Rrjedh “dokumenti” i kompletimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, përmendet edhe ndryshimi i kufijve të Kosovës

Skenat politike të Bosnje e Hercegovinës dhe Sllovenisë janë tronditur nga lëvizjet e pretenduara të udhëheqjes shtetërore sllovene, e cila, sipas tyre, e ka vizionin e kompletimit të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke cituar burime të paemërta në Bruksel, kryeministri slloven Janez Jansha i ka dorëzuar Presidentit të Këshillit Evropian Çarls Mishel, një dokument mbi prioritetet e presidencës sllovene të BE-së, në të cilat, siç thuhet, janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë”, raporton gazeta kroate “Jutarnji.hr”.
Me këtë, siç shkruan “B92″pretendohet se Jansha donte të informonte kreun e Këshillit Evropian për një nga prioritetet e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilin do ta marrë Sllovenia nga 1 korriku i këtij viti.
Nga Brukseli aktualisht arrijnë informacione kontradiktore për ekzistencën e dokumentit të diskutueshëm.
Korrespondenti i gazetës sllovene “Delo” nga Brukseli, Peter Zherjaviq, njoftoi në llogarinë e tij në Tuiterit se i është konfirmuar nga zyra e Çarls Mishel se ai kishte marrë ‘ non – paper’ nga Jansha, në mënyrë që të njoftojë në më pak se gjysmë ore: “Nuk mund të konfirmojmë që kemi marrë ‘non-paper’”, përcjell Telegarfi.
Gjithçka filloi me artikullin e portalit të BeH “Politički.ba”, për të cilin thuhet se është i lidhur me komunitetin lokal të inteligjencës, i cili njoftoi se Jansha angazhohet në favor të ndryshimit të kufijve të Serbisë dhe Kosovës sipas planit Vuçiq-Thaçi, i cili ishte në opsion vitin që shkoi derisa Donald Tramp ishte presidenti i SHBA-së, por ai u kundërshtua fuqimisht nga Gjermania, shkruan gazeta kroate “Jutarnji.hr”.
Në këtë artikull thuhet se Jansha ka shkuar një hap tutje, duke parashikuar mundësinë e shkëputjes së Republikës Srpska, bashkimi i pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me shumicën shqiptare në Shqipëri dhe bashkimi i Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.
Një variant rezervë i planit të pretenduar të Janshas është formimi i tri republikave kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia dhe Kroacia, sipas portalit “Politički.ba”, do të kishin lidhje të ngushta me vendet e tyre amë, ndërsa republika boshnjake do të fitonte një korridor sipas ujërave ndërkombëtare detare, që do të garantohej nga NATO.
Shkrimi i kësaj medie boshnjako-hercegovase ndoshta nuk do të kishte jehonë sikur mos ta çonte në një nivel më të lartë anëtari i Presidencës së BeH-së, Zhelko Komshiq nga zyra e të cilit ftuan në bisedë ambasadoren sllovene në BeH, Zorica Bukinac.
Anëtarët e Presidencës së BeH, Xhaferoviq dhe Komshiq, gjithashtu iu përgjigjën pyetjeve të mëparshme të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në lidhje me shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës. Ata deklaruan se nuk ka asgjë nga ndarja paqësore, respektivisht shpërbërja e Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa Dodik (kryetari i Republikës Srpska dhe anëtari i presidencës së BeH) konfirmoi se beson në atë mundësi, përcjell Telegrafi.
Në takimin e mbajtur, ambasadorja sllovene e siguroi Komshiqin se politika e Sllovenisë ndaj BeH ka ndryshuar dhe se Sllovenia mbështet rrugën evropiane të BeH në përmbushjen e kushteve për t’u anëtarësuar në BE, raporton Radio Sarajevo.
Nga zyra e presidentit slloven Borut Pahor njoftuan se presidenti nuk ishte i informuar me përmbajtjen e pretenduar të ‘non –paper” të cilën kryeministri slloven Jansha ia ka dorëzuar presidentit të Këshillit Evropian, Mishel.
“Meqenëse ai (Pahor) nuk e di përmbajtjen, nuk mund ta komentojë atë. Ndryshe presidenti Pahor është një avokues i BeH, integritetit të saj territorial, perspektivës Evropiane dhe zhvillimit paqësor, të cilin gjithmonë e thekson”, thanë nga kabineti i Pahor, duke shtuar se Pahor nuk mbështet shpërbërjen e Bosnjës e Hercegovinës, por mbështet pranimin e saj në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.
Jansha tashmë i është përgjigjur shkrimeve në media, duke shkruar në mediat sociale se Presidentin e Këshillit Evropian, Çarls Mishel, për herë të fundit e ka takuar vitin e kaluar dhe se për këtë arsye do të ishte e vështirë t’i dorëzojë diçka fizikisht në shkurt ose mars të këtij viti.
Jansha thekson se Sllovenia po kërkon zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, “por që artikuj të tillë (në media) po përpiqen të parandalojnë atë qëllim”.
Në ndërkohë, portali slloven ‘24ur’ raportoi se kishte marrë konfirmimin se dokumenti i diskutueshëm sekret vërtetë ekziston, por supozohet se ai ishte dërguar jashtë kanaleve të zakonshme diplomatike.
“As përfaqësuesit më të lartë sllovenë në Bruksel nuk e kanë parë atë”, shkruan ‘24ur’, përcjell Telegrafi.
Disa burime madje pretendojnë se dokumenti do të rregullonte kthimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Nikola Gruevski nga azili në Hungari.
Ministria Sllovene e Punëve të Jashtme i tha agjencisë “STA” se kishte parë vetëm një “non – paper” për Ballkanin Perëndimor, e që bëhet fjalë për atë kroat nga fundi i vitit të kaluar, i cili në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me ndonjë ndryshim të kufijve.
Eurodeputetët sllovenë Klemen Grosel dhe Irena Joveva deklaruan se Sllovenia duhet fillimisht të mbështesë procesin e mëtejshëm të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe të luajë rolin e një ndërmjetësi të sinqertë në përputhje me vlerat, parimet, traktatet dhe marrëveshjet evropiane, pa dashur të ndryshojë kufijtë midis shteteve në rajon.
E njëjta medie paraqet kryeministrin slloven Janez Jansha si avokatin më të zëshëm të “kompletimit të shpërbërjes së Jugosllavisë”, duke pretenduar se ai tash një kohë të gjatë ka shtyrë konceptin e “Serbisë së Madhe” dhe “Shqipërisë së Madhe”.

Të fundit

më të lexuarat