Rrok Gojçi, një figurë e shquar që gjithë jetën punoi me popullin dhe për popullin e Malësisë

Në organizim të Bashkësisë Lokale të Hotit , më 23 gusht në Qendrën Informative-Kulturore “Malësia” në Tuz, u organizua një orë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së ish-deputetit në Kuvendin e Malit të Zi, aktivistit dhe veprimtarit të palodhur nga Hoti (Malësi e Madhe), Rrokë Pjetër Gilës Gojçaj

Gjekë Gjonaj

Të nderuar pjesëmarrës,
E pranova me kënaqësi të veçantë ftesën e familjarëve të Rrok Gojçajt për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje përkujtimore që na bashkon në ndjenjën e nderimit të një njeriu të rrallë. Sot në 2o – vjetorin e vdekjes së Rrok Pjetër Gilës , po e kujtojmë me nderim dhe respekt të lartë njeriun popullor, i cili gjithë jetën punoi me popullin dhe për popullin e Malësisë. Ky njeri bujar është pjesë e asaj plejade të rinjsh dhe më vonë burrash malësorë të cilët pas përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare me angazhimin e tyre në punë dhe me aktivitetin politik kanë dhënë kontribut të çmuar në ndërtimin dhe përparimin e Malësisë, asokohe të pazhvilluar, pa infrastrukturë rrugore, pa rrymë elektrike, pa ujë të pijshëm, pa objekte të nevojshme arsimore e shëndetësore e kushte të tjera themelore për jetesë, ku gjatë rrjedhave të kohës u derdh shumë gjak i vëllezërve dhe motrave tona për mbrojtjen dhe ruajtjen e kësaj toke të shenjtë të baballarëve tanë dhe vlerat tona kombëtare, gjuha, flamuri, besa, burrëria, fisnikëria dhe mikpritja shqiptare nga zaptues të ndryshëm, tipare këto të njohura dhe të pranuara tashmë nga popujt e tjerë civilizues.
Ky bir i Hotit dhe burrë i dalluar i Malësisë ka një rrugë të veçantë në jetën e tij. Ai e jetoi jetën e vet, jo si një njeri i zakonshëm, por si një shërbyes i popullit të tij deri sa mbylli sytë, e jo vetëm për veten e vet.
Ai i dha jetës një kuptim të veçantë, duke e vënë plotësisht në shërbim dhe të mirë të familjes së tij, të farefisit, të vendlindjes së tij të dashur, Skorraqit të Hotit, të njerëzve në nevojë të Malësisë. Si rrallë kush pati zotësinë ta gjente kohën e nevojshme për të gjitha këto. Ai jetoi më shumë për të tjerët.
Kush e ka njohur këtë veprimtar të palodhur përparimtar, vështirë e ka ta harrojë, sepse ishte njeri gojëmbël, njeri i fjalës, dhe i besës , i cili ka lënë gjurmë të pashlyera tek të gjitha moshat e njerëzve, me të cilat ka qenë shumë i afërt. Kurrë të keqes s’i ka thënë e mirë, por edhe të mirës s’i ka thënë e keqe. E ka ndarë drejtësinë drejt dhe përherë ka dalë fitimtar. Ka qenë njeri i respektuar nga të gjithë. E kanë respektuar në Kuvendin e Republikës së Malit të Zi, ku ka qenë deputet me mandat dyvjeçar (1967-1969), në Zyrën e Vendit në Tuz, ku ka punuar deri në pension, në bashkime burrash , në shtëpi, por edhe jashtë saj. Ai ka pasur autoritet në popull, sepse luftoi për interesa të popullit dhe asnjëherë për interesa personale. Njerëz të tillë janë të rrallë në jetë, por i tillë ishte Rrok Gojçaj.
Në kujtimet e njerëzve ka mbetur si njeri i veçantë, me shpirt fisnik dhe me zemër të madhe. Malësia do ta mbaj mend si aktivist i palodhur dhe si deputet me tipare dhe karakteristika që jo shumë politikanë apo deputetë i kanë sot.
Si deputet ishte përfaqësues i denjë me sjelljen e tij korrekte që jepte dashuri e jo urrejtje, që ndihmonte njerëzit që kanë nevojë për ndihmë , që asnjëherë nuk mendoi vetëm për veten. Në vend të përçmimit zgjodhi respektin për tjetrin, respektin për ligjin , transparencën në vend të keqpërdorimit, dialogun dhe pajtimin në vend të ngatërresave.
Ai ishte shembull i mrekullueshëm për të dëshmuar se si punohet jo për interesa personale por për kauzën e përbashkët. Mjafton të dëgjoni komentet në Hot, Grudë, Triesh e Kojë dhe kuptohet fare lehtë se pse deputeti i Malësisë është modeli që e duan shqiptarët.

  • Unë jam deputet i kuvendit, por mbi të gjitha, jam përfaqësues i popullit. Nuk kam marrë pushtet për të pasuruar veten, por për të pasuruar popullin, thoshte me modesti e sinqeritet Rroku.
    Si të tillë do ta kujtojmë e nderojmë gjithmonë me dinjitetin dhe me burrërinë që na mungon, për të cilat sot flitet pak, për fat të keq. Pikërisht për këto vlera me Dekretin e Presidentit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë Josip Broz Tito dekorohet me Dekoratën për Popull me Yll të Argjendtë me motivacionin: “ Për kontributin e arritur në punë në fushën e zhvillimit kulturor, shoqëror e ekonomik të vendit, në vitin 1969”.
    Rrok Gojçaj qe njeri i urtë, njerëzor, por ishte edhe mikpritës, afrues njerëzish, pajtues gjaqesh, njeri bisedash që sillnin pozitivizëm te masa etj. Sa herë diku ndodhte ndonjë e “keqe”, populli e ftonte atë dhe ajo “ngjarje” pushonte sikur të mos ishte zhvilluar fare.
    Rrok Gojçaj ishte një njeri me kontribut të madh qytetar jo vetëm në Hot, por në të gjithë Malësinë, i cili do të kujtohet për punët e mira që bëri për bashkëfshatarët e tij. Ai bëri gjithçka mundi si burrë e baba i mirë për t’u dhënë fëmijëve dhe familjes së tij edukim dhe arsimim. Ai bëri gjithçka mundi si një vëlla, mik dhe njeri i dashur. Zoti ia dha fuqinë për të punuar pa kursim dhe me nder për të mirën e Malësisë dhe banorëve të saj.
    Rroku ishte dhe mbetet shëmbëlltyrë për të gjithë ne, shëmbëlltyrë e njeriut me veti të larta të punës, i përkushtuar për njerëzit e Malësisë , veprimtar i dalluar politik i cili rrezatonte afrim dhe mirëkuptim. Ai nuk imponohej, por ai dominonte me modestinë e tij, ishte kultivues i mençurisë dhe i drejtësisë.
    Këtë e dëshmoi në Besëlidhjen e Malësisë në Tuz, në vitet 70-të të shekullit të kaluar bashkë me burrat më të shquar malësorë të kohës. ku u mor zotimi historik për të hequr dorë nga gjakmarrja, e cila kishte shkatërruar popullin shqiptar për shekuj me radhë.
    Rrok Gojçaj ishte dhe mbetet njeriu i vullnetit të mirë, i pajtimeve, i sukseseve të mira, i dashurisë për popullin e Malësisë. Njerëzit e vet i mbante gjithnjë në zemër. Në një takim të rastit në Tuz më tha: i dua malësorët , mos më fajësoni pse i dua.
    Me punën dhe veprimtarinë e tij e dëshmoi se e deshi vendlindjen, punoi për të dhe ia fali të gjitha ato që kishte. Rroku krijoi miq kudo që shkoi, dhe ata e çmuan shumë, sepse ai qe i hareshëm e miqësor me të gjithë.
    Tek ai nuk ka pasur urrejtje, por tek ai ishte mbjellë me kohë e mira dhe dashuria ndaj njerëzve. Si pajtimtar i gjaqeve në Malësi pajtoi disa familje në ngatërresë.
    Unë për këtë figurë të dalluar të Malësisë mbaj kujtime mbresëlënëse dhe i jam përherë mirënjohës për këshillat e tij të sinqerta prindërore në kohën kur isha nxënës i gjimnazit të Tuzit.
    Kështu Rrok Gojçaj është përjetësuar në kujtesën tonë, në kujtesën e qytetarëve të Malësisë si simbol i saj.
    I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
    Lavdi jetës dhe veprës së tij!
    (Fjala e mbajtur me rastin e shënimit të 20-vjetorit të vdekjes së Rrok Gojçajt , në Tuz, më 23 gusht 2024)

Të fundit

më të lexuarat