrojnë, dhe në përjetimet e tyre do të qëndrojnë të pashlyera.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat