Ruajtje e traditës dhe identitetit kombëtar përmes folklorit

Koncerti vjetor i SHKA “Koha” është një mënyrë për ta ruajtur traditën, për të bashkuar komunitetin dhe për të transmetuar te brezat e rinj vlerat e identitetit kombëtar

28 Nëntori – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë (113-vjetori) u shënua të premten mbrëma, më 28 nëntor 2025 në Tuz, nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Koha” nga Dinosha, me një koncert që tashmë është bërë tradicional prej shumë vitesh.
Në këtë mbrëmje folklorike, e cila u mbajt në sallën sportive të shkollës fillore “Mahmut Lekiq”, përpara një publiku të madh, përveç SHKA “Koha”, interpretuan edhe SHKA “Besa”, SHKA “Rapsha”, SHKA “Liria” dhe SHKA “Dedë Gjon Luli”, të cilat dhuruan çaste argëtuese e festive për nder të festës së pavarësisë.
Në lidhje me këtë koncert tradicional të përvitshëm, udhëheqësi artistik i SHKA “Koha”, Samir Beqaj, për gazetën “Koha javore” thotë se qëllimi kryesor i koncertit është shënimi i 28 Nëntorit, i kësaj date të rëndësishme, si dhe përcjellja e mesazhit për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, si dhe për të forcuar ndjenjën e bashkësisë.
“Pjesëmarrja ishte shumë e mirë dhe atmosfera mjaft festive, megjithëse, për shkak se punimet në QKI ‘Malësia’ ende nuk kanë përfunduar, u detyruam që këtë koncert ta mbajmë në sallën sportive të shkollës fillore”, shprehet Beqaj.
Ndërkohë, në pyetjen se cilat janë sfidat kryesore në organizimin e një aktiviteti kulturor të tillë dhe nëse kanë pasur mbështetje të mjaftueshme institucionale, Beqaj thekson se sfidat kryesore lidhen me shpenzimet e mëdha të organizimit.
“Mirëpo, këtë vit kemi pasur mbështetje të konsiderueshme nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, nga QKI ‘Malësia’, Komuna e Tuzit, Organizata Turistike, si edhe nga disa parti politike dhe ndërmarrje të ndryshme”, thekson ai.
Koncerti vjetor i SHKA “Koha” është një mënyrë për të ruajtur traditën, për të bashkuar komunitetin dhe për të transmetuar te brezat e rinj vlerat e identitetit kombëtar.
Çdo interpretim, këngë e valle, shërben si një kujtesë e gjallë e historisë dhe krenarisë shqiptare në Tuz prej shumë vitesh, duke ndriçuar rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe pasionin për folklorin që lidh brezat dhe ruan trashëgiminë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat